Kejsi Rizo
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) u themelua nga Konferenca Diplomatike e organizuar nga OKB në Romë, në verën e vitit 1998.
Në përfundim të punimeve të saj, më 17 Korrik 1998, u miratua Statuti i GJNP, i cili njihet me emrin Statuti i Romës. Ai ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2002. Themelimi i saj kurorëzon përpjekjet e vazhdueshme për krijimin e një mekanizmi me juridiksion penal ndërkombëtar të përhershëm. Qëllimi i krijimit është hetimi, gjykimi dhe dënimi i personave që kryejnë vepra penale ndërkombëtare të tilla si genocid, krime kundër njerëzimit, krime të luftës dhe krime të agresionit.
Ky mekanizëm ndërkombëtar origjinal ka në qendër të veprimtarisë një subjekt që është i tillë si në të drejtën e brendshme ashtu edhe në të drejtën ndërkombëtare: individin. Ai, si rregull, gjykohet nga gjykatat e shtetit shtetësinë e të cilit mban. Në funksion të këtij parimi ka lindur dhe instituti i ekstradimit. Në rastin e GJNP kemi një përjashtim nga rregulli: një juridiksion ndërkombëtar që gjykon dhe jo një gjykatë e zakonshme e një shteti apo një tjetër. Rrjedhimisht, ka lindur dilema nëse ka përplasje mes juridiksionit të GJNP dhe atij të gjykatave në rang ndërkombëtar, nëse kemi të bëjmë me shkelje të sovranitetit të shtetit, apo është një gjykim që përbën interes kombëtar dhe del jashtë kufijve të sovranitetit, e thënë ndryshe, jashtë kufijve të interesit të ngushtë të shtetit?
Përgjigja për çështje të tilla delikate nuk është e lehtë, sepse kjo do të kërkonte vendosjen dhe respektimin e një kufiri mes sovranitetit të shteteve dhe juridiksionit të GJNP-së. Siç u theksua, GJNP e ka filluar veprimtarinë e vet në vitin 2002. Ajo ka një ekzistencë relativisht të shkurtër, por erdhi në jetë pas përpjekjeve të shumta të bashkësisë ndërkombëtare për krijimin e mekanizmave ndërkombëtarë për gjykimin e veprave penale dhe vënien përpara përgjegjësisë ndërkombëtare penale të individëve janë të hershme.
Gjatë të dy luftërave botërore njerëzimi kaloi shumë vuajtje dhe pësoi humbje të panumërta materiale dhe në njerëz. Duhet vënë në dukje se sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, u vu re tentativa e drejtuesve të shteteve nazifashiste, autorë të krimeve masive kundër njerëzimit, për t’u “fshehur” pas sovranitetit të shtetit të tyre. Kjo ndodhte për arsye se në atë kohë jo vetëm që nuk ekzistonte një mekanizëm juridiko-ndërkombëtar penal i mirëfilltë, por sepse edhe kur shtrohej çështja që të viheshin përpara përgjegjësisë, ishte shteti ai që “gjykohej” dhe që “dënohej” duke qënë se me konceptin e atëhershëm të shtetit supozohej se ato krime ishin kryer në “emër të shtetit” dhe një nga parimet kryesore të së drejtës ndërkombëtare ishte “mosndërhyrja në punët e brendshme të shtetit”.
Në këto rrethana, shpesh komuniteti ndërkombëtar e ka pasur të vështirë të vepronte. Për pasojë, njerëzimi ishte i paaftë të parandalonte dhunimin e të drejtave të njeriut prej individëve të ndodhur në krye të shteteve. Kjo ishte një rrugë e cila nuk mund të vazhdonte gjatë duke qënë se, siç u përmend, filloi të abuzohej dhe të mos ekzistonte “frika” e ndëshkimit. Në këto kushte, i tmerruar nga brutaliteti gjithnjë në rritje si dhe “i zënë në kurth” nga kolapsi për shkak të barrierave ideologjike komuniteti ndërkombëtar nisi interesimin për të identifikuar dhe për të dënuar kriminelët që fshiheshin pas petkut të sovranitetit shtetëror. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, u morën masa për transferimin e përgjegjësisë nga shteti tek individi. Kështu individi, përveçse u vu në shënjestër të së drejtës ndërkombëtare, u vesh për të parën herë me petkun e subjektit të së drejtës ndërkombëtare, çka deri në atë kohë kishte qënë ekskluzivitet vetëm i shtetit dhe i organizatave ndërkombëtare. Deri në atë kohë ai kishte qënë vetëm objekt e si i tillë nuk kishte as të drejta e as përgjegjësi nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Hapi i parë serioz për të realizuar vënien përpara përgjegjësisë penale ndërkombëtare të individit, që çoi në krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, u ndërmorr pas LIB.
Ai ka të bëjë me një përpjekje që u bë për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale Kajzerin, kryetarin e shtetit gjerman, i cili iu shmang asaj duke u strehuar në Hollandë. Gjykata e mirëfilltë ndërkombëtare penale do të fillonte veprimtarinë e saj praktikisht pas LIIB, me krijimin e gjykatave Ad-Hoc të Nurembergut dhe të Tokios. Ato u krijuan me marrëveshje mes shteteve fituese në luftë, si reagim ndaj krimeve mizore të kryera prej Gjermanisë hitleriane dhe aleatëve të saj, duke pranuar parimin e “përgjegjësisë individuale”. Në vijim, në hartimin e Statutit të Romës u mbajt parasysh eksperienca dhe veprimtaria e dy gjykatave të sipërpërmendura.
Gjyqet e Nurembergut u zhvilluan në një hark kohor prej katër vjetësh (1945 – 1949). Gjatë kësaj periudhe u zhvilluan 12 gjyqe, më i famshmi prej të cilëve ishte gjyqi i parë ku u gjykuan 23 ndër figurat kryesore të regjimit nazist. Në 1947 Henri Donnedieli De Vabres, gjykatësi Francez në Gjykatën Kriminale të Nurembergut bëri propozimin për krijimin e një gjykate të përhershme. Puna për krijimin e kësaj gjykate nisi menjëherë. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ngarkoi Komisionin e së Drejtës Ndërkombëtare për të hartuar statutin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale sipas nenit VI të Konventës Kundër Genocidit, së bashku me “Parimet e Nurembergut” dhe “Kodin për Krimet Kundër Paqes dhe Sigurisë Ndërkombëtare”. Në vitin 1952 Asambleja e Përgjithshme themeloi një komitet me 17 përfaqësues të shteteve që do të vinin në ndihmë për hartimin e statutit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Në vitin 1954 Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare doli me projektin e parë duke bërë propozimin përkatës pranë Asamblesë. Për fat të keq puna për themelimin e GJNP-së u pezullua për shkak të ashpërsimit të Luftës së Ftohtë. Do të kalonin shumë vite, kur në vitin 1993 Asambleja e Përgjithshme iu rikthye sërish projektit të krijimit të një Gjykate Ndërkombëtare Penale. Ajo kërkoi zyrtarisht nga Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare hartimin e një statuti për GJNP. Në vitin 1994 u ngrit një Komitet ad-hoc për të rishikuar statutin e propozuar nga Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare. Ky Komitet asistohej dhe nga një komitet parapërgatitor që u mblodh tre herë në vitet 1996 – 1998, për të sqaruar çështje që kishin të bënin me statutin në fjalë.
Produkti final i punës së komitetit parapërgatitor i dalë në korrik të vitit 1998 përmbante rreth 1400 pika që parashtroheshin për diskutim lidhur me çështje që trajtoheshin në tekstin e statutit. Teksa njoftoi hyrjen në fuqi të statutit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, u shpreh se: “është një fitore e madhe për drejtësinë dhe për rendin botëror-një kthesë kundër sundimit të forcës dhe një rrugë e nisur drejt shtetit të së drejtës. Procesi nëpër të cilin po kalojmë shënon ndarjen përfundimtare me pamjen cinike të botës deri më sot, bazuar dhe në fjalët e Stalinit, sipas të cilit, një vdekje është një tragjedi ndërsa miliona vdekje janë statistikë.
Në fjalimin e tij, në dhjetor 1997 Louise Arbour, Prokuror në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Jugosllavi është shprehur se rekurset pranë një organizmi ndërkombëtar për çështjet penale do të bëhen për krime të “tmerrshme” të cilat nuk mund të gjykohen nga juridiksioni i autoriteteve kombëtare”. Lidhur me përgjegjësinë shtetërore në raport me atë individuale, shkak për të cilin u themelua GJNP, në doktrinën e së drejtës penale ekzistojnë tre teori: teoria që mbështet vetëm përgjegjësinë shtetërore; teoria që pranon ekzistencën e përgjegjësisë së përbashkët të shtetit dhe të individit dhe teoria që pranon se ekziston vetëm përgjegjësia penale individuale. Sipas teorive që mbështesin përgjegjësinë e shtetit dhe atë të përbashkët mes shtetit dhe individit, shteti nuk mund të lihet jashtë kuadrit të përgjegjësisë për arsye se ai është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe si i tillë mban përgjegjësi për çdo akt të kryer në emër të tij në shkelje të rregullave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
Mbështetësit e teorisë se përgjegjësia penale ndërkombëtare i takon vetëm individëve argumentojnë se: (1) shteti është një organizëm sovran dhe i pavarur i cili nuk mund të gjykohet nga asnjë organizëm tjetër, (2) në veprën penale të kryer “nga shteti” mungon faktori psikologjik si element i anës subjektive të veprës penale,(3) mungon baza ligjore për marrjen e shtetit në përgjegjësi penale dhe për aplikimin e sanksioneve ndaj tij, (4) GJNP në statutin e saj e përjashton shprehimisht mundësinë që në kategorinë e personave juridikë (që merren në përgjegjësi penale) të përfshihet dhe shteti. Me krijimin e gjykatave të sipërpërmendura për gjykimin e veprave penale përkatëse, është e qartë se praktika e së drejtës ndërkombëtare penale ka tendencën e sjelljes përherë e më shumë drejt teorisë së tretë, për gjykimin e indvidivëve në vend të shteteve. Kjo është diçka që theksohet në mënyrë të shprehur edhe në nenet 2519 e 2720 të Statutit të Romës, të cilët përcaktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë qëllimin thelbësor për të cilin është krijuar GJNP, duke parashikuar personin fizik si subjekt të procedimit penal ndërkombëtar si dhe duke sanksionuar mungesën e tolerimeve në përjashtime apo imunitet nga përgjegjësia penale ndërkombëtare për persona që gëzojnë një status të veçantë në jetën publike. /Liberale.al