Pas viteve të dëbimit nga diktatura, David Luka ishte Kryeredaktori i parë i gazetës "Shkodra", gazeta e parë opozitare në vitin 1991 pas gazetës "RD", ndërsa më pas Pedagog i gjuhës shqipe në Universitetin e Shkodrës. Luka i kushtoi vendit krejt mundin e jetës së tij intelektuale, në etapa të vështira historike. La pas ma se 20 vepra e qindra shkrime, kryesisht në fushën e gramatikës historike.
Dijetari dhe studiuesi i shqipes, David Luka u nda nga jeta dy ditë më parë, ndërsa së pari lajmi u dha Radio Vatikani, ku Luka ka qenë bashkëpunëtor prej vitesh. Luka veç 20 vëllimeve për gjuhësinë dhe teksteve universitare ishte aktiv dhe në shtypin e përditshëm si një nga bashkëpunëtorët e gazetës “Liberale” nëpërmjet analizave të thelluara që përfshijnë çështjet kryesore shqiptare.
Në njoftimin e Radio Vatikanit thuhej se David Luka, një personalitet i arsimit shqiptar për shumë vite si mësues i gjuhës shqipe në Shkodër rreth viteve ’80, pasi për shumë vite ka punuar si i dëbuar nga regjimi si punëtor në Mamurras, ishte Kryeredaktori i parë i gazetës "Shkodra", gazeta e parë opozitare në vitin 1991 pas gazetës "RD". Drejtor i Radio Shkodrës për disa vite pas vitit 1992, e më pas Pedagog i gjuhës shqipe me titull Profesor Doktor në Universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës.
Prof. Luka ka një kontribut të vyer në shkencën e gjuhësisë dhe autor i një sërë veprash në këtë fushë.
Partia Demokratike dega Shkodër i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Prof. Lukes.
“Prof. Dr. David Luka, gjuhëtar e pedagog i Universitetit të Shkodrës, qe një burrë, vëlla, babë i mirë e bujar. Qe dashurues e studiues i shquar i gjuhës shqipe. Të shumta shkrimet e vepra kushtuar gjuhësisë, tërë jetën ia kushtoi e dhuroi Zotit, familjes e kulturës shqiptare, në mënyrë të veçantë gjuhës së ambël e të fjalëve shqipe, la pas djalin dhe shumë nipa”-vijonte më tej lajmërimi për ndarjen nga jeta të profesorit.
Prof. Dr. David Luka i lindur me 15. 05. 1935, kreu shkollën pedagogjike në Shkodër e ma pas Universitetin e Tiranës, dega gjuhë-letërsi. Shërbeu si mësues nga Tepelena, në Kukës e pastaj në Shkodër si drejtor i Radio Shkodrës e në fund si pedagog pranë Institutit Pedagogjik të Shkodrës, me titullin Doktor Profesor. La pas ma se 20 vepra e qindra shkrime, kryesisht në fushën e gramatikës historike.
Pedagogu dhe shkrimtari, Lisandri Kola ka shkruar ditën e martë në “Shqiptarja.com” se David Luka ishte “studiues serioz e i themeltë në lamin e gjuhësisë shqipe, në disa disiplina të ndryshme ku kontributi i tij i vyem njeh 20 vëllime të botueme, disa tekste universitare, e nji përmbledhje prej 10 vëllimesh në dijeninë time që ka mbetë në proces. Humbja e Tij nuk asht dhimbje vetëm e familjarëve, por e kolegëve, miqve dhe e krejt Shqipnisë. E kësaj të fundit ndoshta edhe ma shumë sepse ai i kushtoi krejt mundin e jetën e tij intelektuale, në etapa të vështira të Tij historike, sikundërse e ka shprehë sa herash në publikimet e tij”.
Kola shtonte se ndihmesa shkencore e Prof. Lukës “mbulon pjesën ma të madhe të problematikave të kësaj fushe (të gjuhësisë shqipe pra), që kanë rrjedhë e janë kanalizue në ujnat komuniste e neokomuniste në Shqipni. I ftohtë, skrupuloz e i ashpër në shumicën e argumenteve a debateve shkencore, që në anën tjetër kanë sjellë edhe paradoksin shqiptar që mund të kishte nji intelektual i kalibrit të Tij: me u skajue e lanë në hije”.
Modestisht, shtonte Kola, mundem me thanë se kjo ndiesi për Të nuk ka qenë e re, sepse Ai ishte rrâ (si nji pjesë tjetër) me ‘internime’ intelektuale nëpër fshatna të thellë, a gjysë të thellë të Shqipnisë.
“Ndërkohë që debatet shkencore e artikujt e Tij, botoheshin aty ky botonin Çabej e tjerë. Shkencërisht, gjykoj, se ka ditë në naltësinë e duhun me e ba kalimin e interpretimeve të çêshtjes ma akute sot për sot: gjuhë standarde vs. gegënishte. Do nuk janë as nuk pajtohen me përfundimet e Tij, do të tjerë janë neutralë si shumica e gjuhëtarëve shqiptarë, e do të tjerë mendojnë se afirmimi i gegënishtes në veprat e Tij nuk asht ba ma shumë se te asnji gjuhëtar shqiptar”, shprehej mes të tjerash Kola për studiuesin David Luka.