
Dr. Erjon Curraj*
Bashkimi Europian prezantoi vizionin e tij për Dekadën Digjitale të Europës për vitin 2030. Europa synon të fuqizojë bizneset dhe qytetarët drejt një të ardhme digjitale të përqendruar tek njeriu, të qëndrueshme dhe me prosperitet për të gjithë. Në një event dy ditor online (1 dhe 2 qershor) u shpalos jo vetëm vizioni, por edhe objektivat konkretë të vendeve të BE-së lidhur me transformmimin digjital duke marrë parasysh ndryshimet rrënjësore në kushtet e post COVID19 në shoqëri, ekonomi, arsim, shëndetësi e të gjitha fushat e jetës. E ndoqa këtë ngjarje me shumë kureshtje dhe interes dhe pata mundësinë të ftoja dhe studentë të mi të Kolegjit Profesional të Tiranës në kuader të Modulit Jean Monnet të mbështetur nga Programi Erasmus+ për tu bërë pjesë e një agore të madhe online ku reflektohej edhe rreth impaktit të digjitalizimit dhe mënyrës sesi duhet të përgatiten qeveritë dhe aktorët e tjerë shoqërorë.
Vizioni i BE-së për dekadën digjitale 2030 mbështetet në katër shtylla kryesore: Aftësitë, Qeveritë, Infrastruktura dhe Biznesi. Sa i takon aftësive, BE-ja synon që deri në 2030 të ketë rreth 20 million specialitë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit duke nxitur pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në TIK si dhe të paktën 80% e popullsisë në BE të ketë aftësi digjitale bazike. Së dyti, sa i takon qeverive fokusi ëshë tek digjitalizimi i shërimeve publike me synimin që deri në 2030, 100% e shërbimeve të jenë online dhe 100% e qytetarëve të aksesojnë e-shëndetësia. Një objektiv tjetër është që 80% e qytetarëve në BE të përdorin identitetin digjital. Ndërkohë sa i takon infrastrukturës, fokusi është tek rrjeti 5G për të gjithë dhe gigabit për të gjithë si dhe tek rritja e peshës së BE-së në prodhimin e shërbimet teknologjike të avancuara si dhe në sigurinë e të gjithë infrastrukturës digjitale. BE-ja synon të ketë ndërtuar kompiuterin e parë me përshpejtues kuantikë. Së katërti, sa i takon transformimit digjital të bizneseve, BE-ja synon që deri në 2030, 75% e kompanive në BE të përdorin Cloud/AI/BigData dhe të mbështesë start- up dhe dyfishojë investimet për EU Unicorns. Sa i takon sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME), BE-ja synon që të paktën 90% e tyre të kenë nivel bazik të intensitetit digjital.
Gjatë eventit, u shtruan dhe u diskutuan pyetje themeltare si Cila duhet të jetë e ardhmja e digjitalit në Europë? Cilat duhet të jenë synimet tona të vitit 2030 kur bëhet fjalë për transformimin digjital? Si mund të sigurohemi se i përmbushim objektivat tona me në qendër njeriun?
Ajo çka ishte me shumë interes gjatë eventit prezantues #EUDigital2030 kishte të bëntë me reflektimet e aktorëve të ndryshëm (politikëbërës, sipërmarrje, shoqëri civile, akademi) rreth impaktit të digjitalizimit dhe Inteligjencës Artificiale duke u ndalur tek qytetaria digjitale, pra parimet dhe të drejtat e qytetarëve në botën digjitale. BE-ja po ndërton një kornizë të parimeve digjitale që do të ndihmojë në promovimin dhe përkrahjen e vlerave të BE-së në hapësirën digjitale.
Së pari, të drejtat digjitale përfshijnë elementë si: Liria e shprehjes, përfshirë qasjen në informacione të ndryshme, të besueshme dhe transparente; Liria për të krijuar dhe drejtuar një biznes në internet; Mbrojtja e të dhënave personale dhe privatësisë; Mbrojtja e krijimit intelektual të individëve në hapësirën online. Ndërkohë që parimet digjitale përfshijnë: Një mjedis i sigurt dhe i besueshëm në internet; Edukimi dhe aftësitë universale digjitale; Aksesi në sistemet digjitale dhe pajisjet që respektojnë mjedisin; Shërbime publike të aksesueshme me në qendër qytetarin; Parimet etike për algoritmet me në qendër njeriun; Mbrojtja dhe fuqizimi i fëmijëve në hapësirën online; Aksesi i plotë në shërbimet digjitale të shëndetit.
Këto parime dhe të drejta duhet të udhëzojnë qeveritë, bizneset dhe aktorë të tjerë në ndërtimin e shërbimeve apo zgjidhjeve të ndryshme digjitale si dhe të shërbejnë për të monitoruar ndikimin e digjitalizimit duke marrë parasysh efektet negative apo risqet që lidhen me teknologjitë e avancuara si AI (Inteligjenca Artificiale).
Kështu, në zbatim të këtij vizioni për 2030, u prezantua Programi Digjital për Europën (DIGITAL) si një program i ri financimi i BE-së me rreth 7.5 Bilion Euro që sjell teknologjinë digjitale tek bizneset, qytetarët dhe administrate publike për shërbimet. Ky program do të adresojë sfidën sesi Europa mund të bëhet më e gjelbërt dhe më digjitale në këtë dekadë deri në 2030.
Pavarësisht se Shqipëria nuk mund të krahasohet në këtë aspekt me BE-në apo vendet anëtare, mendoj që një diskutim dhe reflektim i tillë është i nevojshëm edhe në Shqipëri. Në kushtet kur teknologjia digjitale dhe infrastrukturat e avancuara teknologjike luajnë një rol kritik në jetën tonë private, por edhe në biznes, arsim, shëndetësi, transport e shërbime publike si dhe në çdo fushë tjetër, na duhet një vizion i përbashkët për këto zhvillime që po ndodhin me shpejtësi. Gjithashtu, duke pasur parasysh edhe transformimin digjital të përshpejtuar nga kriza e COVID-19 dhe synimin e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian, ne si shoqëri duhet të angazhohemi për të dialoguar dhe vepruar rreth të ardhmes digjitale për gjeneratën e re. Strategjia Kombëtare e Shqipërisë për Shoqërinë e Informacionit dhe Digjitalizimin ka përfunduar në 2020 dhe kështu jemi në një moment të mirë për të nisur këtë proces. Akademia, shoqëria civile, mediat, biznesi dhe qeveria duhet të vijnë së bashku në një dialog politikëbërës për të ravijëzuar vizionin për të ardhmen digjitale të Shqipërië, ndërlidhjen me Agjendën e BE-së; dhe impaktin që digjitalizimi ka duke konsideruar risqet dhe mundësitë.
Si Koordinator i Modulit Jean Monnet në Kolegjin Profesional të Tiranës (KPT), për promovimin e Agjendës Digjitale të BE-së në Shqipëri, si pedagog, si ekspert i digjitalizimit dhe së bashku me kolegë të tjerë nga KPT, SCiDEV dhe organizata e rrjete të tjera profesionistësh në Shqipëri, ne po punojmë për të promovuar të drejtat digjitale dhe aftësitë digjitale për grup mosha të ndryshme dhe për të ndërtuar bashkëpunime, sinergji dhe dialog rreth transformimit digjital dhe impaktit të tij në ekonomi, shoqëri, arsim, shëndetësi e fusha të tjera. Kjo është një ftesë për të gjithë aktorët që kanë rol e interes në këtë drejtim të ndërtojnë ura komunikimi dhe bashkëpunimi për Agjendën Digjitale të Shqipërisë drejt 2030.
*Ekspert i Transformimit Digjital dhe Koordinator i Modulit Jean Monnet në Kolegjin Profesional të Tiranës