Arte

100 portrete të përzgjedhura/ Çelet në UET të martën, 15 prill, ekspozita “Kadare në artet figurative”

Shkruar nga Liberale

100 portrete të përzgjedhura/ Çelet në UET të

Është mëse i njohur dimensioni i shkrimtarit Ismail Kadare, njeriut të penës, qëmtimit të fjalës, zgjedhjes stilistikore, imagjinatës, evokimit, simbolikës etj. Librat, subjektet, personazhet e tij, u rrëfejnë njerëzve, i flasin historisë dhe i përkasin tejkohësisë.

Por shumë pak është i njohur dhe shumë pak është folur për Kadarenë në artet figurative. Si një nga personalitetet më influencuese dhe frymëzuese, në kohët më të errëta të vendit tonë, Kadare nuk pati vendin e tij vetëm në letërsi, por edhe në pikturë. Dhjetëra autorë të njohur, si Dhimitër Shuteriqi, Kujtim Spahivogli, Andon Kuqali, Fatmir Haxhiu, Andon Lakuriqi, Ylli Haruni apo Zaim Elezi e kanë bërë Kadarenë subjekt të telajos së tyre.

Tashmë këto vepra të njohura e të panjohura, pjesë e koleksioneve private dhe galerive, do të jenë të përmbledhura në një album të titulluar “Kadare në artet figurative”, i cili vjen në kuadër të një projektit 3-mujor “Imazhi i Kadaresë dhe impakti i veprës së tij në artet pamore”, mbështetur nga Bashkia e Tiranës dhe Instituti Liberal Pashko. Projekti do të lançohet të martën, 15 prill, ora 11:00, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës.

Pavarësisht se procesi i kërkimit dhe mbledhjes grumbulloi më shumë se 300 imazhe, piktura, skica, fotografi të shkrimtarit Kadare, albumi përmban 100 të tilla të cilat i përkasin kategorisë së portretit. Pikturat janë të realizuara gjatë një periudhe 63-vjeçare. Portretet e para janë ato të piktorëve Ksenofon Dilo dhe Vilson Kilica të vitit 1962, ndërsa i fundit vjen pak muaj para ndarjes nga jeta e shkrimtarit.

Albumi i parë për Kadarenë në artet pamore vjen nën kujdesin e piktorit dhe pedagogut të UET, Abaz Hado dhe me parathënie të znj. Elavana Hana, drejtore e Fondacionit “Credins”.

“Ky libër i kushtuar plotësisht Kadaresë nuk është vetëm një udhëtim artistik në botën e tij, por edhe një përpjekje për të hapur një portë drejt inspirimeve të pafundme që ky personalitet ju ka dhënë artistëve të tjerë brilante”, shkruan Hana.
Sipas prof. Abazit, shkrimtari Ismail Kadare është personaliteti i dytë më i trajtuar në pikturën shqiptare, pas atij të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

“Vlen të theksohet se, për këtë shkrimtar ka shumë vepra të realizuara nga artistë të artit pamor, përgjatë viteve, sepse është vlerësuar, respektuar dhe adhuruar si personalitet, për talentin dhe sukseset e arritura me veprën e tij në botë. Me jetën dhe veprën arriti të fitojë adhurimin e brezit që jetuan në kushte izolimi dhe diktati absurd. Ky brez kishte nevojë për një mit jo politik, që e ndienin tek Ismail Kadare”, nënvizon Hado.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH