Ekonomi

Miliarderi i parë në Ballkan pa “asnjë lek në xhep”, të pathënat e biznesmenit Samir Mane

Shkruar nga Liberale
Miliarderi i parë në Ballkan pa “asnjë lek në

Pasuria e biznesmenit Samir Mane llogaritet aktualisht në 1.4 miliardë Dollarë, sipas renditjes më të fundit të revistës prestigjioze Forbes.

Mane është miliarderi i parë në Ballkan dhe në Shqipëri që hyn këtë listë.
Por pyetja që dëgjon më shpesh Samir Mane, është sa para cash ka në xhep.
Këtë pyetje ia adresoi edhe drejtuesi i emisionit Opinion në Tv Klan, Blendi Fevziu, në një intervistë mbrëmjen e sotme.
Biznesmeni Mane tha se jo vetëm që nuk mban para cash, por nuk ka as portofol. Ai tregoi se pagesat i bën vetëm me kartë bankare.

Pasi hyri zyrtarisht në listën e miliarderëve të botës nga revista Forbes, Samir Mane rrëfen se bëri 3 telefonata.

Ai tregoi se telefonatën e parë për t’i dhënë lajmin ishte familja e tij, e veçanërisht i biri Martini.
Telefonata e dytë ishte stafi i kompanive të tij.
Ndërsa telefonata e tretë ishte me një person në Austri.

Mane po ashtu tregon për fillimet e tij si në kohën e studimeve të tij ku zbuloi se dëshira e tij ishte të studionte Ekonomik edhe pse kjo gjë nuk u realizua në atë kohë, pasi ndoqi një degë tjetër që ju caktua.
Ai tregon se si filloi me tregtinë që në kohën e universitetit ku zbuloi edhe faktin që tregun e kishin në “Qytetin Studenti”.

Grupi Balfin i biznesmenit Samir Mane së shpejti do të hapë hotelin më të ri në bregdetin e Jugut të Shqipërisë. Ai ka ndarë disa detaje lidhur me këtë projekt, që pritet të hapet më 1 Qershor.

Shqipëria po përjeton një rritje të madhe turistike në 2-3 vitet e fundit. Turizmi po konsiderohet me shumë potencial për ekonominë e vendit. Biznesmeni thotë se turizmi në Shqipëri është biznesi më i mirë momentalisht që mund të përfshihet kushdo. Sipas tij, kjo industri do të shërbejë pozitivisht për shqiptarët për të paktën 10 vitet e ardhshme.Biznesmeni foli edhe për blerjen e pronave në zonat turistike, duke garantuar se këto pasuri të patundshme nuk do të kenë humbje vlere.

Herë pas here kanë qarkulluar teza në media se biznesmeni Samir Mane do të përfshihej në politikë.
Vetë biznesmeni Samir Mane i ka dhënë përgjigje këtyre dilemave. Mane tha se për momentin nuk ka asnjë ambicie për t’u përfshirë në politikë.

Pjesë nga intervista:

Blendi Fevziu: Vazhdimisht ka qarkulluar një lajm që ju mund të përfshiheshit në politikë. Është përfolur ideja që ju mund të kandidonit si kryetar i PD-së, madje thuhej do ta marri a thua se partitë janë për blerje, por a keni menduar ndonjëherë të hyni në politikë?

Samir Mane: Në fakt në vitet e fundit s’kam menduar asnjëherë të jem pjesë e politikës. Padyshim politika është një gjë e mirë.

Blendi Fevziu: A ju intereson politika personalisht?

Samir Mane: E ndjek, e shoh, por vetëm nuk kam asnjë lloj ambicie për t’u përfshirë në politikë.

Blendi Fevziu: Nuk do të përfshihesh asnjëherë?

Samir Mane: Nuk do të përfshihem asnjëherë në politikë ose të paktën për momentin jo njëherë, nuk më thotë asnjë gjë politika, jam shumë i kënaqur me atë që krijoj për Shqipërinë, për rajonin, për vendet ku punoj.

Blendi Fevziu: Kush është biznesi më i mirë që mund të bësh në Shqipëri kur nuk je miliarder?

Samir Mane: Biznesi më i mirë padyshim është turizmi dhe çdo gjë e lidhur me turizmin.

Blendi Fevziu: Ju mendoni që turizmi afatgjatë do mbajë në Shqipëri?

Samir Mane: Afatgjatë do mbajë në Shqipëri, është një vend që nuk jemi të zhvilluar në turizëm, që ka shumë nevojë për gjithë sektorët e zhvillimit të turizmit dhe të gjithë derivatet e zhvillimit të turizmit, nga restorante, nga bare, nga lavanteria, plot e plot gjëra të tjera. Jam i sigurt që turizmi është gjëja më e mirë dhe industria më e mirë që do kenë shqiptarët për 10 vitet e ardhshme.

Blendi Fevziu: Shumë veta pretendojnë që të gjitha kursimet e tyre ose sa lekë kanë mënjanë, t’i hedhin në pasuri të patundshme. Pra duke blerë pallate. Ndërkohë ka një ankth të madh që çmimet mund të vijnë duke rënë në Shqipëri ose që mund të bjerë në një kolaps ndërtimi. Çfarë shansesh ka?

Samir Mane: Unë nuk besoj që turizmi ose pronat në bregdet do bien, ka një trend të studiuar të Kroacisë, Greqisë, Malit të Zi, ku pronat nuk kanë rënë në zhvillimet e turizmit.

Blendi Fevziu: Po në qytet?

Samir Mane: Në qytet padyshim që varet nga projekti, por deri tani kanë rezultuar mirë. Unë vetë nuk kam.

Blendi Fevziu: Ndërsa në turizëm ju thoni që nuk ka pasur dështime as Kroacia, as Greqia, as Mali i Zi. Si janë raportet e pronave në Shqipëri në raport me këto vende?

Samir Mane: E njëjta pronë, me të njëjtën largësi nga deti, me të njëjtën pamje nga deti, me të njëjtat fasilitete, në Shqipëri është diku te 50% më lirë. Duke nisur nga këto parametra.

Blendi Fevziu: Cilat janë problemet që po krijohen me Trump-in? Nuk  po kuptojmë dot, sidomos ne që nuk merremi me ekonominë se çfarë po  ndodh realisht. Çfarë po ndodh me presidencën e Trump?

Samir Mane: Ka  njoftuar tarifat e reja, ekuivalente që do të thotë se në qoftë se unë të vë doganë për këtë ujin 37%, do të merret 37%. 

Blendi Fevziu: Pra po bën një lloj reciprociteti?

Samir Mane: Reciprociteti.

Blendi Fevziu: Po pse deri tani Europa i kishte vënë tarifa të larta SHBA-së dhe SHBA-ja jo Europës? 

Samir Mane: Kanë qenë modele të ndryshme të cilat padyshim jo vetëm Europa, por edhe Amerika, Kina, kanë qenë modele të ndryshme. Kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta sepse konsumatori amerikan do të blejë më lirë, me atë dollarin e vet do të blejë më lirë dhe e vetmja mundësi që të blejë më lirë është që të ketë tarifa të ulëta importi. Ndërkohë kjo ndoshta nuk ndihmon ekonominë amerikane për t’u zgjeruar sepse pse do të më vësh doganë dhe mos të të vë unë si për të thënë. Padyshim që kjo i ka luhatur tregjet.

Blendi Fevziu: Kush e pëson më shumë, Europa apo SHBA?

Samir Mane: Kjo është një pyetje shumë e vështirë, ngelet për t’u parë, nuk ka specialist në planet që ta thotë ekzaktësisht  si shkon.

Blendi Fevziu: Ndërkohë Trump ka vendosur tarifa  për gjithë vendet, Shqipëria ka tarifën më të ulët që  ka aplikuar, 10%.

Samir Mane: Pak eksporte kemi në Shqipëri, më duket se bimët medicinale dhe natyrisht që unë besoj që ka filluar nga sot, por besoj që do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, një negocim i drejtpërdrejtë me secilin shtet të Amerikës, të vë 10%, më vër 10%, ta bëj 0, ma bëj 0. Sot pashë Vietnamin që ishte një nga shtetet. Kjo mund të ketë një ndikim tjetër në tregun shqiptar që për shkak të kapaciteteve të mëdha prodhuese të Lindjes së largët si Kina e Vietnami të cilat prodhojnë shumë për Amerikë dhe në qoftë se këtë sasi që prodhojnë nuk mund ta shesin dot, mund të ulen çmimet e një pjese të madhe të produkteve në tregjet europiane.

Blendi Fevziu: Por gjithmonë jemi në kuadrin e “mund”.

Samir Mane: Mund sepse thashë, këtë nuk di ta kalkulojë asnjeri për momentin. Analizat janë nga më të çuditshmet, dikush thotë do të fitojë Amerika, dikush do të fitojë Europa, por ngelet për t’u parë.

Blendi Fevziu: A do ta çorodisë pak sistemin botëror kjo gjë, të tregtisë?

Samir Mane: E ka bërë me thënë të drejtën. Humbja për 3 ditë e 9.5 trilionë dollarë të tregjeve financiare  padyshim që e ka bërë. Unë besoj që do të fillojë shumë shpejt stabilizimi, sidomos nëse kjo është e vërtetë që të negociojnë me secilin shtet më vete.

Blendi Fevziu: Jeni duke ndërtuar hotelin e parë që nga Melia e deri në Sarandë, hotelin e parë brand name në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Samir Mane: E ndërtojmë dhe do ta hapim diku në 1 Qershor të këtij viti, një hotel shumë i bukur.

Blendi Fevziu: Sa dhoma?

Samir Mane: 131 dhoma. Nga më të bukurit e Mesdheut.

Blendi Fevziu: Ku i gjeni punonjësit?

Samir Mane: Menaxherët janë të huaj sepse ai është në menaxhimin e Accorit, grupi i 3 më i madh i botës në menaxhimin e hoteleve. Kemi punëtorë shqiptarë, kemi punëtorë dhe të huaj të cilët do të jenë shumë shpejt të pranishëm në hapjen.

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH