Aktualitet

Kur UET vlerësonte me “Honoris Causa” Fatos Nanon: Më shumë partneritet mes politikës dhe botës akademike

Shkruar nga Liberale
Kur UET vlerësonte me “Honoris Causa” Fatos Nanon: Më

Ai besonte se vendimmarrjet racionale mund të realizoheshin vetëm nëse politika do të krijonte partneritet me botën akademike. Madje, për politikanin dhe ish-kryeministrin Nano një bashkëpunim i tillë ishte i domosdoshëm. Kështu shprehej ai, në fjalimin e rastit pas nderimit me titullin “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti Europian i Tiranës, në tetor të vitit 2012.

Si një figurë që mishëronte lidhjen mes politikës dhe botës akademike në karrierën e tij, Fatos Nano e dinte mirë se partneriteti mes të dyjave, do të ofronte një politikë më të qetë e do t’i vinte në ndihmë integrimit dhe zhvillimit të vendit.

UET e vlerësoi ish-kryeministrin, ish-liderin dhe një prej themeluesve të Partisë Socialiste për kontributin si reformator në politikë, hapjen e vendit, decentralizimin e tregut, duke qenë në të njëjtën kohë një promotor i fuqishëm i liberalizimit ekonomik si dhe në veçanti për mbështetjen ndaj arsimit të lartë privat.

“…përfaqësuesit e ndryshëm, jo vetëm politikë, duhet të integrohen dhe të kontribuojnë në realizimin e aspiratave kombëtare për zhvillim dhe integrim…Besoj se kjo do të ndihmonte, jo vetëm botën akademike, të bëhej më e spikatur dhe më frytdhënëse, më afër vendimmarrjes dhe zgjidhjes së sfidave kombëtare, por jam i bindur që kjo do të ndihmonte dhe kritikën që të rritej, të vlerësohej dhe të stabilizohej si një profesion i vështirë, që kërkon kualifikime dhe aftësi partneriteti me të gjithë faktorët,” – shprehej ish-kryeministri dhe kryetari i parë i Partisë Socialiste.

Sipas tij, zgjedhjet në Shqipëri “janë tmerrësisht emocionale” ndaj partneriteti mes politikës dhe botës akademike është i domosdoshëm për të pasur “vendimmarrje racionale”.

Fatos Nano ishte kryeministër i Shqipërisë, atëkohë ende republikë socialiste, kur mori vendimin ta çonte vendin në zgjedhjet e para pluraliste më 31 mars të 1991, pas më shumë se 45 vitesh diktaturë.

Me formim akademik në ekonomi, vlerësuar me tituj edhe nga dy universitete italiane, ai ka shërbyer si kryeministër edhe në periudhat 1997-98 dhe 2002-2005.

Njohësit e politikës shqiptare e konsiderojnë si “themeluesi i institucionit të dorëheqjes” për faktin se gjatë karrierës së tij ka dhënë tri herë dorëheqje si kryeministër dhe dy herë dorëheqje si kryetar partie.

Zyrtarisht Nano u tërhoq nga politika pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH