Nga Luiza Pinderi
Mes pikturës, grafikës, kritikës letrare, angazhimit në administratë dhe akademi, karriera e dr. Abaz Hados mbetet shumëdimensionale. E parë nga lartësitë e kohës ajo duket e shkëlqyeshme por stacionet e përshkuara kanë qenë të punës dhe jo të ndalesave.
Bëhet nostalgjik kur kthehet pas në kohë. Kujton dhomën e vogël në shtëpinë e tij në Shijak ku flinte me gjyshen. Rrinte natën vonë për të vizatuar. Fillimisht kopjonte kopertinat e librave e më pas me ndihmën e mësueses Shpresa Beqiri krijimtaria e tij mori dimension të ri. Do të veçohet nga pjesa tjetër e klasës e do të bjerë në sy duke u cilësuar nga stafi pedagogjik si njeri me prirje në pikturë. Do të hapë ekspozitën e parë që në klasë të gjashtë e më vonë atë në klasë të tetë, e cila do të bëhet shkak për vijimin e Liceut Artistik në Tiranë.
Ka një moment që i tregoi vërtet vlerën e punës. Ishte në klasën e shtatë kur mori pjesë në një ekspozitë në rrethin e Durrësit. Piktura e tij me një peizazh nga Shijaku u pëlqye shumë dhe u ble me çmimin 2500 lekë, që siç kujton profesori ishte gati e njëjtë me rrogën e të atit. “Besoj se kam thyer rekord në atë kohë që një fëmijë të fitojë aq para”, shton me të qeshur. Ngjarjen ia bën edhe më të paharrueshme fakti që e gjitha ndodhi në festat e fund vitit, duke marrë kështu një kuptim tjetër e të pangjashëm me vitet e kaluara.
Rruga drejt realizimit të ëndrrave nuk ishte e lehtë. Ishin pengesat financiare që ia bënë të mundimshme ato vite të adoleshencës. Madje kujton se në atë të ftohtë të dimrit të Tiranës mbante të veshur vetëm uniformën e skuadrës së volejbollit të Shijakut.
Pengesë do t’i bëhej shpesh origjina. Edhe pse një familje e thjeshtë punëtore, do të trajtohej sikur të kishte probleme në biografi. Kështu ndodhi kur ishte në vit të katërt në Institutin e Lartë të Arteve dhe i komunikuan se do të qëndronte pedagog. Kjo nuk ndodhi pasi morën vesh se ishte me origjinë çame. Madje donin ta dërgonin në Ishëm, duke synuar kështu shkatërrimin e ambicies dhe të ardhmes.
Profesori tregon se gjatë atyre viteve pati një episod të pakëndshëm me piktorin e njohur, pedagogun Fatmir Haxhiu. Kritika e shprehur ndaj metodave jo aq rezultative për studentët dhe mbrojtja që i bëri shokut të klasës Mikel Gurashi, do të bëhej shkak që Haxhiu të ndryshonte qëndrimin ndaj tij. “Fatmir Haxhiu ishte gjithë ai emër. Ishte buldozeri që mund të të merrte para dhe përplasja me të pati pasoja të rënda.” Një prej këtyre pasojave ishte tentativa për ta mbetur në klasë.
Me përfundimin e studimeve u kthye në Shijak e më pas Durrës, ku punoi për shumë vite si mësues në shkollën “Jan Kukuzeli”. Auditorëve ku u diplomua do t’iu rikthehej sërish si pedagog, për ta vijuar më vonë karrierën akademike në Universitetin Europian të Tiranës, kompletuar së fundi me titullin profesor i asociuar.
Nuk i është ndarë kurrë dëshirës për të shkruar e për të bërë kritikë arti. E nisi që në vitet e liceut e më pas, duke shkruar në revistat e gazetat e njohura të kohës. E ka bërë përmes monografive të botuara nga Akademia e Shkencave ndër vite, të tilla si: "Guri Madhi, jeta vepra", "Portreti në pikturë", “Kostumografia popullore në artin pamor", "Portreti në skulpturë". E bën sërish përmes emisioneve televizive ku analizon vepra të ndryshme arti.
Ka qenë pjesëmarrës në shumë ekspozita brenda e jashtë vendit. Ka marrë pjesë në bienale ndërkombëtare dhe ka hapur 17 ekspozita personale, ndërsa veprat e tij gjenden në koleksione të shumta publike dhe private.
Ka mbajtur poste publike drejtuese, duke filluar me atë në Pallatin e Kulturës, më tej si drejtor i Galerisë Kombëtare, për të kaluar pastaj në krye të Galerisë së Artit Tiranë. E ka plotësuar angazhimin e tij me politikë, duke mbajtur postin e zv/ministrit dhe nënkryetarit të bashkisë.
