Abdulla Cangonji Emini ka realizuar një sërë veprash me tematikë figurative dhe portrete. Ndër veprat më të njohura të tij përmendet autoportreti i vitit 1947, që mbetet dëshmi e hershme e talentit të tij.
Abdulla Cangonji Emini (Korçë 15.10.1920 – Tiranë 17.02.1987) i përket grupit të artistëve që trajtuan tablonë kompozicionale sipas metodës së realizmit realizmit socialist në artin shqiptar.
Gjatë krijimtarisë së gjatë si piktor (50 vjet krijimtari) Cangonji realizoi vepra në të gjitha gjinitë dhe teknikat e pikturës: kompozime, portrete, peisazhe, natyra të qeta,(në vaj, akuarel) dhe në grafikë. Numurohen me qindra vepra gjatë jetës së tij të pasur artistike.
Talenti i tij spikat veçanërisht në gjininë e portretit të cilin e ka zhvilluar që kur ishte i ri.
Cangonji ishte i ndikuar nga arti i Rilindjes Italiane dhe impresionizmi. Në kompozimet e tij artisti trajtoi temën historike, të luftës antifashiste dhe të ndërtimit të socializmit. Artisti Cangonji u formua si artist në tri akademi arti.
Pas mbarimit të shkollës fillore në Korçë 1927- 1932 , ai hyri në shkollën teknike të Tiranës (1932-1939) në degën e vizatimit.
Nga viti 1940-1943, artisti studion në Akademinë e Arteve në Firence, Itali e më tej ai vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve në Zagreb, Kroaci(1946-1948).
Në vitin 1948, kur ndodhi dhe prishja e marrëdhënieve politike me Jugosllavinë, ai kthehet pa e përfunduar vitin e fundit akademik. Ndërkohë në vitin 1949 ai mbron diplomën në Akademinë e Sofjes (Bullgari).
Pas studimeve emërohet pedagog i pikturës në Liceun Artistik “Jordan Misja“, Tiranë (1949-1967). Në vitin 1967 Largohet nga kjo detyrë si i pa dëshiruar për motive politike dhe ishte mësues vizatimi në një nga shkollat 7 vjeçare, në Tiranë.
Abdulla Cangonji ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare të organizuara pas luftës në Shqipëri.