Këngëtari Ermal Meta, i cili nuk ka shumë kohë që ka publikuar romanin e tij "Domani e per sempre", ka folur rreth tij te "Rudina" në Tv Klan. Ai rrëfeu se, ka gjithë jetën që shkruan, por vetëm tekste muzike.
“Kam gjithë jetën që shkruaj, por kam shkruar gjithmonë këngë dhe kënga është shumë ndryshe nga romani. Kam pasur gjithmonë dëshirë të shkruaja që kur isha 20 vjeç me vinin shumë ide në mendje. Nuk e merrja guximin të shkruaja një roman, se gjithë sforco, lodhjet e mia doja ta hidhja te muzika, sepse nuk mendoja se mund të bëheshin të dyja gjërat njëkohësisht. Nuk e merrja guximin të shkruaja një roman edhe pse kisha shumë ide në mendje", ka thënë ai.
Ermali rrëfeu se idenë për të shkruar një roman e kishte edhe më herët, por ishte viti 2020, ato sirena të frikshme pandemie dhe një ndjenjë "faji", e cila i thoshte se në këtë periudhë nuk duhet të merrej me muzikë.
"Kur në 2020 erdhi pandemia, nuk më dukej gjë e drejtë të merresha me muzikë. Në atë periudhë jetoja në Milano dhe çdo 10-20 minuta dëgjoheshin vetëm ambulanca dhe tingulli i sirenës së saj është diçka që njofton diçka të rëndë. Nuk më vinte e lehtë të luaja një piano. Kisha një piano që kisha shumë vite që e synoja një piano të vitit 1919 që e kisha ëndërr që i vogël, por prapë nuk kisha fuqinë të ulesha në piano dhe të shkruaja këngë, por ndieja nevojën që duhet të shprehesha, se nuk kisha kaluar kurrë më shumë se një javë pa shkruar diçka. Më në fund gjeta guximin të shkruaja këtë histori që kisha 2 a 3 vite që e kisha në mëndje. Por nuk kisha skemë, projekt, thjesht fillova të shkruaja. Ideja ishte që në fillim një këngëtar kur shkruan një roman zakonisht, në 90% të rasteve shkruan për jetën e vetë, këtë doja ta evitoja. Do ishte diçka shumë e pritshme", u shpreh artisti shqiptar, i cili jeton në Itali.
Më pas tregoi se, nuk donte të shkruante për veten, por për vendin ku jetoi 13 vite, Shqipërinë. Donte të tregonte diçka, që sipas tij nga ana tjetër e Adriatikut nuk e njohin.
"Doja ta masja veten me diçka tjetër. Po emocionet janë personale, por nuk doja të ishte historia ime, atë e kam treguar nëpërmjet këngëve, këndvështrimin tim për botën. Për sa i përket romanit, doja të tregoja historinë e një vendi ku unë linda dhe jetova për 13 vite, ku kam rrënjët edhe doja të tregoja diçka që nga ana tjetër e Adriatikut nuk e njohin. Shqipërinë e njohin nga ’91-shi e deri më sot. Doja të shkruaja një roman që të tregonte historinë jo të Shqipërisë, por të shqiptarëve”, ka thënë Ermali. /Liberale.al