Por pavarësisht kësaj, emri i tij mbetet pazgjidhshmërisht i lidhur me artin e pikturën. “Unë gjithmonë e kam vrarë mendjen pse dola piktor”, thotë profesori duke dhënë edhe përgjigjen e kësaj pyetjeje gati ekzistenciale.
“Është në gjen. Babai im ishte me origjinë nga Lopsi në Çamëri, një truall artistësh. Nga ky vend kanë dalë Dinejt e famshëm.”
INTERVISTA
Në librin e tij “Shijaku – ky oaz fisnikërie, atdhetarie dhe humanizmi”, Nikolla Sudar, ish-mësuesi juaj në shkollën 8-vjeçare, kujton se gjatë orës së mësimit ju nxirrnit një fletë dhe përhumbeshit në pikturë. Si ka hyrë ky pasion në fëmijërinë tuaj dhe çfarë kujtoni nga ajo periudhë, jo aq e afërt?
Që kur isha fëmijë më pëlqente të blija libra dhe kam pasur ëndërr të kem një bibliotekë, të cilën e kam sot. Blija libra dhe fillimisht iu kopjoja kopertinën. Në klasë të pestë na erdhi një mësuese e shkëlqyer, Shpresa Beqiri, me një pasion të jashtëzakonshëm, e cila na futi në botën e artit. Vizatimi konsiderohej një lëndë dytësore, por ajo e ktheu në prioritet për disa nga ne.
Fillova të punoj pa ndalur. Kisha një dhomë të vogël me gjyshen dhe atje punoja deri në orën dy ose tre të natës. Shpesh herë kam shkuar me duar me bojë në shkollë. Rashë pak nga mësimet, por më trajtonin si djalë me prirje në pikturë. Në klasë të gjashtë bëra një ekspozitë personale me punimet. Pastaj fillova të merrja pjesë në këto rrethet e artit që bënte mësuesja. Kur sapo kishte filluar klasa e shtatë, shkova te piktori i njohur Agim Faja, një nga ilustratorët më të mirë shqiptarë.
A ishte zgjedhja juaj apo e diktuar nga koha vijimi i shkollës së mesme artistike “Jordan Misja” në Tiranë, diplomimi për Pikturë Monumentale në Akademinë e Arteve e më tej specializimi si kritik arti?
Isha përgatitur me Agim Fajën për në lice. Konkurruam disa fëmijë dhe fitues dola vetëm unë. Nga Liceu Artistik një mësues më kishte thënë që je fitues, por emri nuk më kishte ardhur ende. Emrat shkonin në Komitetin Ekzekutiv të Shijakut dhe kryetari nuk kishe thënë gjë fare, pasi unë konkurroja me nipin e tij.
Ndërkohë, në sallën e mësuesve të shkollës vijonte qëndronte e hapur ekspozita që unë kisha hapur me mësuese Shpresën në klasën e tetë. Në ditën e parë të shkollës erdhi Hajro Zeneli, sekretar i partisë në rreth, të cilit i treguan ekspozitën time. Më thërrasin mua e ai më pyet pse nuk kisha vazhduar liceun. I them që kam fituar por nuk kanë ardhur letrat. Thërret kryetarin e Komitetit Ekzekutiv dhe e pyet për dokumentet. Ai shkon sërish në komitet dhe i sjell dokumentet me justifikimin se kishte rënë poshtë sirtarit. Por ndërkohë mësimi në lice kishte filluar.
U fut Komiteti dhe Hajro si garanci që të shkoja pa dokumente në muajin e parë. Ndërsa në të dytin duhet të paguaja lekë. 1840 lekë ishte tarifa e plotë dhe 920 ishte bursa. Në muajin e dytë dhe të tretë i pagoi babai me familjen. Herën tjetër babai më tha që nuk ka mundësi dhe ideja ishte që të shkëputesha nga shkolla. Meqenëse jetoja me gjyshen (njerka e babait), bëmë gjyq që unë të birësohesha prej saj dhe nga ai moment përfitova bursën. Kjo më dha mundësinë të mbyllja pagesat.
Pas mbarimit të shkollës së mesme bëra një vit stazh. U ktheva në Pallatin e Kulturës në Shijak ku merresha me skenografinë. Doja të studioja për letërsi e të vijoja për kritikë arti, pasi kisha filluar që në lice të shkruaja në disa gazeta të kohës. Vazhdova në Institutin e Arteve për Pikturë Monumentale dhe më vonë për Studiues Arti dhe Kritikë.
Cilët janë mësuesit, pedagogët, piktorët që influencuan në krijimtarinë tuaj të një jete?
Mësuesja Shpresa Beqiri ishte e para që më shtyu fort në këtë drejtim, e më tej piktori Agim Faja. Në Lice kam pasur pedagog në grafikë Skënder Lakon, një djalë i ri që sapo kishe mbaruar studimet. Nga viti i tretë u njoha me kritikun Anton Kuqali, njeri me shumë kulturë, dhe fillova të mësoj shumë pas tij e të merrem me kritikë. Në revistën “Pioneri” kishte një hapësirë për të rinjtë ku unë shkruaja dhe paguhesha njëkohësisht. Ngaqë merresha me kritikë arti fillova të botoja edhe te gazeta “Rinia”, gazeta “Drita”. Kam botuar disa shkrime për Vangjush Mijon, Sali Shijakun etj.
Si drejtues i Galerisë Kombëtare të Artit (2002-2005) keni pasur mundësinë të shihni më afër problematikat dhe të reformoni institucionin. Nëse do të ishit në të njëjtin post, tashmë pas dy dekadash, cili do të ishte vendimi juaj i parë për institucionin e pikturës?
Në Galeri bëra maksimumin, por më ndihmoi edhe fati. Pata një marrëdhënie të shkëlqyer me drejtorin e Fondit Amerikan të Zhvillimit në Shqipëri dhe gruan e tij, të cilët më ndihmuan të sjell në vendin tonë mënyrën si punohej në SHBA, por edhe të shtoj aktivitet. Gjatë kësaj kohe u dërgua për restaurim në Francë Motra Tone e Kolë Idromenos, që e quaj si një nga momentet më të bukura gjatë detyrës sime.
Karrierën e kam mbyllur me Galerinë e Artit Tiranë. Sigurisht që do të ngre një galeri tjetër dhe jemi duke punuar për Galerinë e UET. Universiteti Europian i Tiranës është një universitet që jep mundësi network-u, të jep mundësi të bësh gjëra të vogla, të cilat janë të mëdha për impaktin që kanë.
Jeni angazhuar në politikë me Partinë për Drejtësi, Integritet dhe Unitet dhe keni mbajtur postin e zëvendësministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e më tej atë të nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës. Si e kupton një piktor politikën?
Angazhimi im në politikë nuk ka qenë i rastësishëm. Familja ime jo vetëm që është çame, por në familjen time janë vrarë njerëz. Unë kam emrin e një patrioti, Abaz Hamiti, i cili ka qenë i afërm i babit tim. E kisha amanet nga babai që të merrem me këtë punë, por situatat politike këtu te ne janë të tilla që nuk të lejojnë që momente kulmore të historisë të trajtohen si duhet. Çështja çame është shumë e vështirë të zgjidhet.
Politika është domosdoshmëri sepse kështu është ndërtuar sistemi. Nuk e pranoj që asnjë artist të jetë i paangazhuar. Gjithë historia e artit, gjithë veprat e artit, kanë angazhime. Kanë qenë në shërbim të faraonëve, mbretërve, drejtuesve. Sot në artin modern i shërbejnë shoqërisë së ulët, ndërsa artet bashkëkohore i shërbejnë organizimit e çështjeve të tjera. Angazhimet janë kauza të ndryshme, jo vetëm politike, janë mjedisore, etj.
Nga eksperienca si pedagog keni pasur mundësinë të jeni më afër brezit të ri dhe formimit të tij. Duke pasur parasysh ndikimin e Inteligjencës Artificiale, a mund të konsiderohet sot piktura një profesion?
Me teknologjinë, piktura tani bëhet subjekt vetë. Në Universitetin Europian të Tiranës kemi filluar përdorimin e saj. Me pedagogun Gejsi Tafa e aplikuam për herë të parë në pikturën shqiptare. Në disa degë si dizajni mund të ketë probleme, por nga ana tjetër, e mira është se me AI projektet bëhen më shpejt. Gjithsesi, sado shpikje të bëhen, arti është shpirt, është emocion.
Për dhjetë vite keni drejtuar emisionin “Art Shopping” në News 24 e më tej “Art dhe Art” në RTVSH. Nëse bëni një balancë, cili ka qenë personazhi apo emisioni që do të veçoni nga të tjerët?
Unë fillimisht kam shkuar si drejtor promocioni në News 24 dhe aty më lindi ideja për të bërë emisionin e artit. Sigurisht që ai pati një impakt sepse rriti nivelin e artit dhe futi për herë të parë ankandet në Shqipëri. Çdo personazh që kam trajtuar ka pasur veçantinë e vet, por ajo që unë veçoj është bërja e analizave. Kam bërë analizën e pikturës “Mbjellja e pemëve” dhe “Epika e yjeve të mëngjesit” dhe të një ekspozite me piktorë të huaj. Sa herë që janë artistë të huaj, të cilët vijnë në origjinal unë e kam kënaqësi pasi më duket sikur jam pjesë e një sipërmarrjeje. Emisioni im është tribuna e vetme që ka mbetur në televizor dhe që bën analiza arti. Prandaj po i reziston kohës.
A ka një ngjarje, një moment që e cilësoni si gabim të jetës suaj?
