Poeti, përkthyesi dhe shkrimtari i njohur Rudolf Marku, i ftuar në emisionin Artkand në Top Channel komentoi videon që po qarkullon prej disa ditësh në rrjete sociale, ku një grua e cila merr një pako me ndihma duket si këngëtarja ikonë shqiptare, Parashqevi Simaku.
Marku theksoi se duhet të merret Ambasada shqiptare në SHBA dhe pikërisht konsulli i kulturës me këtë çështje delikate.
Rudolf Marku u shpreh ndër të tjera:
"Është një trishtim i madh kur sheh një skenë të tillë, fati i njeriut është fati i njeriut. Mund të jesh i famshëm dhe të kesh një fat tragjik. Por këtu është një problem përtej fatit."
"Të katandiset një nga këngëtaret më me famë të muzikës shqiptare të viteve ’80, e meritonte atë famë falë talentit të saj, në këtë shkallë dhe shqiptarët ta marrin vesh dhe Ministria e Kulturës e Ambasada shqiptare që është në SHBA, nuk dinë gjë është një trishtim edhe më i madh."
"Çdo ambasadë ka një punonjës që është një konsull i kulturës, ça bën ky, në Amerikë kur sheh se qenka një këngëtare që është katandis në këtë lloj halli të madh. Vetë kjo video të krijon shumë pikëpyetje, për kulturën, institucionet e kulturës së vendit tonë, ambasada dhe institucionet e kulturës ndoshta mund të duket sikur po shprehem vrazhdë, por janë fantazmë, hije, s’merret vesh çfarë bëjnë dhe pastaj flasim për rëndësinë e madhe që paska diaspora në botë."