Viliem Kurtulaj
Leksioni dhe seminari janë dy nga format më të spikatura dhe më të njohura të mësimdhënies. Në thelb, leksioni mund të cilësohet si pedagogji jo-ndërvepruese, ndërsa seminari si pedagogji ndërvepruese. Në pamje të parë, leksioni është jo i ndërsjellë, asimetrik dhe i pabarabartë për sa i përket komunikimit dhe marrëdhënieve të pushtetit. Seminari, nga ana tjetër, tenton të jetë më i barabartë, më simetrik dhe i ndërsjellë. Në seminar mësimdhënësi ushtron më pak pushtet mbi nxënësit/studentët sepse kjo formë e mësimdhënies bën të mundur që pushteti të qarkullojë dhe të ushtrohet te të gjithë, në mënyrë më të barabartë. Nga ana tjetër, në leksion, folësi i vetëm është mësuesi/pedagogu, ndaj pushteti përmes diskursit/ligjërimit ushtrohet vetëm në një drejtim, nga mësuesi te nxënësit. Në fakt, po të bazohemi te Foucault, do të vëmë re se marrëdhëniet reale të pushtetit në klasë ose auditor funksionojnë ndryshe. Sipas Foucault, leksioni është më i sinqertë dhe më pak “dinak” se seminari për sa i përket marrëdhënieve të pushtetit sepse nuk përpiqet të fshehë apo kamuflojë pushtetin që ka mësimdhënësi dhe që ushtrohet në klasë/auditor. Për të qenë të qartë, në të dyja format e mësimdhënies ka në mënyrë të pashmangshme marrëdhënie dhe ushtrim pushteti. Dallimi në marrëdhëniet e pushtetit fshihet pas pretendimeve të secilës nga dy metodat e mësimdhënies.
Studiuesi Roger Deacon argumenton se leksioni, i cili është një tentativë rreth pretendimeve e tij për të vërtetën, dhe që ekspozohet ndaj kritikave, mund të neutralizojë marrëdhëniet e pushtetit duke i bërë ato më të dukshme; ndërsa liria dhe reciprociteti i supozuar i seminarit mund të maskojë marrëdhëniet e pushtetit deri në atë masë që nxënësit/studentët të absorbojnë në mënyrë jokritike atë që është vetëm opinioni i informuar i mësuesit/lektorit.
Kur nxënësi apo studenti merr pjesë në leksion, ai është i vetëdijshëm për pushtetin e mësuesit/pedagogut. Duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë, nxënësi/studenti përgatitet – ndonjëherë edhe pa vetëdije – të përballet me pushtetin e ushtruar nga mësuesi/pedagogu. Rrjedhimisht, duke qenë i vetëdijshëm dhe i përgatitur, ai është më pak i ekspozuar ndaj këtij ushtrimi pushteti mbi të. Nga ana tjetër, nxënësit/studentët marrin pjesë në seminar me mendimin se aty do të jenë pjesë e një procesi komunikimi ku të gjithë janë të barabartë dhe të lirë të flasin, dhe për rrjedhojë nuk ushtrohet pushtet mbi ta.
Në parim, seminari u jep të gjithëve mundësinë të flasin dhe të shprehen. Nga ana praktike, ai e bën mësimdhënësin më të barabartë me studentët. Në këtë mënyrë, seminari pretendon se aty ushtrohet më pak pushtet, pasi figura e pushtetit, pra mësuesi/pedagogu, bëhet pjesë e diskutimit me studentët. Kështu, studentët, duke parë formën e seminarit ku pedagogu nuk flet gjatë gjithë kohës, por bisedon me ta, mund të mos jenë të vetëdijshëm për pushtetin që ushtrohet në seminar dhe për këtë arsye janë të papërgatitur për të. Duke mos qenë të përgatitur për pushtetin që mund të ushtrohet mbi ta, nxënësit/studentët janë më të ekspozuar dhe më të prekshëm ndaj një pushteti të “fshehur” që mund të vijë nga mësuesi/pedagogu, por edhe nga vetë nxënësit/studentët e tjerë. Në seminar, nxënësit/studentët janë të lirë të flasin, por edhe në këtë aspekt mbi ta ushtrohet pushtet. Nxënësi/studenti ndjen trysninë e pushtetit që ushtrohet mbi të sa herë që ai duhet të flasë; kur kërkohet të jetë aktiv në klasë; ose në situata të tjera të mundshme që mund të lindin gjatë procesit mësimor ndërvepruese në seminar.
Përveç faktit që të qenit të pavetëdijshëm dhe të papërgatitur për ushtrimin e pushtetit i bën nxënësit më të prekshëm ndaj marrëdhënieve të pushtetit, ka, të paktën, edhe dy arsye të tjera pse në seminar trysnia dhe ushtrimi i pushtetit nuk zhduken apo dobësohen, edhe pse supozohet se të gjithë janë të barabartë dhe secili ka të drejtë të flasë ose të shprehet.
Arsyeja e dytë ka të bëjë me vetë natyrën e pushtetit. Ai nuk ushtrohet vetëm nga mësuesi/pedagogu. Në marrëdhënie, pushteti mund të vijë nga kudo dhe çdokush mund të jetë subjekt i ushtrimit të pushtetit. Kështu, në seminar, pushteti mund të ushtrohet nga mësuesi/pedagogu dhe nga secili nxënës/student. Çdo student që flet në seminar ushtron pushtet mbi studentët e tjerë, madje edhe mbi vetë pedagogun. Për më tepër, për shkak se studentët, në seminar, duhet të flasin dhe të jenë aktivë, ata ndjejnë një trysni për ta bërë këtë edhe kur mund të mos kenë asgjë për të thënë. Është pushteti i mësuesit/pedagogut dhe i nxënësve/studentëve të tjerë në klasë që ushtrohet mbi nxënësin/studentin sa herë që ai merr vendimin për të folur ose jo. Nxënësi/studenti është nën pushtetin e reagimeve jo vetëm të mësuesit, por edhe të nxënësve/studentëve të tjerë. Pra, në seminar, nuk ka ulje të nivelit të pushtetit të ushtruar në klasë, por diversifikim dhe, mbase, rritje të tij. Ndoshta ka një ulje të dominimit të mësuesit/pedagogut, por dominimi është një koncept i ndryshëm nga pushteti.
Argumenti i tretë për ekzistencën e ushtrimit të pushtetit në seminar është se pushteti i mësuesit/pedagogut mbi nxënësit/studentët nuk humbet, por vetëm kamuflohet. Marrëdhënia e mësuesit/pedagogut me nxënësit/studentët në seminar mund të jetë më e ngushtë dhe më miqësore sesa marrëdhënia e mësuesit/pedagogut me nxënësit/studentët në leksion. Në fakt, kjo mund të jetë e vërtetë. Megjithatë, sado miqësore apo informale, gjatë procesit mësimor në institucionet arsimore, marrëdhënia mbetet hierarkike dhe zyrtare. Kjo do të thotë se statuset e pjesëmarrësve në klasë/auditor nuk ndryshojnë. Nuk ndryshon as statusi apo natyra e marrëdhënies së tyre. Marrëdhënia mund të ndryshojë formën, por statusi i pjesëmarrësve në këtë marrëdhënie mbetet i njëjtë. Rrjedhimisht, nuk ndryshon as thelbi dhe as funksioni i marrëdhënies. Edhe në seminar, mësuesi/pedagogu është ai që ka statusin e personit që mëson të tjerët, paçka forma e mësimdhënies mund të jetë e ndryshme. Për më tepër, për sa kohë që statusi i pjesëmarrësve në seminar nuk ndryshon, mësuesi/pedagogu mbetet autoriteti që vlerëson nxënësit/studentët. Pra, mësuesi/pedagogu, duke përdorur notat, ka ende fuqinë për të “ndëshkuar” nxënësit/studentët që nuk performojnë mirë ose për të “shpërblyer” ata që performojnë mirë. Nxënësit/studentët janë vazhdimisht nën trysninë e vlerësimit, ndaj, për pasojë, janë deri diku nën pushtetin e atij/asaj që i vlerëson për atë që ata thonë ose nuk thonë. Pra, do të ishte naive të pretendohej se pushteti i mësuesit/pedagogut në seminar zhduket apo zbehet.
Argumentet e parashtruara më sipër, në lidhje me ushtrimin e pushtetit në institucionet arsimore tregojnë se ndryshimi i teknikës së mësimdhënies nga leksioni në seminar nuk e zvogëlon ushtrimin e pushtetit në klasë. Prandaj, seminari, si formë pedagogjike, mund të jetë më i përshtatshëm për t’u përdorur për trajnime rreth metodave; mësime dhe trajnime profesionale e teknike, sesa për të nxitur apo zhvilluar mendimin e lirë dhe kritik. Nga ana tjetër, leksioni, i cili i jep nxënësit/studentit më shumë hapësirë dhe liri për të menduar – pa ushtruar trysni rreth nevojës për të folur shpesh dhe shpejt siç ndodh në seminar – mund të jetë më i përshtatshëm dhe më i vlefshëm për t’iu mësuar nxënësve/studentëve lëndë teorike që kërkojnë një mendim më të thellë për t’u kuptuar dhe përvetësuar./Liberale.al/