Letërsi

Gjuha e lëvizshme, Babeli i prishur

Shkruar nga Liberale

Loer Kume

Një nga mitet më domethënëse dhe fenomenale (në kuptimin, fenomenologjike) që njeriu ka përdorur përgjatë rritjes së tij në shekuj, është miti i Kullës së Babelit. Njerëzit e brezave të pas përmbytjes së madhe në një qytet të quajtur Babel, vendosin të ndërtojnë një kullë të pafundme derisa të arrijnë parajsën, shtëpinë e qetë të zotit, Jehovait, Elohimit, a kushdo zoti që fshihej e shtrihej kokrraqejfazi në parajsë. Ky zot, sheh e ndjek me vëmendje situatën në Babel, kupton që bashkësia njerëzore me ritmin që po punonte, me shumë mundësi do arrinte parajsën, ndaj gjeti një mekanizëm ta frenonte këtë veprim. Njerëzit flisnin një gjuhë dhe puna shkonte fjollë, ndaj zoti vendosi t’ua prishte e përziente gjuhën e t’ua ngatërronte në shumë gjuhë të tjera. Kështu u bë, puna u ngatërrua gjithashtu, dhe rrëmuja pushtoi Kullën e Babelit, dhe njerëzit kurrë nuk arritën të përfundonin ngritjen e saj, e artriti i zotit Jehova Elohim mbeti i patrazuar shtrirë mbi retë e buta.

Me shumë mundësi, Babeli është një fillesë Babiloni ose një simbol mitik i Babilonisë, vendit e perandorisë ku për qindra e qindra vjet njerëzimi ngjitej e ngjitej në njerëzillëkun e tij më të mirë. E si referencë, zhvillimi njerëzor do vinte pikërisht nga ky lëmshi i madh emëruesi të përbashkët njerëzor që quhej Babiloni. Kjo me siguri, në kush e di se çfarë divane plakash babilonase, duke pirë kush e di se çfarë çajesh, bëri të lindte thashethemnaja e Kullës së Babelit. Uhh, andej nga Babilonia, çfarë nuk bëhet, po arrijnë zotin, si? Po ngrenë një kullë të lartë drejt qiejve.

Sidoqoftë, thënë ky aludim si ushtrim antropologjik, vijmë te mekanizmi që përdora. Thellë në thelb, brezi i rrëmujës nuk jemi ne, brezi im dhe i joti, si kam aluduar në Histori e Shkurtër e Rrëmujës, por paska nisur fill pas përzierjes së gjuhëve.

Njerëzimi i bërë një përmes gjuhës, njerëzit, duke folur një gjuhë, nuk kanë kufinj e mund të pushtojnë vetë qiellin. Komunikimi njerëzor sjell gjithë më të mirën njerëzore. Ajo çka njeriu ka më të mirë është, sigurisht përveç mendjes së tij, aftësisë për të qeshur e imituar, aftësisë unike për t’u habitur, është komunikimi. Dhe kulla e Babelit na rrëfen ç’mund të arrijmë ne si rracë, nëse komunikojmë. Mjafton të mendojmë çfarë ndryshimi ka pasur bota në 20 vjet telefon celular, Google, internet portabël, në rrjete sociale, në komunikim global. Sigurisht, bashkë me komunikimin rrjedh dhe budallallëku - Umberto Eko thoshte që rrjetet sociale i japin mundësinë çdo idioti të ketë audiencën e tij - sigurisht ka dhe shumë infektime në idiotësi, por e marrim të mirëqenë që mençuria njerëzore do të fitojë. Ndërkohë dua të bëj demarsh në logjikë, e të futem pak më shumë në mikro.

Jimmy Hendrix to the Tower of Babel, is a miracle, këndojnë Queen në këngën e tyre The Miracle. Freddie e adhuronte Hendrix, dhe besonte që ai ishte muzikanti dhe artisti perfekt. Ndaj ideja e Hendrix në majë të kullës së Babelit është simbolika e artistit që unifikon tërë njerëzimin.

Ku qëndrojnë muret?

Muzika është mjeti më unifikues në botë. Nuk kanë rëndësi fjalët. Dhe ne shqiptarët mund ta themi këtë më mirë se kushdo. Kemi dëgjuar çdo lloj muzike, që nga greke, sllave, italiane, e muzikën botërore në anglisht, duke adhuruar muzikantët, duke tundur kokën, ëndërruar, lumturuar, lundruar, fluturuar në tinguj. E pas kësaj, kemi mësuar fjalë e fjali anglisht, italisht, greqisht, serbisht, rumanisht, e kushedi sa gjuhë.

Por ky nuk është fenomen thjesht shqiptar - kurioz izolim hall. Edhe sot, grupi më i famshëm në botë, mos më pyesë kush pse, është BTS, një grup korean, që këndon në gjuhën koreane. Askush nuk do të dijë për gjuhën, kur flasim për muzikë. Në hierarkinë e komunikimit, gjuha vjen e dyta para muzikës.

Ka një mjet më të fuqishëm edhe se muzika. Piktura. Kushdo që sheh një pikturë, ndjek gjurmën që lënë ngjyrat dhe kompozimi, nga sytë e brenda vetes, nëpër fije nervore e emocione. Para se të flasim e të shpjegojmë një pikturë, ajo na godet, madje dhe pa fare fjalë. Madje, fjalët mbi një pikturë, ngatërrojnë e na bëjnë t’i japim formë statike një emocioni. Sërish fjalët na ngatërrojnë.

Çuditërisht, njerëzit në gjuhë të ndryshme, ulur në një bar, arrijnë shumë mirë të kuptohen me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë emocione, të flirtojnë, të flasin një gjuhë që qëndron sipër kokave të tyre, e komunikon rrjedhshëm në një tjetër nivel, e njerëzit thjesht udhëhiqen nga ajo gjuhë e pafolur me gjuhë (ose dhe e folur me gjuhë).

Madje, kur njerëz në gjuhë të ndryshme pinë alkool, komunikimi bëhet shumë më i rrjedhshëm, sikur gjuha e huaj është gjuha e nënës.

Shqipja është nga gjuhët më të vjetra e të rralla në botë. Shqipja ka një funksion unik që pak gjuhë të tjera e kanë. Është flamuri, atdheu dhe feja jonë. Është si një markë - gjithkush që është shqiptar e bart me vete dhe identifikohet. Shqipëria dikur ishte aq, sot është kaq, nesër nuk i dihet sa do jetë territorialisht, por atdheu jonë – gjuha - është aq sa shqiptarë ka në botë. Thënë këtë, shqipja nuk na ka çuar diku, nuk kemi fare shkëmbim dhe nuk kemi pakufishmëri e liri mendimi. Në raporte me botën, ne ose do flasim gjuhën e huaj, ose do përkthehemi.

Sigurisht nuk është faji dhe çështja e shqipes vetëm. Italishtja, një nga gjuhët më të artikuluara, rrjedhëse e latinishtes, pushtueses e perandorisë më të madhe e me ndikim, nuk është një gjuhë ndikuese sot në botë. Greqishtja, që për efekte kulturore dikur ishte gjuha e Bizantit, perandorisë 1500 vjeçare, sot është një gjuhë fare pa terren gjithashtu.

Është fuqimisht çështje politike. Pushtimet, perandoritë, përhapja e gjuhës, spanjishtja, anglishtja, gjuha kineze. Por jo vetëm kaq. Ka diçka tjetër. Pa dashur të hyj në analiza gjuhësore për të cilat nuk ofroj dot eskpertizë, por... just to get it. Fjala ‘get’ bart sekretin. ‘to get’ është tulla më kopile e ndërtimit të një gjuhe. Mund ta fusësh kudo e të dalësh faqebardhë.

E për këto mekanizmat e veckël praktikë, anglishtja është gjuha më komunikuese sot në botë. Dhe kjo, jo vetëm se anglezët ishin pushtues, jo vetëm se amerikanët janë influencues dhe Roma moderne. Në US nuk ka gjuhë zyrtare, por gjithçka është në gjuhën angleze. Thjeshtësia e komunikimit dhe eficienca e kohës. Koha, ky thesar i madh. Anglishtja është gjuha e Babelit. Anglishtja kap e gllabëron fjalë, i fut brenda vetes, i përdor, nuk pyet fare për rregulla, për etikë, një mini Babiloni sipas gjuhëtarëve, një gjuhë e gjallë përpëlitëse gjithë artikulime.

Ndaj, konkluzioni im është që letërsia, krijimi i pastër artistik, shprehja e artit, këtij babeli njerëzor, duhet të notojë sa më thellë në kontinentet e paeksploruara njerëzore, e duhet të shprehet sa më thjesht në gjuhë. Vërtet shqipja është gjuha dhe atdheu ynë, por askujt nuk i duhet nëse shqipja jote ka nxjerrë fjalë nga fundi i sëndukut të gjuhës sonë, apo pasuria e fjalorit tënd shtrihet nga Bogdani te fjalëformimet e Kadare. Askujt nuk i duhet lëvrimi i gjuhës tonë, kur gjuha jonë në vetvete është një kufizim midis nesh dhe botës.

Kur lexon Borges në shqip, çmeritesh nga mendimi dhe stili, njësoj si në spanjisht. Dhe kjo nuk ndodh sepse ti vlerëson përdorimin e spanjishtes së tij, apo të përkthimit të sofistikuar të përkthyesit. Thjeshtësia dhe thellësia, ato janë dy kuajt e tij të betejës. Kujt dreqin i duhet një gjuhë e rënduar, komplikuar, tërë lajle-lule, fjalëformime, patetizëm, pretenciozitet?

Synimi im personal si autor, është thjeshtimi maksimal në shprehje maksimale.

Audienca së cilës unë personalisht i drejtohem, sot, është e gjithë bota. Mekanizmi im është përkthimi. Ndaj t’u japim mundësinë përkthyesve të lodhen sa më pak, e të transmetojnë sa më shumë. Babeli ndodhet brenda nesh. Dhe ngritja e tij, nuk vjen nga rëndësia e gjuhëve të veçanta, por nga unifikimi i gjuhëve në një, drejt parajsës. E parajsën do ta pushtojmë duke vendosur ‘to get’, një pas një, në një ngrehinë të pandalshme mendimi. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH