Intervistë e shkrimtares Vera Bekteshi me gazetarin Mustafa Nano, emisioni “Arnautistan”.
M. Nano – Vera Bekteshi ka ardhur sot për romanin “Pusulla të verdha”, roman që ka fituar Çmimin “Kadare” 2022. Besoj që ky është çmimi më i rëndësishëm për letërsinë në Shqipëri.
V. Bekteshi – Është dhe Çmimi Kombëtar që jep Ministria e Kulturës, por Çmimi Kadare, i mbështetur nga Universiteti Europian i Tiranës, ka tashmë një traditë 7 vjeçare dhe një kontribut të rëndësishëm për letërsinë dhe autorët shqiptarë, nga një ent privat. Sikurse dhe mban emrin e shkrimtarit më të shquar të shqiptarëve, që i jep nder atij çmimi dhe neve që e marrim. Jam e nderuar të jem e para grua që e merr këtë çmim.
M. Nano – Është një libër që unë e kam lexuar. Ishte një roman të cilit i kapa thelbin. Ajo që më ka ngelur në mendje: Është një roman i veçantë, më pëlqen fakti që narratori flet në vetën e parë. Megjithëse ju jeni zonjë, narratorin e keni djalosh, është e vështirë?
V. Bekteshi– Është e vështirë të hysh në petkun e një djaloshi, por shumë para nesh e kanë bërë. Tolstoi, me figurën më të bukur femërore të Konteshës Rostova ka përshkruar të shoqen në rininë e saj. Ai nuk flet në vetë të parë; narratori në librin “Pusulla të verdha”është më i vështirë sepse të duhet të bëhesh krejtësisht djalosh dhe të shprehësh dëshirat dhe vuajtjet e tij, të djaloshit Verter, siç thotë Gëte.
M. Nano – Protagonisti i romanit është një djalosh, që në ndryshim nga të gjithë njerëzit që e rrethojnë, është me probleme shëndetësore. Një situatë tipike në botën e sotme. Ky djalosh është vendosur në një kontekst të caktuar të botës shqiptare. Në një moment të caktuar zhvendosemi nga Shqipëria për në Londër, ku dhe aty mbetet djalosh shqiptar i cili më pas kthehet...
V. Bekteshi – E kthejnë me zor...
M. Nano – Keni zgjedhur Londrën, të cilët shqiptarët e duan shumë...
V. Bekteshi – Londra është një qytet vibrues. Unë kam qenë dy herë aty, atmosferën angleze e njoh. Në Campden Town kam qenë vetëm katër orë. Sikur të kisha mundësitë që kanë shkrimtarët e huaj do të merrja një vizë, do të gjeja një vend për të ndenjur një javë. Megjithatë, tani na ndihmon shumë interneti.
M. Nano – Unë kam venë re që duhet të kesh lexuar shumë ose je konsultuar me doktorë...
V. Bekteshi – Absolutisht jo, nuk jam konsultuar me mjekë...
M. Nano – Në fund fare, librin ia keni dhënë një doktori?
V. Bekteshi – Thirra doktorë që të vinin në promovimin e librit, erdhën dy me të cilët darkuam e biseduam. Mirë është që ta lexojnë dhe ata, të gjithë prindërit, si dhe të gjithë ata që kanë të bëjnë me institucionet e shëndetit, sepse mund të bëjnë një skaner të këtij problemi, sikurse e bëri këto ditët e fundit këshilltari i Ministres së Shëndetësisë, që me kurajë dhe me shumë elegancë nxori të metat e sistemit tonë shëndetësor. Ai nuk e nxin situatën, ai është realist dhe besoj se do të thotë që nëse doni të shkoni në Evropë, gjithsecili duhet të kryejë mirë detyrën e tij. Dhe ky libër, siç mund ta keni vënë re, tregon se kudo ka njerëz që e bëjnë mirë detyrën e tyre dhe të tjerë që nuk e bëjnë. Do doja që së pari të jetë një libër emancipues, që do të thotë të gjithë të luftojnë për të përmirësuar shëndetin, por në radhë të parë kjo është një thirrje për ata që e kanë në dorë për ta përmirësuar këtë gjë, mjekët, infermierët, sanitarët, por dhe ata që drejtojnë shtetin.
M. Nano – Nuk e keni ndjerë nevojën për t’u konsultuar me një mjek?
V. Bekteshi – Kam lexuar shumë dhe kam vrojtuar shumë. Në fjalën që mbajta ditën që mora Çmimin “Kadare”, tregova se që e re kam pasur një tërheqje fatale ndaj njerëzve ndryshe. Në lagje kemi pasur një njeri ndryshe, i cili kaloi një traumë, kur motra dhe vëllai iu vranë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në të njëjtën ditë. Si pasojë e kësaj, ai humbi të folurën. E çuan jashtë për vizitë sepse i përkiste një familje në gjendje të mirë, i ati ministër në kohën e Zogut; më pas i erdhi e folura, por mbeti një person ndryshe. Ishte padyshim me cilësi gjeniale dhe në atë kohë që google mungonte, ne shkonim e pyesnim për çdo gjë. Ai ishte google i kohës sonë. Këta njerëz kanë hera herës kthjelltësi dhe forcë manipuluese shumë të madhe. Por deluzionet (fiksimet) ata nuk i heqin dot. E dërguan për shërim në Kinë, nga u kthye plotësisht i shëruar,sipas mjekëve, por e ëma në astarin e valixhes i gjeti të shkruara prej tij një material me parashikimet e të gjitha komploteve që do të ‘zbulonte’ diktatori. Dhe të gjitha u realizuan në vitin e parashikuar prej tij.
M. Nano- si ka mundësi?
Sepse ai dinte të bënte analizën politike dhe të kuptonte situatën më mirë se kushdo. Më kanë tërhequr gjithmonë njerëzit me inteligjencë sipërore dhe jeta më ka vënë gjithnjë pranë këtyre njerëzve, prandaj i njoh shumë mirë.
M. Nano – Në fakt dhe personazhi i librit është ndryshe, me një pafuqi shëndetësore. Unë do doja që Shqipëria të jetë e mbushur me njerëz të tillë, si personazhi yt.
V. Bekteshi – Ata janë‘puro’, të padjallëzuar...
M. Nano – Tek njerëzit ndryshe dhe me njerëz ndryshe, unë kam parasysh jo vetëm këtë kategori por njerëz ndryshe për arsye të ndryshme, ne i kemi parë si target të kollajtë...
V. Bekteshi – Për qesëndisje, ai që quhet sot bullizëm...
M. Nano – Ka qenë shumë i përhapur në kohën e komunizmit...
V. Bekteshi – Jo dhe aq, njerëzit kishin frikë atëherë. Tani është.
M. Nano – Regjimi nuk është se e luftonte bullizmin.
V. Bekteshi – Nuk kishte nevojë, sepse ishte autocensura. Këtë personazh dhe historinë e tij mund ta kisha përdorur si subjekt për një libër interesant, por nuk e bëra, sepse desha të flas për një të tillë në kontekstin e sotëm, sepse i dikurshmi ishte i rrethuar me dashuri nga e gjithë lagjja. Asnjeri nuk tallej me të.
M. Nano – Vera Bekteshi është një njeri ndryshe, apo je ndryshe në të qenit si gjithë të tjerët?
V. Bekteshi – Sa i përket ndjeshmërisë unë jam një njeri ndryshe, këtë tipar e kam si ata, p.sh kam filluar të vë re që nëse në televizor gatuhet diçka me rozmarinë unë ndjej aromën e rozmarinës. Këtë ia kam thënë Edison Ypit, të cilin e kam dëshmitar. Në përgjithësi kam parandjenja për të gjitha ngjarjet. Dhe për këtë libër... numri im është shtata, ky ishte edicioni i shtatë i Çmimit Kadare. Kisha një lloj bindjeje që do ta fitoja.
M. Nano – Ti më kujton një personazh romani,që kur fliste në telefon me njerëz u thoshte “ke ngrenë hudhër”...
V. Bekteshi – Jo nuk jam deri në këtë kategori, por ato gjëra që flas për personazhin tim, që aromat i vinin... ato më vinë mua. Jam shumë e ndjeshme ndaj zhurmave, aromave...
M. Nano – Personazhi i vuan shumë zhurmat që i vijnë nga jashtë dhe Shqipëria është një terror akustik, edhe për ata që janë solidë nga mendja.
V. Bekteshi – Drita na ka ikur nga ndërtimet, zhurma na është shtuar, po nga ndërtimet.
M. Nano – Më ka pëlqyer fakti që e ke veçuar këtë të zhurmave sepse është karakteristikë e botës sot, dhuna e zhurmave mbi psikikën e njerëzve.
V. Bekteshi – Njerëzit janë shurdhuar nga bombardimet...
M. Nano – Unë kam kaluar një kohë të madhe në komunizëm, nuk kam kaluar kalvarin tënd por kam jetuar në komunizëm. Mua më ka intriguar një pyetje: Ne jemi normalë?
V. Bekteshi – Ne,shqiptarët?
M. Nano – Ne, gjenerata jonë që ka kaluar një kohë të madhe në komunizëm. Çfarë impakti ka lënë tek ne?
V. Bekteshi – Padyshim ka lënë...
M. Nano – Për mirë apo për keq?
V. Bekteshi – Për keq sigurisht... Unë sapo jam njohur me një shkrimtare austriake që prezantoi librin në universitet tek dega e gjermanishtes. Ajo fliste shqip më saktë se unë dhe ju. Në kohën që në sallë flisnin gjermanisht, lexova tridhjetë faqe nga libri i saj. Ishte një roman familjar, me autoironi dhe shumë finesë, siç ajo kishte edhe figurën, vjeneze e vërtetë. Përveç të tjerash në libër flitej për gjyshin dhe gjyshen që kishin jetuar Luftën e Dytë Botërore dhe në të nëntëdhjetat ishin me Alzhaimer. Them se njerëzit që kalojnë trauma të mëdha ose që bëjnë jetë të dyfishtë, do kalojnë nëpër labirinte të tilla sepse nuk mund të jetë truri kaq i fortë. Pikërisht për këtë arsye, këshilltari i ministres së drejtësisë vinte theksin tek sëmundjet mendore. Në vitin 2050 do jenë sëmundjet kryesore në botë dhe për to duhet një investim shumë i madh. Pse tani, nga pandemia dhe lufta, mendoni se nuk do ketë pasoja?! Ukrainasit e kanë të dytën herë. Patën Çernobilin, tani kanë luftën... Ai popull i mrekullueshëm do të dalë i shkatërruar nga lufta. Do ta ndërtojnë vendin, por a do të rindërtojnë dot mendjet e njerëzve? A do të dalin këta njerëz nga labirinti i errët, siç del personazhi im? Personazhi im del se është i rrethuar me shokë dhe familjarë, sepse ka dëshirën të dalë, ka dëshirën të bëhet burrë. Herë thotë “sa i brishtë jam” dhe herë të thotë që ka besim se do dalë, por në pleqëri nuk del dot, të shteren forcat.
M. Nano – Romani mbyllet në një mënyrë shumë interesante dhe shumë befasuese. Gjatë gjithë romanit ne kemi një nënë që përkujdeset ashtu siç di ajo për djalin e saj, të cilin nuk e ka mirë me shëndet – e ka ndryshe. Në fund është nëna që sëmuret dhe djalit i del për detyrë dhe i vjen një urdhër nga brenda - fillon dhe i shërben nënës. Ndërrohen rolet, bëhet një nga rokadat më të rëndësishme. Prindërit plaken, kanë probleme më shumë se të rinjtë dhe të rinjtë kanë për detyrë t’u shërbejnë. E kam lexuar mirë Romanin?
V. Bekteshi - Ti shkruan vetë dhe nuk ka si të mos e lexosh mirë. Ti bën gjithmonë përroin e ndërgjegjes në librat e tu, edhe në këtë të Manastirit; më ka pëlqyer përroi yt i ndërgjegjes aty.
M. Nano – Sa mirë më vjen kur marr konsiderata të tilla për librin. The një gjë që unë e kam pasur si qëllim kur e kam shkruar atë libër, dhe kjo është kënaqësia më e madhe për një autor.
V. Bekteshi – Sot kam marrë recencën e parë nga e bija e Dhimitër Shuteriqit, e shoqja e Kiço Blushit dhe e ëma e Ben Blushit, Mira Blushi. E ka shkruar si një shkrimtare! Ajo nuk pati kohë të bëhej e tillë, sepse ishte mes shkrimtarëve të njohur. Nuk mund ta imagjinoni çfarë lumturie më ka dhënë. Fill mbas saj, Marjeta Larja më telefonoi duke thënë se e ka të vështirë të shkruaj, por dua të pi një çaj dhe të të them me gojë se çfarë tronditje dhe kënaqësie më ka dhënë ky libër.
M. Nano – Libri të ka lodhur kur e shkrove?
V. Bekteshi – Po më ka lodhur, kam katër vjet që e shkruaj, por ndërkohë nxora dhe një libër tjetër që fitoi çmimin e Karantinës.
M. Nano –Kur thua 4 vite, krijohet ideja që je marrë vetëm me këtë libër.
V. Bekteshi – Jo, jam marrë dhe me gjëra të tjera, por në duar e kam mbajtur katër vite. Nuk ishte aq lehtë për t’u shkruar. Në promovim kisha të pranishëm shokët e mi fizikanë; aty thashë se të shkruaje këtë libër ishte si të jepje provimin e fizikës kuantike, fizikës bërthamore dhe atomike dhe fizmatit (fizika matematike).
M. Nano – Preferon një mendje matematike apo një mendje poetike?
V. Bekteshi – Unë thashë që po të mos kisha dhënë këto katër provime, nuk do ta kisha shkruar dot këtë libër. Të hysh në mendjen e njeriut, më duket se duhet të kesh një lloj prirje drejt shkencave të sakta. Kur kam shkruar këtë libër, edhe pse nuk e kam thënë aty, kam pasur në mendje filmin Beautiful Mind që u dha para tre netësh dhe që e ndoqa për të satën herë. Zbulova gjëra që nuk i kisha vënë re përpara, sepse tani di shumë më tepër për njerëzit me mendje të mrekullueshme. Ja çdo të thotë leximi dhe marrja me një gjë në mënyrë sistematike; të bën që dhe në moshën time ti kuptosh gjërat më mirë se dhjetë vite të shkuara. Jo vetëm librat, por dhe filmat autor që kanë skenar të jashtëzakonshëm. Këtë radhë e kuptova më mirë se çdo herë tjetër atë film. Xhon Nesh, laureat i çmimit Nobel në ekonomi, del nga tuneli. Ai, në film po sigurisht edhe në zbulimin e tij, i shton dhe diçka tjetër ligjit të Adam Smith – nëse do të arrish rezultat, sipas të parit duhet të punosh vetëm për vete, sipas Nesh, duhet të konsiderosh edhe interesat e grupit, përndryshe arritja komprometohet. Për këtë zbulim në sferën e ekonomisë, ai mori çmimin Nobel, megjithëse vuante nga skizofrenia.
M. Nano – E kuptoj pse ju ka pëlqyer ky film, sepse Xhon Nesh është i ngjashëm me personazhin e këtij romani. Janë njerëz ndryshe që spikasin, megjithëse ka bullizma dhe shihen ndryshe nga shoqëria shqiptare, shihen me përbuzje dhe nuk janë të prirur t’i ndihmojnë.
V. Bekteshi – Xhon Nesh është i kategorisë së epërme. I biri i tij, që jetoi në periudhën kur shërimi ishte më i mundshëm dhe mjetet më të avancuara, nuk doli dot nga tuneli, sepse dalja nga tuneli është një proces vetmitar dhe ai nuk e pati forcën e të atit, ndoshta dhe fatin e tij. Kur mori çmimin Nobel, ai tha se ky është një çmim për dashurinë, e shoqja matematikane dhe ish studentja e tij, nuk e braktisi kurrë. Ata deri në fund ishin bashkë, edhe kur u vranë në aksident. Unë do të doja që ky të ishte mesazh i libriti: Njerëzit dalin nga gjendja vetëm kur rrethohen me dashuri, siç ishte Dhimoja i kohës së fëmijërisë sime, siç ishte Xhon Nesh, siç ishte francezja Marie Cardinal, libri i së cilës Fjalë për të thënë jepet në 150 kolegje dhe shkolla të larta amerikane. Kanë vënë këtë libër të rrëfyer personalisht nga një grua që diti të dalë nga tuneli edhe pse jo amerikane sepse mesa duket e kanë vlerësuar shumë lart librin e saj, që për mua është libri më i mirë i këtij lloji. Në të thuhen dy gjëra: Puna dhe Dashuria janë ato më të rëndësishmet në jetë. Ky njeri që unë tregoj, personazhi im, i lexon këta libra.
M. Nano – Në kopertinë ke vënë dy pusulla të verdha “Keep the faith” dhe “Sa te brishtë jemi”...
V. Bekteshi – Sting-u e ka thënë të dytën, atë të shkruar në shqip. Personazhi im ëndërron të bëhet këngëtar rroku dhe pusulla “Keep the faith” është vargu i Jon Bon Jovi, që do të thotë Ki Besim; është vargu ku Marini (personazhi i romanit) mbështetet për t’i dhënë forcë vetes, ndërsa në momentet kur kërkon ndihmë përdor vargun e Sting “Sa të brishtë jemi”. Kjo është lufta e çdo individi. Nëse çdo njeri nuk e kupton që ka dobësitë e veta dhe forcën për t’i mposhtur ato, nuk ecën përpara, nuk del nga gjendja.
M. Nano – Lexoni romanin e Vera Bekteshi “Pusulla te verdha”. Më vjen mirë që letërsisë shqiptare i ka ardhur një shkrimtare që peshon.