Ekspertizë

EKSPERTIZË nga Klementin Mile: “Big Brother VIP” dhe joshja prej jetës së të tjerëve

Shkruar nga Liberale
EKSPERTIZË nga Klementin Mile: “Big Brother VIP” dhe joshja

Klementin Mile

Skizofrenia është e plotë. Nga njëra anë sheh komente të pafundme në rrjetet sociale, por edhe në bisedat e përditshme me njerëz, ku flitet se nuk ka më keq se të ndjekësh një program si “Big Brother VIP”, pa nivel, pa etikë, pa asgjë për t’u marrë shembull. Nga ana tjetër sheh një popullaritet të jashtëzakonshëm të këtij programi, ku të informuar për ngjarjet dhe personazhet duket se janë edhe ata që e kritikojnë.

“Big Brother VIP”, në fakt, nuk bën përjashtim nga fenomenet e tjera të sferës së krijimeve estetike, ku për shembull letërsia “e madhe” nuk gëzon popullaritet, ndërkohë që letërsia “limonatë” përhapet dhe preferohet, ose si në rastin e serialeve melodramatikë turke, indiane, apo amerikano-latine që ndiqen masivisht, ndërkohë që filmat që fitojnë “Oscar”, “Palmën e Artë” apo çmime të tjera prestigjoze kanë audiencë minimale.

Filmi “Jeta e të tjerëve” i regjisorit gjerman Florian Henckel von Donnersmarck na mundëson të kuptojmë logjikën e fenomenit. Jemi në vitin 1984, në Berlinin Lindor, pra në kushtet e regjimit komunist të Gjermanisë Lindore. Një agjenti të policisë sekrete i jepet detyra të përgjojë një shkrimtar të njohur (VIP) dhe të dashurën e tij aktore. Përgjimi zhvillohet me dy turne, pra përveç agjentit në fjalë, është i përfshirë edhe një koleg i tij. Fillimisht agjenti është tërësisht i përpiktë, me oraret dhe procedurat e përgjimit. Por me kalimin e kohës vihet re kontrasti i thellë i jetës së përgjuesit (agjentit) me jetën e të përgjuarve (shkrimtarit dhe aktores).

Kështu, apartamenti ku jeton agjenti ka vetëm ato pak mobilje që mundësojnë jetesën aty, ndërkohë që apartamenti i shkrimtarit është i dekoruar me shije, klas dhe ngrohtësi. Pasi përgjon edhe momentet intime të dashurisë së shkrimtarit me aktoren, agjenti përfundon turnin dhe kthehet në shtëpinë e vet, ku thërret një prostitutë, e cila nuk harxhon asnjë minutë me tepër me të, pasi duhet ta vijojë punën diku tjetër. Madje edhe veshja gri dhe pa shije e agjentit e kontraston atë me njerëzit që po përgjon, të cilët vishen bukur dhe sipas modës.

Pas një farë kohe agjenti i policisë sekrete i thotë kolegut se mund të bëjë edhe turnin e tij dhe madje edhe i ndihmon shkrimtarin dhe aktoren të mos zbulohen se janë kundër regjimit. Kaq shumë përfshihet në detajet e jetës së tyre agjenti, sa rrezikon gjithçka për t’i ndihmuar. Qartësisht, jeta e tij është pa ngjyra, pa gjallëri, pa muzikalitet, ndërkohë që jeta e shkrimtarit dhe aktores i ka të gjitha këto. Jeta e të tjerëve, në këtë mënyrë paraqitet si ideal, si jeta e dëshiruar, por e pamundur në realitetin ku ekziston agjenti.

Ne e shohim “Big Brother VIP”-in masivisht sepse aty paraqitet jeta e të tjerëve, e cila na duket më e bukur, më e realizuar, më e suksesshme, më me kuptim se e jona. Sa më e varfër jeta jonë, aq më të vëmendshëm bëhemi për jetën e të tjerëve, aq më tërheqëse na duket. Edhe kur themi se këta nuk e meritojnë të quhen VIP-a, vëmendja jonë është te jeta e tyre, te lakuriqësia (fizike dhe shpirtërore) që ata shfaqin në ekran. Sa më shumë shohim jetën e tjerëve, aq më pak shohim tonën; aq më pak përballemi me të vërtetat e hidhura të saj./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH