
Organizata shqiptaro-amerikane nga pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara i dërguan të martën një letër Presidentit Joe Biden, ku shprehën shqetësimin për veprimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe kërkuan që SHBA dhe BE-ja të marrë masa kundër presidentit të saj, Aleksandar Vuçiç.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga kërcënimi i vazhdueshëm që paraqet Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç ndaj Kosovës dhe popullit të saj”, thuhet në letrën e nënshkruar nga rreth 90 shoqata dhe grupe shqiptaro-amerikane, të një spektri të gjerë.
Nënshkruesit e letrës i kërkojnë presidentit Biden një takim për të diskutuar për gjendjen e krijuar.
Letra drejtuar presidentit Biden merr shkas kryesisht nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë në pjesën veriore të Kosovës, ku humbi jetën një oficer policie, si edhe nga grumbullimin e madh ushtarak nga Serbia në kufirin me Kosovën, që vetë Shtëpia e Bardhë e quajti “të pashembullt”, duke bërë thirrje Beogradit për tërheqjen e trupave nga kufiri.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby tha të martën se Serbia ka filluar tërheqjen e këtyre forcave.
“SHBA dhe BE duhet të marrin masa ndaj presidentit Vuçiç dhe të mos ta lejojnë atë të nxisë dhunën, të armatosë terroristët dhe të kërcënojë fqinjët e tij. Serbia nuk mund të mbetet anëtare e komunitetit perëndimor duke mbajtur njëkohësisht lidhje të ngushta me Rusinë”, thuhet në letër.
Aktivistët shqiptaro-amerikanë vënë në dukje lidhjen e veçantë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
“Si shqiptaro-amerikanë krenarë, ne vlerësojnë thellësisht mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër, por shtohet se ky komunitet është i shqetësuar për rolin e Serbisë duke i quajtur veprimet e saj si “një rrezik të qartë dhe të pranishëm ndaj popullit, sigurisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, shkruan VOA.
Në letër përmendet fakti që nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiç, e pranoi publikisht se drejtoi operacionin e 24 shtatorit, së bashku me Bojan Mijailoviçin, një truprojë i ministrit të Brendshëm Aleksander Vulin, i cili është sanksionuar nga Departamanti i Thesarit i SHBA-së, për krim të organizuar, operacione të paligjshme lidhur me narkotikë dhe lehtësimin e aktiviteteve keqdashëse të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.