Suplementi “Leteratura” i dedikohet letërsisë shqipe, ku nëpërmjet rubrikave të ndryshme vijnë shkrimtarë, rrëfime, kritika, dhe çdo e re rreth autorëve shqiptarë.
Sot kopertina i dedikohet javës së librit, me një titull mjaft interesant dhe intrigues: "Panairi u mbyll. Çfarë mbeti pas feste?".
Menjëherë do të gjeni një shkrim nga Suela Mino, drejtoresha e UET Press e cila ndoqi nga afër Panairin e Librit.
Në shkrimin titulluar "Panairi i 15 vjetorit, një sukses i ri për UETPRESS", Mino shkruan: "Panairi i Librit është nga ato festat e traditës, ku të gjithë janë të mirëpritur, sepse të gjithë ‘kemi nevojë të gëzojmë’; pas kaq kohe të zymtë, në izolim dhe distancë, kemi vërtetë nevojë të gëzojmë. Por në festat tona të bukura të traditës, je i mirëpritur të bujtësh, i njohur a visitor i rastit, me ose pa një dhuratë për mikpritësit, e ke apo nuk e ke ‘terezinë e xhepit’. Këtu ndryshon panairi… sepse në panair nuk feston dot ‘me duart në xhepa’…"
Më pas do të lexoni një Recensë nga Dr. Eri Rusi titulluar: "Kërkimi, bindja dhe shija në "Ditën e re" të Nikos Chrysos".
"Një ditë e re, një jetë melankoli, e lexuesi shijon zgjimin si i sapodalë në botë, ku ajo që mbahet mend e turbull kujtohet, turbull mjafton për të marrë shkak rrëfimi, përsëri. Koha asnjëherë nuk është lineare, por e lakuar. Personazhet nuk zhduken, por ridalin në sipërfaqe. Sikundër ndjesitë dhe dhimbjet e thella, që kujtojmë se nuk i mbajmë më brenda nesh", shkruan autori.
Dhe për ta mbyllur me "Doni’s review"-"Shënime mbi “Të Lirë” të Lea Ypit", një shkrim nga Liridon Mulaj.
"Lea e vogël, e cila mendoi se u rrit në fundin e historisë, me gjasë dëshironte të mbetej e vogël përgjithmonë, bash në prag të asaj të vërtete që nuk do të donte ta kishte mësuar kurrë, asaj të vërtete që ia veniti imazhin e lirisë.", shkruan Mulaj.
Për të mësuar më tepër lexoni suplementin “Leteratura” në Gazetën Liberale sot dhe çdo të hënë. /Gazeta Liberale