Pika turistike e Drilonit, nga viti 1964 kur shkonte Enver Hoxha të pushonte në shtëpinë e pushimit të Pogradecit, kthehej në një shtetrrethim.
Piktura “Nexhmija dhe Enveri në Drilon” është realizuar mjeshtërisht nga Vangjo Vasili, në një nga muajt e verës gjatë pushimeve të diktatorit me të shoqen. Kjo vepër artistike është përzgjedhur sot më 11 prill, 40 vjet nga vdekja e diktatorit Enver Hoxha.
Ndërkohë që Enveri në Pogradec gjatë pushimeve ruhej me siluruesë artilerie të rëndë dhe helikopterë luftarakë, qyteti liqenor në verë ngjante me një bazë ushtarake të fortifikuar. Turistët në Maqedoni nga dëshmitë e kohës ndodhte shpesh të trembeshin nga siluri luftarak që patrullonte në liqen dhe braktisnin pushimet në plazhet e shtetit fqinj.
Në vitin 1988 autori i saj Vangjo Vasili këtë pikturë ia ka shitur Kursit të Partisë së Punës në Pogradec. Piktura qëndroi e vendosur në pjesën ballore të murit në hyrje të bibliotekës së kursit të Partisë së Pogradecit deri në përmbysjen e regjimit.
Drejtoresha e kursit të Partisë së asaj kohe Violeta Vesho e cila ruajti në një dosje tha se piktori kishte marrë 5 mijë lekë (të vjetër) të asaj kohe prej saj për blerjen e pikturës madje ajo në dokumentat e inventarit që ka ruajtur në shtëpi ka edhe faturën që ka blerë pikturën “Nexhmija dhe Enveri në Drilon“ prej Vangjo Vasilit. Kjo pikturë është marrë sërish në kursin e Partisë nga autori në vitin 1992 kur po ndërrohej sistemi, të cilën vendosi për ta rishitur.
Piktura qëndroi në një lokal të Pogradecit, ku edhe iu vendos çmimi 3.500 euro. Shumë nostalgjikë të diktatorit shkonin vetëm që të shihnin pikturën e famshme të diktatorit. Piktura u shit më vonë me çmimin e kërkuar. Blerësi kërkoi të mbetej anonim por sipas të dhënave bëhet fjalë për një turist nga Austria, me banim në Vjenë.