Arte

Festivali i Këngës në RTSH, rikthimi i bujshëm i Elsa Lilës: E treta, e vërteta!

Shkruar nga Liberale
Festivali i Këngës në RTSH, rikthimi i bujshëm i Elsa

Edicioni i 61-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar ka përzgjedhur 26 këngët pjesëmarrëse, 16 prej të cilëve janë artistë të cilët kanë performuar edhe më parë në Festival dhe 10 të tjerë janë artistë të rinj dhe grupe alternative.

Bie në sy rikthimi në skenën e festivalit, i Elsa Lilës. Këngëtarja e mirënjohur shqiptare i është rikthyer skenës pas një periudhë të gjatë. Elsa Lila dy herë pjesëmarrëse në Festivalin e RTSH, është shpallur po aq herë fituese. Ajo karrierën e zhvilloi më tej në Itali, ku edhe performoi në Sanremo.

Pas një incidenti që pati kohët e fundit me drejtësinë italiane, ku gjithsesi doli e pafajshme, Elsa rikthehet pas 25 vitesh në skenën e publikut shqiptar. Ajo rikthehet me këngën “Evita”, dhe duket se i ka dhënë fund “shmangies” pas largimit prej çerek-shekulli nga Shqipëria. Si favorite e festivalit, Elsa Lila do të ishte edhe një përfaqësuese dinjitoze e vendit tonë në Eurovizion. Qëllimi i Elsa Lilës pas këtij rikthimi nuk ka qenë thjesht dhe vetëm fitorja në festival. Ikona e muzikës së lehtë shqiptare synon të korrë suksesin më të madh shqiptar të arritur ndonjëherë në Eurovizion.

Festivali i 61-të të Këngës në RTSH, do të japë 3 çmime të para: vendi i parë, vendi i dytë dhe vendi i tretë; 1 çmim për artistët e rinj dhe grupet alternative dhe 1 çmim për karrierë. Por ndryshe nga vitet e kaluar, Festivali i 61-të i Këngës në RTSH vjen me një risi lidhur me këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, fituesi i së cilës do të zgjidhet me votat e publikut me anë të SMS-ve.

Çmimi për 3 vendet e para, çmimi për artistët e rinj dhe grupet alternative si dhe çmimi për karrierën do të jepen pas një vlerësimi nga juria.

Në festivalet e mëparshme të Këngës në RTSH fituesi i çmimit të parë ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, por këtë vit, vendin tonë në “Eurovision Song Contest 2023” që do të zhvillohet në Britaninë e Madhe, do e përfaqësojë ajo këngë e cila do të rezultojë më e votuara nga publiku.

Lista e plotë me artisët dhe këngët pjesëmarrëse në Festivalin e Këngës në RTSH:

2Farm                                             Atomike

Alban Kondi & Lorela Karoshi      Melodi

Albina Kelmendi                             Duje

Anduel Kovaçi                                Malli

Arsi Bako                                        Sonte dua të jem me ty

Melodajna Mancaku                      Gjysma e zemrës sime

Elsa Lila                                          Evita

Enxhi Nasufi                                  Burrë

Erma Mici                                      Kozmosi i dashurisë

Evi Reçi                                          Ma kthe

Fabian Basha                                 Një gotë

Fifi                                                 Stop

Franc Koruni                                 Në pritje

Genti Hoxha                                 Ajër

Gjergj Kaçinari                              Dje

Luna Causholli                             Jetën ta fal

LYNX                                            Nëse ke besim

Manjola Nallbani                         Dua

Permit of Stay                              Fobia

Petrit Çarkaxhiu                           Emri yt mirësi

Rezearta Smaja                            N’Eden

Rovena Dilo                                 Motit

Sara Kapo                                    Para teje

Serxhio Hajdini                            Vështirë

Urban Band                                 Në çdo hap

Vanesa Sono                                Aroma jonë

Poll
SHQIPENGLISH