Arte

Ekspozita “Kadare në artet figurative” në UET, Arif Lushi: I lumtur që pata fatin të pikturoj gjeniun e letrave

Shkruar nga Liberale

Ekspozita “Kadare në artet figurative” në UET, Arif Lushi:

Piktori Arif Lushi është i fundit artist që pikturoi Ismail Kadarenë gjatë një takimi, pak muaj para ndarjes nga jeta. Në ekspozitën “Kadare në artet figurative”, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, ai rrëfeu se në Labinot- Mal pati mundësinë jo vetëm të bënte drejtpërdrejt portretin e shkrimtarit, por edhe t’i rrëfente atij mbresat nga dy takimet e kahershme në ekspozita dhe evente të artit pamor.

Fjala e plotë

Kur gjendesh në të tilla ngjarje, të shkon në mendje të jesh mirënjohës. Dhe dua të falënderoj Henrin që më dha një mundësi të pikturoj drejtpërdrejt Kadarenë. Dje më doli një status në Facebook, që e kisha postuar para disa kohësh, ku shkruaja: “Dy penela në natyrë sa dy mijë në studio”. E përdorim ne në edukimin artistik. E ndjej vazhdimisht dhe është e brendshme, por edhe një ftesë që mbetet gjithmonë për talentet e reja, që nga klasikët deri te postmodernët të cilët gjithë ngjizjen emocionale, pavarësisht nga praktika, e marrin nga natyra.

Atë ditë në Labinot- Mal pata rastin t’i marr leje Kadaresë për pikturën dhe t’i shpreh mirënjohjen time duke i kujtuar takimet ndër vite. I kujtova takimin e parë kur isha fare i ri, sa kisha mbaruar shkollën e lartë, dhe po bëheshin këto promovimet e talenteve me një ekspozitë. I thashë se më tingëlloi i çuditshëm kur atëherë m’u shpreh: “Nuk marr vesh fare nga piktura”. E mora si të paqartë.

Momenti i dytë ka qenë kur isha në një pozicion pune në Galerinë e Arteve dhe Bashkim Ahmeti hapi një ekspozitë me 40 portretet e Kadaresë. E pa me vëmendje ekspozitën dhe tha: “Më duket sikur është tjetërkush në pikturë. Jo se më bezdis, por se si e ndiej”. I thashë se nuk dija si ta interpretoja, por “prej fjalës tënden zbulova se si njerëzit e mëdhenj e shikonin veten në raport me ekzistencën, universin. Nuk ka lidhje dhe piktura, por unë kam përfituar nga ti sepse më ka bërë përshtypje edhe në metamorfozën krijuese nëse jashtë ndodhte ajo që ndodhte këtu me Kadarenë". E ka shprehur thelbin e vet me fjalët: “Në një vend anormal u përpoqa të bëj letërsi. Ç’ kërkoni më shumë nga Kadareja?” Duhet t’i jemi mirënjohës që ka bërë një letërsi të mrekullueshme. Jam tejet i lumtur që këtë moment ia shpreha atij për letërsinë e madhe që ka bërë. Është një shembull i papërsëritshme dhe me gjenitë nuk ndodh që të vijnë edhe aq shpesh, jo vetëm në kombin tonë, për në përgjithësi. Vijnë në 100-200 vjet.

Ky ishte Kadareja në dimensionet e jetës reale që unë pata fatin ta takoj. Faleminderit që më ke lënë një shenjë në jetën time, që unë kam pikturuar gjeniun e letrave.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH