Komuniteti më i madh i hakerëve në botë Anonymous ka nisur një "luftë" me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Në muajin dhjetor të 2022 ata i kanë tërhequr vëmendjen presidentit, duke i kërkuar t'iu japë fund tensioneve në Veri të Kosovës, pas vendosjes së barrikadave që mbajtën të bllokuar për ditë të tëra disa rrugë që të çonin në pikat kufitare me Serbinë.
Përgjigjja e Vuçiq ka qenë ironike dhe tallës. Duke postuar disa foto në Instagram teksa luan me qen, ai shkruan: "Ne po përgatitemi të luftojmë Anonymous".
Kjo nuk e ka kënaqur aspak grupin e hakerave, të cilët kanë kaluar në veprim. Disa orë më parë ata kanë lajmëruar nisjen e një operacioni #OpSerbia, që synon goditjen e web-ve qeveritare, njëjtë siç kanë bërë me Rusinë dhe Iranin.
"#Anonymous ka lançuar #OpSerbia duke hequr shumë uebfaqe qeveritare gjatë ditëve të fundit. Synimi i infrastrukturës qeveritare. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dëshiron një luftë, atëherë një luftë po i afrohet.
Ndaloni destabilizimin e rajonit dhe ndaloni mbështetjen e #Rusisë. Na prisni!" thuhej në postimin e tyre në Twitter.
Rreth një orë më parë ata kanë hakëruar faqen e ushtrisë serbe, ndërsa mesazhi i tyre është i qartë: "Nëse ai dëshiron të luajë me zjarrin, atëherë le të fillojmë"./Liberale.al