
Klementin Mile
Debati për të drejtat e homoseksualëve në shoqërinë tonë rikthehet herë pas here, por deri tani asnjëherë me “marshin e fundit”. Për shembull, para disa ditësh erdhi në vëmendjen publike çështja e përdorimit të emërtimeve “Prindi 1” dhe “Prindi 2” nëpër formularë që flitet të jenë shpërndarë në disa institucione arsimore parashkollore. Nuk e dimë cilët janë autorët e këtij akti. Madje nuk e dimë me siguri as në ka ndodhur apo jo. Çka dimë është reagimi ndaj aktit të ndodhur ose të pretenduar se ka ndodhur.
Ky reagim ka marrë formën e një debati pro dhe kundër përdorimit të emërtimeve “Prind 1” dhe “Prind 2” në vend të emërtimeve tradicionale “Baba” dhe “Nënë”. Ata që e kundërshtojnë këtë emërtim të ri thonë se ai është po aq diskriminues sa edhe emërtimi tradicional që përdoret për prindërit, pasi numri 1 ka prioritet ndaj numrit 2 dhe prindi që emërtohet si “1” do e gëzojë, në mënyrë të padrejtë, këtë prioritet. Argument tjetër që japin kundërshtarët e emërtimit të ri është se nga perspektiva e fëmijës ka shumë rëndësi dallimi nënë / baba, i cili humbet në abstraksionin që vendos dallimi prind 1 / prind 2. Kundërshtarët, pra, e kundërshtojnë emërtimin e ri të prindërve pasi ky është i padrejtë dhe nuk funksionon.
Nga ana e tyre, mbështetësit e futjes së këtij emërtimi të ri për t’iu referuar zyrtarisht prindërve, argumentojnë se kjo nuk i sjell askujt asnjë dëm dhe merr në konsideratë edhe të drejtat e personave me orientim seksual të ndryshëm prej atij të shumicës. Me këtë argument, kauza për avancimin e të drejtave të homoseksualëve fillon të lëvizë me marshin e parë. Është e qartë se objektivi i vërtetë, ai i dëshiruari, është legalizimi i martesave homoseksuale. Por kjo nuk duket të ketë pranim të gjerë në opinionin publik shqiptar. Për këtë arsye, testimet kanë filluar në nivele më modeste, si ato të ndryshimit të formularëve ku babai dhe nëna të thirren prind 1 dhe 2. Natyrisht, për kauzën homoseksuale në shoqëri, nëse ajo përfshin edhe legalizimin e martesave homoseksuale, emërtimi tradicional i prindërve si “babai” dhe “nëna” është një pengesë që duhet rrëzuar, pasi mban në këmbë konceptin tradicional të martesës si bashkim vullnetar të një burri dhe një gruaje, jo të dy burrave apo të dy grave.
Në këtë kuptim, debati për emërtimin e prindërve nuk është aq i rëndësishëm në vetvete dhe nuk duhet të marrë vëmendjen që ka marrë deri tani në sferën publike. Ajo që duhet debatuar, duke e futur kauzën në marshin e fundit, është në fakt martesa homoseksuale. A është diskriminim para ligjit lejimi i martesës heteroseksuale por ndalimi i asaj homoseksuale? Për ta trajtuar këtë çështje shteti mund të formulojë tri politika të ndryshme: Ose mund të njohë vetëm martesën midis një burri dhe një gruaje, sikundër është ligji aktual; ose mund të njohë edhe martesat heteroseksuale edhe martesat homoseksuale, siç synon të arrijë kauza homoseksuale në marshin e fundit të saj; ose të mos njohë asnjë lloj martese dhe t’ua lërë këtë rol shoqatave private.
Çka duhet të kuptojmë është se në një martesë nuk janë vetëm dy palë (personat që martohen), por tre. Pala e tretë është shteti, i cili, duke e miratuar një martesë e kualifikon raportin ndërmjet individëve si të vlefshëm dhe për t’u ndjekur, dhe duke mos e miratur e kualifikon si të pavlefshëm dhe për të mos u bërë shembull për shoqërinë. Praktikat homoseksuale kanë ekzistuar ndoshta qëkurse ka patur njerëz mbi tokë. Por homoseksualët e kanë patur të vështirë ta fitojnë debatin që martesa e tyre të njihet nga shteti si njësoj e vlefshme dhe model për t’u ndjekur si martesa heteroseksuale midis një burri dhe një gruaje.
Gjithçka në këtë debat, në fakt, lidhet me konceptimin tonë për martesën, me synimin e saj, me telos-in e martesës. Nëse synimi i martesës është lindja e fëmijëve, shteti do të duhet të lejojë vetëm martesat tradicionale midis një burri dhe një gruaje, babait dhe nënës, jo prindit 1 dhe prindit 2. Por nëse synimi i martesës është angazhimi ekskluziv dhe permanent ndaj bashkëshortit, atëherë shteti do të duhet të lejojë edhe martesa heteroseksuale edhe homoseksuale. Lindja e fëmijëve dhe angazhimi ekskluziv janë dy konceptime alternative të thelbit të martesës. Shoqëria ka nevojë të debatojë se cili prej të dyve është më thelbësori, pa u fshehur dhe maskuar në debate të tjera të parëndësishme./Liberale.al/