Arte

Fatos Baxhaku, “Guri” që rrokulliset sot brenda nesh

Shkruar nga Liberale

“Si ju lindi dëshira për të udhëtuar?” Vite më parë kjo pyetje më vinte në siklet. Ndodhte kështu sepse nuk e dija edhe fort mirë si ti përgjigjesha. Por me kalimin e viteve gjërat vijnë duke u qartësuar dhe tani mendoj se mund ta kem një përgjigje për këtë pyetje, që më ngatërrohej vazhdimisht nëpër këmbë.

Unë besoj se jo dëshira, por më shumë se kaq, etja e njeriut për të lëvizur e udhëtuar, lind bashkë me embrionin njerëzor. A nuk është akti i lindjes një lloj udhëtimi? Që foshnjë dëshirojmë të prekim, dëshirojmë të shikojmë, të nuhasim, të komunikojmë e pastaj vjen akti më i lartë i të udhëtuarit në jetën tonë, ngritja në këmbë”.

Fatos Baxhaku e nis kështu parathënien e librit “Gur” (2008), duke i dhënë përgjigje një pyetje që lidhej me dëshirën e tij të përhershme, udhëtimin.

Nga Martaneshi, Mirdita, Shkodra, Devolli, Rrëzoma, Dibra, Berati, Ulëza, Tropoja, Kanina, Librazhdi, Narta etj, kanë mbetur sot gjurmët e udhëtimeve të tij përmes reportazheve që i mblodhi në këtë libër, botuar më parë çdo të dielë në gazetën Shqip. Ato janë shkruar në një periudhë që nis në majin e vitit 2006 dhe mbarojnë në tetorin e 2007-tës. Pjesa e dytë e këtij libri titullohet “Haberet e Cenit”, një përmbledhje opinionesh të cilat Baxhaku me  humor shprehej se i kishte shkruar në bashkëpunim me “një tirons nga rruga e Kavajës”.

Nuk ma bën zemra dhe nuk ma do mëndja ta quaj Cenin imagjinar. Unë jam i bindur se ai ekziston vërtet diku në shtëpitë e vjetra, që tani kanë nisur të rrethohen nga pallatet shumëkatëshe. Rri afër sobës së tij të vjetër, thith fort cigaren dhe shikon lajmet duke tundur kokën i pakënaqur”, shprehej Baxhaku. I tërhequr herët nga historia, (puna e tij e parë ka qenë në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave), ai spikati herët si gazetar pikërisht për mënyrën sesi e tregonte historinë. Për të historia ishte referimi i përhershëm që nuk të lë të gabosh. Në historinë e medias shqiptare, Baxhaku ishte përfaqësuesi më i mirë i një gjenerate, i cili ofroi modelin e një gazetarie bashkëkohore, në një kohë tranzicioni për median e shoqërinë shqiptare. Me portretin që përshkrohej gjithnjë nga një buzëqeshje, ai ruajti deri në fund integritetin e një profili gazetari që shumë pak e takojmë në këto kohëra.

Kjo e bën ikjen e tij të shëndrrohet në një “gur”, që sot, rrokulliset brenda çdo njeriu që e takoi në jetë. Vetë ai i pëlqente gurët. Në çdo vend që udhëtonte e merrte një gur si kujtim. “Më dukej gjëja më e qëndrueshme dhe në shumë raste edhe më karakteristike e fshatrave dhe qytezave. Njerëzit ikin, gurët mbeten. Rrokullisen, thyhen plasariten, ngrijnë e shkrijnë por janë gjithnjë po ata. Këtë zakon jo edhe fort praktik, nisa ta lë kur apartamenti im nisi të mbushej ca si frikshëm me kanistra, cip me gurë por edhe tani fus në xhep ndonjë guralec sidomos ata të zallit të lumenjve”, shprehej ai.

Ndoshta prandaj e quajti “Gur” përmbledhjen me shkrime të kohës ndoshta më interesante në karrierën e tij, gjatë drejtimit të Gazetës Shqip. Fatos Baxhaku ishte kryeredaktori i parë i kësaj gazete, e cila solli një model perëndimor në shtypin shqiptar, me hyrjen e saj në tregun e botimeve në mars të vitit 2006. E pse nuk ishin kohëra për kulturën, ai rriti hapësirën e saj në gazetë i bindur, se, vetëm duke përsosur shijen estetike, do të kemi një shoqërie e lexues më të mirë nesër.

Reportazhet dhe opinionet e tij në SHQIP një pjesë e të cilës ai i mblodhi në këtë libër, janë dëshmi e një kohe që do ti shërbejnë historisë dhe një leksion e model për gazetarinë moderne shqiptare. Fatos Baxhaku do të kujtohet gjithmonë, jo vetëm sa herë të flitet për historinë e kësaj gazete, por sa herë që do flasim për historinë e medias në vend./Shqip

Liberale Newsroom

Poll
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH