Arte

K’cimi i Tropojës/ Nga ekspozimi artistik i vitit 1973 te njohja si Trashëgimi Botërore (VIDEO)

Shkruar nga Albana Cenaj

K’cimi i Tropojës/ Nga ekspozimi artistik i vitit 1973 te njohja si

Nga Albana Cenaj

Rastisa në një video të vitit 1973, një fragment nga filmi "Burim i pashtershëm" i regjisores Marianthi Xhako, që ka dokumentuar shumë nga thesaret e trashëgimisë sonë të të gjitha trevave. Në atë skenë, disa valltarë shfaqen duke kërcyer vallen e Tropojës, një spektakël i vërtetë i energjisë dhe harmonisë që përçon shpirtin e malësorëve të Veriut.

Mes tyre shfaqet valltari Solo me mustaqe te bardha, figura e paharruar e Hazir Rrustemit nga Kepeneki i Tropojës, ikona e kërcimit të kësaj treve ku me lëvizjet e tij energjike mbetet një simbol i gjallë i shpirtit malësor.

Lëvizjet e tyre të vrullshme, ritmi i fuqishëm dhe përkushtimi në çdo hap e bënin të duket sikur mali dhe fryma e tokës vallëzonin bashkë me ta. 

Vallja e Tropojës, që ka evoluar ndër vite si në interpretim, ashtu edhe në formacione brilante, sot mishëron jo vetëm traditat, por edhe kombinimin e jashtëzakonshëm të instrumenteve si kavalli, fyelli, çiftelia e temperuar, lahuta, basi, fizarmonika dhe tupani – të gjitha të orkestruara nga mjeshtra instrumentistë dhe krijues me një talent të rrallë.

Sot, kjo valle, që ka mbijetuar përmes brezave, ka gjetur një vend të merituar në listën e trashëgimisë botërore jomateriale të UNESCO-s. Një njohje që dëshmon se traditat tona jo vetëm që jetojnë, por vazhdojnë të mahnitin dhe të frymëzojnë botën.


Gjithashtu, filmi i Marianthi Xhakos nuk është vetëm një dokumentar për Tropojën; ai është një vepër që lidh të kaluarën me të ardhmen dhe përçon vlerat kulturore edhe përmes veshjeve autentike të trevave tona, si ato të Rugovës me shaminë e bardhë, dikur më të thjeshta dhe të pastra, ndërsa sot shpesh të stërngarkuara.

Prej kësaj pune artistike, Xhako ka dhënë gjithashtu një kontribut të rëndësishëm në njohjen e qytetit të Beratit si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në promovimin e kulturës shqiptare.

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH