Arte

“Një udhëtim në Elbasan” - Nga poeti dhe piktori surrealist grek me origjinë elbasanase, Nikos Engonopoulos

Shkruar nga Liberale

“Një udhëtim në Elbasan” - Nga poeti dhe piktori

Nikos Engonopoulos *

Një Udhëtim në Elbasan

I
Sot do të ndaj mbresat e udhëtimit tim në Shqipëri. Fillimisht, më duhet të deklaroj se nuk ka asgjë më të lehtë, asgjë më të thjeshtë se sa kalimi në këtë vend. Megjithatë, është e nevojshme që cilido qoftë të qëndrojë enkas për pjesëmarrjen tek festa e Shën Gjonit, [Shijonit] në verë. Vetëm atëherë, sapo hyn mbrëmja, nostalgjiku i vendeve të largëta, duke kërcyer mbi zjarre, mund të gjendet në cilindo qytet që kish dëshiruar ndonjëherë.

Unë, dikur, në një ditë vetmie të dhimbshme, një ditë kur kisha jetuar larg zogjve, sapo hyri mbrëmja, kërceva mbi zjarret që ishin ndezur në njëfarë lagjeje popullore të Athinës, me mallin e thellë për Shqipërinë në zemër. Kërceva një herë, kërceva dy herë. Asgjë. Herën e tretë u gjenda papritur në Elbasan.

II

Elbasani është një qytet i madh, të cilin mund t’a përshkruaj hollësisht duke folur për një këngë - në një gjuhë të panjohur, sigurisht - rreth tri nota që rikthehen pafundësisht, monotone, gjithmonë të njëjta, nga mëngjesi në mbrëmje, nga fyelli që i bie lypësi i verbër në cep të rrugës.

Sokaqet - në Elbasan - janë të ngushta në mënyrë të paimagjinueshme, dhe nga çdo anë lartësohen mure vigane të zhveshura, që i afrohen, si të thuash, qiellit. Nuk sheh asnjë deriçkë askund, sigurisht asnjë degë peme që tejzgjatet.

III

Endesha brenda këtij qyteti me shumë kureshtje. Qetësia mbretëronte brenda zemrës sime dhe madje po këndoja, ndër dhëmbë, një këngë nga vitet e fëmijërisë sime.

Njerëzit që takoja gjatë kalimit, ishin ca njerëz të gjatë të veshur me fustanella të gjata deri përdhe. Hapi i tyre ishte i ngadaltë, "madhështor-thoshja-siç janë gjithmonë, në Lindje". Të tjerë mbanin qeleshe të bardha në kokë, dhe të tjerë, përsëri, kapele grash të mëdha me pendë.

Por papritmas, një ankth i papërshkrueshëm më pllakosi zemrën. Këta njerëz nuk kishin sy! I kisha vënë re, tashmë po më shqetësonte shikimi i tyre! Frika më ndaloi, më gozhdoi, për jo pak, për mjaftueshëm atje, dhe mbeta plotësisht i palëvizur, i pagojë. Dhe kur munda, të lëviz disi, të vrapoj, të kuptoj përfundimisht, pashë me tmerr, i ndoqa nga pas, se si sapo u kthyen tek cepi, ata zhdukeshin si ëndërr...

Zhdukeshin, për t’u rishfaqur, përsëri tek cepi tjetër, nga ishin nisur, të vazhdonin të patrazuar shëtitjen e pahijshme të tyre.

Nuk kish më vend për asnjë dyshim. Një mashtrim i padëgjuar po luhej në kurrizin tim. Kuptova se kisha rënë padashur viktimë e një stisjeje të shëmtuar e të tmerrshme. Menjëherë reflektova përmasën e gabimit tim, u ula poshtë dhe qava hidhërueshëm.

* Botuar në Ippalektryon: Τα κλειδοκύμβαλα της σιωπής. Çelësat e solit të heshtjes (1939)

Photo: N.Engonopoulos: Shën Gjergji (1947), koleksion privat. Piktura në vaj tregon subjektin me fustanellë, me motive klasike orfeike, moderne, e tradicionale në afërsi të ikonografisë me Shën Gjergjin e Janinës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH