Nga Angelo Panebianco
Nuk është ende e mundur të kuptohet se si do të përfundojë çështja tepër sfilitëse e Brexit: siç duket kryeministri, Boris Johnson, nuk do të arrijë të ketë daljen përfundimtare të Britanisë së Madhe brenda 31 tetorit, ndoshta fitojnë kundërshtarët e tij të brendshëm, duke fituar një shtyrje prej disa muajsh. Megjithatë mund të kuptohet, o së paku të merret me mend që Brexit mund të ketë jo vetëm pasoja të rëndësishme ekonomike (për Britaninë e Madhe ashtu si dhe për Vendet e tjera evropiane). Mund të paralajmërojë ndryshime në baraspeshat gjeopolitike. Mund të ndezë një revolucion, të shpejtojë shkëputjen e marrëdhënieve ndëratlantike, të nxjerrë në pah një thyerje të padëgjuar ndërmjet një blloku të përfaqësuar nga demokracitë anglosaksone dhe Evropës kontinentale.
Referendumi në të cilin mbizotëroi partia e Brexit-it u mbajt më 2016, pak përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane të fituara nga Donald Trump. Atëherë ishte ende kryesia Obama. Por këputja e fijeve të marrëdhënieve ndëratlantike kishte filluar prej kohësh. Edhe se me një stil të ndryshëm nga pasardhësi, edhe Obama synonte të kufizonte zotimin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara. Siç tregoi politika e tij (e dështuar) në Lindjen e Mesme: që me të e në sajë të gabimeve të tij, që Rusia e Putin-it mundi të rihyjë si kryesore në politikën e atij rajoni. Referendumi britanik ra në atë periudhë. Pastaj arriti cikloni Trump: në ndryshim nga paraardhësi ai mbështeti zgjedhjen britanike për të lënë Evropën.
Trump-i tregoi shpejt se nga çfarë brumi ishte mbrujtur. Filloi të godasë fuqishëm mbi NATO-n dhe Bashkimin evropian. Sqaroi se kombëtarizimi amerikan, i të cilit ai ishte kampion, nuk përputhej me mbajtjen e sistemit të aleancave të krijuara nga Vendi i tij mbas vitit 1945, në të cilat ishte pjesë qenësore lidhja ndëratllantike, shoqërizimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Nëse Trump-i që, siç duket, ka shumë gjasë të ketë një mandat të dytë presidencial, atë lidhje, tashmë të dobësuar, mundet së fundi t’a këpusë krejt. Ndërthurja ndërmjet Brexit dhe rrugëdaljeve të Trump-it mund të shkojë në dobi të nxjerrjes në dritë përsëri të një plani të hershëm që qarkullonte në sferat qeveritare amerikane gjatë luftës së Dytë botërore e që pastaj u mënjanua. Ishte ideja që, mbas luftës, do të ishte e nevojshme t’i jepej jetë një aleance të qëndrueshme ndërmjet demokracive vetëm anglosaksone (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re). Do të bëhej fjalë për një aleancë të fuqishme, që sigurohej nga pozita zotëruese e Shteteve të Bashkuara, por edhe nga afërsia kulturore mes demokracive të bashkuara nga e shkuara e përbashkët, nga protestantizmi, nga gjuha angleze.
Më pas ai projekt u la mënjanë. Me planin Marshall dhe NATO-n Shtetet e Bashkuara zgjodhën, në vend të aleancës (së ngushtë) me demokracitë anglosaksone, atë (të gjerë) Shtetet e Bashkuara – Evropë. Ka mundësi që ai projekt i vjetër të kthehet përsëri aktual. Ka ndonjë që mendon – por ndoshta e tepron - që ai është tashmë gjë e kryer, edhe në sajë të funksionimit të shkëlqyer të sistemit të shkrirë për shkëmbimin e njoftimeve ndërmjet demokracive anglosaksone të quajtur Five Eyes (pesë sy). Aleanca e ngushtë ndoshta do të perceptohej nga shumë amerikanë më e përshtatshme për një epokë të një rënieje relative të fuqisë amerikane. Publiku mund të vlerësojë njëjtësinë kulturore të aleancës së ngushtë.
Nëse, me të vërtetë, në vend të lidhjeve ndëratlantike, do të ngrihej pak nga pak një bllok i ngjeshur anglosakson, për evropianët kontinentalë do të ishin dhimbje. Megjithë disa mendime të kota që vazhdojnë të shfaqen në sektorë të klasave drejtuese evropiane (ideja se nëse amerikanët ikin bëhet fjalë për një lajm të mirë, mbasi më së fundi evropianët do të jenë “të shtrënguar” të integrohen politikisht) përfundimi më i mundshëm do të ishte një tjetër. Duke munguar ngjitësi i përfaqësuar nga hegjemonia amerikane, instinktet e vjetër, pothuajse sigurisht do të rimerrnin epërsinë, përçarjet do të mëshonin mbi shtysat përbashkuese, e Vendet e ndryshme evropiane – jo më të penguar nga drejtimi amerikan – do të hynin në shemëri ndërmjet tyre me qëllim të fitojnë favorin e fqinjit më të fuqishëm: Rusisë.
Shfaqja e trishtuar e vënë në skenë nga evropianët në çështjen e kurdëve sirianë, në të cilën janë në lojë interesa shumë të gjëra të Kontinentit të Vjetër, thotë gjithçka që është për t’u thënë mbi aftësinë e Evropës për të bërë pa armët dhe ushtarët amerikanë: përballë një krize ushtarake të kësaj rëndësie Evropa ka pamjen e të menduarit se mjafton të trumhasësh të keqin e radhës (sot Erdogani) me të shtëna fjalësh për të zgjidhur krizën. A mendoni se një Evropë e tillë është në gjendje të ecë mbi këmbët e saj?
Por ndonjëri thotë se do të arrijë shpejt çasti kur do të vëmë në jetë të famshmen “mbrojtje evropiane” dhe Bashkimi do të bëhet një fuqi e aftë të bëjë të respektohet dhe të kujdeset vetë për sigurinë e tij. Nuk kuptohet se ai që e thotë i beson me të vërtetë apo përsërit formula ritesh “evropianisht korrekte”, thjesht sepse nuk din çfarë të thotë tjetër. Jo vetëm se mundësia për t’i dhënë jetë një mbrojtjeje evropiane që mund të arrijë, së paku pjesërisht, të shkojë para pa Shtetet e Bashkuara, është sot edhe më pak e mundshme se më parë, duke llogaritur se me Brexit-in del nga Bashkimi ajo që është, me Francën fuqia më e madhe ushtarake dhe fuqia e parë detare. Mbi të gjitha kjo është një blof, nga të gjithë i njohur si i tillë. Cili politikan evropian mund të rizgjidhej nëse do të shkonte t’u shpjegonte zgjedhësve se ata duhej të ngarkoheshin me taksa ose të pranonin një pakësim të standardit shoqëror me qëllim për të financuar mbrojtjen evropiane? A mund të përfytyroni një politikan, të themi gjerman ose italian, që zgjedh këtë mënyrë për t’u vetëvrarë politikisht?
Përfundimi është se evropianët nuk kanë alternativë kundrejt aleancës me Shtetet e Bashkuara. Aq sa nëse Amerika, e më përgjithësisht, bota anglosaksone do të ndahen prej nesh, do të kemi telashe. Por meqë historia nuk mund të shkruhet para kohe, mbasi jemi të gjithë të zotë të parashikojmë të shkuarën (mbi t’ardhmen kemi gjithmonë ndonjë vështirësi), deri sa ka jetë ka dhe shpresë. Ndoshta, shpejt a vonë, së bashku me natën e keqe do të kalojnë edhe Trump-i e Johnson-i.
“Corriere della Sera”
Përktheu Eugjen Merlika