Pas mbarimit të studimeve, pata një ofertë nga drejtori Fuat Dushku për të më marrë si studiues në Galerinë e Artit, por nuk ia doli dot. Drejtori Alfred Uçi i çoi dokumentet te Instituti i Kulturës Popullore për të më bërë pjesë të tij. Nuk pranova dhe i thashë që kam pasion artin. Aty bëra gabimin e parë. Kjo sepse do të më ndjekin shumë peripeci më vonë. U ktheva nga Tirana në Shijak dhe po prisja emërimin. Mora vesh që kishin planifikuar për të më dërguar në Ishëm. Qëlloi që në atë kohë u hap në Liceun Artistik të Durrësit “Jan Kukuzeli” dega e pikturës dhe më emëruan mësues. I vrarë isha pasi shpresoja për pedagog, por i marr sfidat shumë butë. Aty gjeta një kolektiv të mrekullueshëm dhe punova me pasion. Bënim aktivitete, thërrisnim piktorë, bënim takime. Ka ardhur Kristaq Rama, Guri Madhi etj.
Jeni bërë pjesë e shumë ekspozitave dhe galerive brenda e jashtë vendit. A ka një moment që e veçoni gjatë këtij rrugëtimi?
Kam filluar që në 1983-shin me ekspozitat e para, të cilat kishin sukseset e tyre. Pastaj në ’86-ën u hap një ekspozitë në Gjermaninë Lindore dhe ne çuam disa grafika. Ato ishin pëlqyer shumë dhe unë fillova të dalloj në këtë aspekt. Jam marrë shumë me këto bienalet ndërkombëtare të grafikës dhe kam marrë pjesë në rreth 50 të tilla. Nga 1989-ta deri në 2012-ën kam marrë pjesë rregullisht çdo vit, minimalisht në 3-4 vende të botës. Kam hapur një ekspozitë në Stamboll të titulluar “Shi në Tiranë”, organizuar nga Beste Gursu, kuratorja e Edi Ramës. Ajo ekspozitë me 20 veprat e mia ka mbetur e gjitha në Turqi.
Një moment që më ka dhënë vërtet kënaqësi ka qenë ftesa e një muzeu në SHBA. Ata po bënin një rikonstruktim dhe kishin ftuar 1500 grafistë të botës, mes tyre edhe mua, për të dërguar një punim. U futa në 15-shen e fundit dhe më thanë që jam nominuar për çmim, por nuk fitova. Mund ta quaj ngjarjen më të bukur të jetës sime.
Keni një punim, një pikturë, një galeri personale të pazbuluar për askënd?
Sigurisht që kam. Çdo piktor ka të tilla. Kam bërë më parë portrete të personazheve të ndryshëm që njihja, të femrave, piktura nudo etj.
Një nga pikturat tuaja është pjesë e “Fondit të veprave të artit” të Mbretëreshës së Anglisë. Cila është historia që qëndron pas asaj vepre?
Ka qenë një pikturë për Beratin. Më thotë presidenti Alfred Moisiu, se kur ia dorëzoi mbretëreshës së Anglisë, ajo ishte shumë kurioze dhe e kishte pyetur: “Kështu janë dritaret apo është fantazia e piktorit?” “Jo, ky qytet është i tillë”, i ishte përgjigjur ai.
Cili është mjedisi dhe periudha e ditës që zgjidhni për të krijuar?
Janë disa mjedise në të cilët unë krijoj. Unë kam këtë gjë, që edhe kur jam në universitet, nëse kam një orë të lirë, ulem dhe shkruaj. Në shtëpi kam studio, të cilën e kam organizuar edhe për pikturë edhe për të shkruar. Gjithmonë pas orës dhjetë të darkës deri në orën dymbëdhjetë ose një, ulem për të shkruar. Gjatë ditës jam me aktivitetet e mia, me universitetin, xhirimet e emisioneve, ndërsa pasditet janë gjithmonë për artin.
Nisur edhe nga eksperienca personale, çfarë këshille u jepni studentëve tuaj që mund t’iu vlejë për të pasur sukses në art?
Ecuria ime ka qenë graduale, por e sigurt, pa kthime pas. Punoja me qetësi dhe seriozitet. Kjo edhe për shkak të natyrës sime. Urtësinë e kam marrë nga babai, ndërsa energjinë nga nëna. Kam qenë modest dhe kam dashur gjithmonë të bëj punën time. Hapësirat vijnë vetvetiu me moshën, me përvojën. Nuk mund ta kërkosh me zor diçka, ti bëj punën tënde. Unë lëviza nga Shijaku dhe thashë: “Do të iki të luftoj për të qenë dikush”. Edhe studentëve këtë ju them: Nuk duhet të harroni, suksesi arrihet vetëm me punë dhe këmbëngulje!/Revista Liberale