I pranishëm në ekspozitën “Kadare në artet figurative”, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, piktori Pash Pervathi tregoi momentet e takimit me shkrimtarin Ismail Kadare, por dhe mënyrën se si ai hyri në pikturën e tij.
Ishte një kërkesë e botuesit Henri Çili, prej të cilës mjeshtri i peizazheve u nxit për të pasur në koleksionin e tij të portreteve edhe Kadarenë.
“Nuk e kisha në optikën që të bëja portret për Kadarenë, por Henri këmbëngulte këmbë dhe më thoshte: “Po bëj nja katalog dhe bëj diçka, qoftë edhe një vizatim”. Ngulmimi i tij ishte tejet i madh. Një ditë vendosa ta bëj, qoftë edhe një vizatim. Mora një letër dhe pastaj mendova, që sa të bëj një vizatim, më mirë ta bëj në vaj. Kaq ishte e gjitha. Të falënderoj që më inspirove. Prej teje kam edhe At Zef Pllumi, Agron Gjekmarkaj. Kadarenë, në jetën time e kam takuar dy herë. Një herë në një drekë me At Zef Pllumi që na kishte ftuar në Shkodër, me atë rast ishte edhe Agroni. Herën e dytë e takova dy-tre muaj para se të ndërronte jetë. Nuk kam gjëra të veçanta, por më vjen mirë që bëra një portret për të”, u shpreh piktori.