Nga Erl Kodra
Kriza politike nuk është vetëm e opozitës shqiptare, por në të vertetë është krizë shumëplanëshe e Shqipërisë. Është nga ato lloj krizash që të mpakë - pa rrugëdalje - që ka mbërthyer mbarë shoqërinë. Kurrë më parë nuk kemi qenë kaq të pashpresë, të paralizuar nga njëlloj angështie, pa ide, pa plane, pa shpresë.
Tre njerëz kanë marrë peng një popull të vogël dhe të mjerë, që jeton në një ndër vendet me natyrën më të begatë në Europë. Të tre kanë qeverisur Shqipërinë që prej vitit 1992 e deri më sot, dhe të tre së bashku, kanë prodhuar këtë Shqipëri që kemi sot. Ata kanë qeverisur dhe ne i kemi votuar. Ata kanë ngritur këtë model ekonomik që kemi, dhe ne përsëri i kemi votuar. Ata kanë miratuar këto ligje që kemi, dhe ne përsëri i kemi votuar. Ata kanë vjedhur gjithë jetën, dhe ne i kemi votuar gjithë jetën. Me shpresën se një ditë do të ngopen. Por me sa duket ata janë të pangishëm.
Që prej vitit 2013 Edi Ramës i erdhi rradha të bëhej Kryeministër. Para tij ishte Sali Berisha. Para Sali Berishës ishte Ilir Meta. Para Ilir Metës ishte Fatos Nano - por ai iku për të mos u kthyer kurrë. Akoma para Fatos Nanos ishte Sali Berisha. Domethënë për 30 vjet punët e Shqipërisë i kanë menaxhuar vetëm tre njerëz e gjysëm. Me rradhë.
Asnjë shenjë se kjo shoqëri mund të nxjerrë ndonjë lider tjetër. Jo, të paktën sa këta të ikin nga kjo botë.
Edi Rama vazhdon qetësisht të vjedhë dhe njëkohësisht të bëjë Kryeministrin. Hapur, ashiqare dhe pa skrupuj.
Ilir Meta vazhdon të bëjë Presidentin dhe njëkohësisht opozitarin. Edhe ai në pritje për t'u ricikluar si kingmaker.
Sali Berisha vazhdon të bëjë Liderin Historik të të një cope opozite.
Të tre e dinë fare mirë se kësaj rradhe rolet janë qartësisht të ndara. Rama do vazhdojë punën e hajdutit nga pozita e Kryeminstrit, ndërsa Meta dhe Berisha do të vazhdojnë të bëjnë opozitarët. Të tre e dinë se kjo gjendje kështu do të vazhdojë, sepse shoqëria shqiptare është e paaftë të prodhojë diçka tjetër. Kësaj rradhe duket se të tre janë të kënaqur nga pozitat që kanë kapur. Berisha - Meta kaq duan: rolin e opozitarëve.
Kaq është takati jonë. Game Over.
Mbetet vetëm t'u urojmë "jetë të gjatë". /Liberale.al/