Aktualitet

Kontrolle të makinave jo vetëm tek kolaudimi, por dhe në rrugë

Shkruar nga Liberale
Kontrolle të makinave jo vetëm tek kolaudimi, por dhe në

Një udhëzim i ri për qarkullimin e automjeteve dhe mjeteve i publikuar në Fletoren Zyrtare, parashikon që krahas kontrollit teknik, të ketë edhe kontrolle të rastësishme në rrugë. Ministritë përkatëse, ajo e Transporteve dhe e Brendshme, e motivojnë vendimin për dy arsye; rritjen e sigurisë rrugore dhe pakësimin e ndotjes së ambienteve.

Në vendim janë përcaktuar të gjitha mjetet përkatëse dhe nisin nga ato mjete motorike me shpejtësi mbi 25 km në orë, ndërsa do të kontrollohen në rrugë të paktën 5 mjeteve që qarkullojnë në vendin tonë për çdo vit. Mjetet që do të përzgjidhen janë ato me rrisk të lartë rreziku për sigurinë rrugore ose për mjedisin.

Më poshtë, po sjellim një pjesë të udhëzimit:

Fusha e zbatimit

Ky udhëzim do të zbatohet për mjetet rrugore me motor, me një shpejtësi të projektuar më shumë se 25 km/orë, të kategorive të mëposhtme:

a) mjete të projektuara dhe të ndërtuara, kryesisht për transportin e njerëzve dhe të bagazheve të tyre, me më shumë se nëntë ndenjëse, duke përfshirë edhe ndenjësen e drejtuesit të mjetit – kategoritë e mjeteve M2 dhe M3;

b) mjete të projektuara dhe të ndërtuara kryesisht për transportin e mallrave dhe që kanë një peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 3,5 tonë – kategoritë e mjeteve N2 dhe N3;

c) rimorkiot e projektuara dhe të ndërtuara për transportin e mallrave ose të njerëzve, si dhe për akomodimin e njerëzve, me një masë maksimale më të madhe se 3.5 tonë –kategoritë e mjeteve O3 dhe O4;

d) traktorë me rrota të kategorisë T5, përdorimi i të cilëve bëhet kryesisht në rrugë publike, për qëllime të transportit rrugor të mallrave, me një shpejtësi maksimale të projektuar më shumë se 40 km/orë.

Përzgjedhja e mjeteve për kontroll teknik fillestar në rrugë

Kur identifikohen mjete që do t’i nënshtrohen një kontrolli teknik fillestar në rrugë, inspektorët mund të përzgjedhin si prioritet, mjetet e operuara nga ndërmarrjet me profil të lartë rreziku. Mjetet, gjithashtu mund të përzgjidhen rastësisht për kontroll ose kur ekziston dyshimi se mjeti paraqet rrezik për sigurinë rrugore ose për mjedisin.

Përmbajtja dhe metoda e kontrolleve teknike në rrugë

Autoriteti kompetent garanton që mjetet e përzgjedhura në përputhje me nenin 9, i nënshtrohen një inspektimi teknik fillestar në rrugë.

Në çdo kontroll teknik fillestar në rrugë të një mjeti, inspektori:

a) do të kontrollojë certifikatën më të fundit të kontrollit teknik dhe raportin e kontrollit teknik në rrugë, kjo e fundit kur është në dispozicion, të mbajtura në bord ose dëshmi elektronike të tyre në përputhje me nenin 7, pika 1;

b) do të kryejë një vlerësim vizual të gjendjes teknike të mjetit;

c) mund të kryejë një vlerësim vizual të sigurimit të ngarkesës së mjetit, në përputhje me nenin 13;

d) mund të kryejë kontrolle teknike me çfarëdo metode që konsiderohet e përshtatshme. Kontrollet e tilla teknike mund të kryhen në mënyrë që të arsyetohet një vendim për t’i kryer mjetit një kontroll më të detajuar në rrugë ose që të kërkohet që defektet të korrigjohen pa vonesë në përputhje me nenin 14, pika 1.

Inspektori verifikon nëse ndonjë mangësi e treguar në raportin e mëparshëm të kontrollit teknik në rrugë është korrigjuar.

Në bazë të rezultatit të kontrollit teknik fillestar, inspektori vendos nëse mjeti ose rimorkioja e tij duhet t’i nënshtrohen një kontrolli teknik më të detajuar.

Një kontroll teknik më i detajuar në rrugë do të mbulojë ato elemente të renditura në aneksin II, që konsiderohen të nevojshme dhe të bazuara, duke marrë parasysh në veçanti sigurinë e frenave, gomave, rrotave, shasisë dhe ndikimit të zhurmave në mjedis dhe metodat e rekomanduara të zbatueshme për kontrollin e këtyre elementeve.

Kur certifikata e kontrollit teknik ose raporti i kontrollit teknik në rrugë tregon se kontrolli i njërit prej elementeve të listuara në aneksin II është kryer gjatë tre muajve të mëparshëm, inspektori nuk e kontrollon atë element, përveç rastit kur një kontroll i tillë justifikohet për shkak të një defekti të dukshëm.

Objektet ku kryhet kontrolli teknik

Një kontroll teknik më i detajuar në rrugë, të kryhet duke përdorur njësi të lëvizshme kontrolli ose një objekt i posaçëm kontrolli në rrugë ose në një qendër kontrolli teknik, kjo e fundit, siç referohet në legjislacionin përkatës.

Kur një kontroll më i detajuar duhet të kryhet në një qendër kontrolli ose në një objekt të posaçëm kontrolli në rrugë, ai duhet të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur në një nga qendrat ose objektet praktikisht më të afërta.

Njësitë e lëvizshme të kontrollit dhe objektet e posaçme të kontrollit në rrugë duhet të përfshijnë pajisjet e përshtatshme për kryerjen e një kontrolli teknik më të detajuar në rrugë, duke përfshirë pajisjet e nevojshme për të vlerësuar gjendjen e frenave dhe efikasitetin e frenave, drejtimin, suspensionin dhe ndikimin e zhurmave në mjedis të mjetit sipas kërkesave. Aty ku njësitë e lëvizshme të kontrollit ose objektet e posaçme të kontrollit në rrugë nuk përfshijnë pajisjet e kërkuara për të kontrolluar një element të treguar në një kontroll fillestar, mjeti duhet të drejtohet në një qendër kontrolli ose në një objekt ku mund të kryhet një kontroll më i detajuar i atij elementi.

Vlerësimi i defekteve

Për çdo element që duhet të kontrollohet, aneksi II jep një listë të defekteve të mundshme dhe shkallën e seriozitetit të tyre për t’u përdorur gjatë kontrolleve teknike në rrugë.

Mangësitë e gjetura gjatë kontrolleve teknike në rrugë të mjeteve duhet të kategorizohen në njërin nga grupet e mëposhtme:

a) defekte të vogla që nuk kanë efekt të rëndësishëm në sigurinë e mjetit ose ndikim në mjedis, dhe mospërputhje të tjera të vogla;

b) defekte të mëdha, që mund të dëmtojnë sigurinë e mjetit ose të kenë ndikim në mjedis ose të rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës ose mospërputhje të tjera më të rëndësishme;

c) defekte të rrezikshme, që përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm për sigurinë në rrugë ose që kanë ndikim në mjedis.

Një mjet që ka defekte që kategorizohen në më shumë se një nga grupet e defekteve të përmendura në paragrafin 2, do të klasifikohet në grupin që korrespondon me defektet më serioze. Një mjet që tregon disa defekte brenda të njëjtave fusha kontrolli, siç është përcaktuar në objektin e kontrollit teknik në rrugë, të përmendur në pikën 1 të aneksit II, mund të klasifikohet në grupin tjetër me defekte më serioze, nëse konsiderohet se efekti i kombinuar i këtyre defekteve rezulton në një rrezik më të lartë për sigurinë në rrugë.

Kontrolli i sigurimit të ngarkesave

Gjatë një kontrolli në rrugë, një mjet mund t’i nënshtrohet një kontrolli të sigurimit të ngarkesës së tij, në përputhje me aneksin III, me qëllim të garantohet që ngarkesa është siguruar në mënyrë që të mos pengojë në drejtimin e sigurt ose që të paraqesë kërcënim për jetën, shëndetin, pronën ose mjedisin. Kontrollet mund të kryhen për të verifikuar që gjatë të gjitha llojeve të operimit të mjetit, duke përfshirë situatat emergjente ose manovrat e ngjitjes në të përpjetë:

– ngarkesat ndryshojnë vetëm minimalisht pozicionin e tyre, në lidhje me njëra-tjetrën, kundrejt mureve ose sipërfaqeve të mjetit; dhe

– ngarkesat nuk mund të lënë hapësirën e ngarkesës ose të lëvizin jashtë sipërfaqes së ngarkesës.

Pa cenuar kërkesat e zbatueshme për transportin e kategorive të caktuara të mallrave, të tilla si ato të përfshira në Marrëveshjen Evropiane për Transportin Ndërkombëtar Rrugor të Mallrave të Rrezikshme (ADR) dhe legjislacioni tjetër për mallrat e rrezikshme, sigurimi i ngarkesave dhe kontrolli i sigurimit të ngarkesës mund të kryhet në përputhje me parimet dhe, sipas rastit, standardeve të përcaktuara në seksionin I, të aneksit III. Mund të përdoret versioni i fundit i standardeve të përcaktuara në pikën 5, të seksionit I, të aneksit III.

Procedurat për t’u ndjekur të përmendura në nenin 14 mund të zbatohen edhe në rast të defekteve të mëdha ose të rrezikshme që lidhen me sigurimin e ngarkesave.

Personeli i përfshirë në kontrollin e sigurimit të ngarkesës të trajnohet në mënyrë adekuate për këtë qëllim.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH