Ekspozita me portretet e Ismail Kadaresë bëri bashkë mjeshtrat e pikturës shqiptare dhe artin e tyre. Nga Zef Shoshi te Buron Kaceli, Nasuf Myftari, Natasha Bega, Pashk Pervathi, Bujar Kapexhiu, Azem Kuçana e emra të rinj të artit e pikturës, studentë e pedagogë, morën pjesë në çeljen e ekspozitës së titulluar “Kadare në artet figurative”.
Kjo ngjarje vjen në kuadër të projektit “Imazhi i Kadaresë dhe impakti i veprës së tij në artet pamore”, realizuar nga Instituti Liberal Pashko me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Fondacionit "Credins". Bashkë me ekspozitën, e cila do të qëndrojë e hapur për tre ditë në Universitetin Europian të Tiranës, do të botohet edhe një album me 100 portrete e skica të përzgjedhura të shkrimtarit, nën kujdesin e pedagogut të arteve, dr. Abaz Hado.
Në fjalën përshëndetëse, Hado tha se në fillim të këtij projekti ishte pak skeptik sepse nuk ishte i bindur nëse ekzistonin kaq shumë vepra për Kadarenë. Por me kërkimin e hulumtimin, pritshmëritë u tejkaluan duke u mbledhur më shumë se 300 imazhe nga autorë shqiptarë e të huaj, jo vetëm të portretit, por edhe të veprës dhe librave të Kadaresë.
“Mund ta them, jo me 100% siguri, por mund ta them se Kadare është figura e dytë pas Skënderbeut që ka kaq shumë vepra arti që i dedikohen nga pikturë të ndryshëm, artistë e personalitetit të artit.”
Hado theksoi se Kadare është ndër të vetmit shkrimtarë në botë që i kanë kushtuar vepra arti, jo vetëm nga vendi por edhe nga vende të tjera.
Piktori Arif Lushi është i fundit piktor që pikturoi shkrimtarin në të gjallë të tij. Ai realizoi një portret gjatë një takimi në Labinot të Elbasanit, që është pjesë e albumit “Kadare në artet figurative”.
Lushi tregoi tre takimet me Kadarenë: një herë kur ishte student në një ekspozitë, herën e dytë në Galerinë e Arteve në ekspozitën e Bashkim Ahmetit dhe e treta ishte kjo në Labinot. “Është një shembull i papërsëritshëm dhe gjenitë nuk ndodh të vijnë shpesh, jo vetëm në kombin tonë por në përgjithësi, vijnë në 100 apo 200 vjet. Ky ishte Kadareja në dimensionet e jetës reale që unë pata fatin ta takoj”.
Piktura për Kadarenë nuk ishte në projektet e artistit Pashk Pervathi, por këmbëngulja e botuesit Herni Çili e inspiroi që edhe ai të japë kontributin e vet për këtë album por edhe për atin shqiptar. Ajo që nisi si vizatim vijoi në një piktura të plotë me vaj.
Ai rrëfeu se Kadarenë e takoi dy herë, njëherë gjatë një dreke me At Zef Pllumi në Shkodër dhe një herë të dytë pak para ndarjes nga jeta.
Drejtuesja e Shtëpitë Studio Kadare- Agolli, Anisa Ymeri, u shpreh e emocionuar për rikthimin e saj në auditorët e UET-it. Ajo tregoi se në fondin e shtëpisë muze ruhen dy piktura të Kadaresë, njëra prej së cilës i atribuohet piktorit Vilson Kilica dhe që do të restaurohet së shpejti, dhe tjetra është e Pashk Përvathi.
Ymeri bëri një ftesë të hapur për të gjithë piktorët që veprat e tyre të ekspozohen në Shtëpinë Studio- Kadare, në mënyrë që ai vend të ketë gjallëri dhe më shumë vizitorë të cilët të prekin artin e tyre.
Projekti dhe puna e influencës së Kadaresë në artet figurative nuk do të mbyllet me këtë album dhe ekspozitë. Parashikohet që një aktivitet i ngjashëm do të zhvillohet në COD, në një vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit. Po ashtu, do të ketë edhe një album të dytë me piktura, tashmë jo për portretin e Kadaresë, por me dedikime për veprën, personazhet dhe botimet e tij.