Akuzat kundër disa peshkopëve që synojnë "të zhvillojnë një lloj katoliciteti të ri, modern", por edhe kundër disa seminareve me "klube homoseksualësh" ose ku priftërinjtë aspirantë "të kapur duke lexuar librat e mi konsideroheshin të papërshtatshëm për priftërinë", janë vetëm disa nga ankesat që Papa Ratzinger bën kundër vetë aparateve të kishës katolike në një libër që doli në librari pak ditë më parë: “Çfarë është Krishtërimi? Pothuajse një testament shpirtëror”.
Në tekstin, që vetë Benedikti XVI donte të botohej pas vdekjes së tij, Ratzinger donte të ndante reflektimet e tij të fundit mbi disa tema themelore të fesë së krishterë, ndërsa ai ishte tashmë Papa Emeritus. Thuajse një testament shpirtëror, siç thotë nëntitulli, që mbledh tekste të botuara dhe të pabotuara nga periudha pas dorëheqjes së tij dhe ku nuk mungojnë kritikat e ashpra.
Një zgjedhje, botimi pas vdekjes, i dëshiruar nga vetë Papa për të shmangur polemika të mëtejshme. “Nga ana ime, në jetë nuk dua të publikoj më asgjë. Tërbimi i qarqeve kundër meje në Gjermani është aq i fortë sa shfaqja e çdo fjale time shkakton menjëherë një të bërtitur vrastare nga ana e tyre. Dua t'ia kursej vetes këtë dhe krishterimit”, ka shpjeguar Papa në një letër drejtuar dy kuratorëve: teologut Elio Guerriero dhe sekretarit, mgr. Georg Gaenswein.
Në libër, Benedikti XVI drejton gishtin në veçanti kundër abuzimeve dhe "kolapsit" në formimin e priftërinjve të rinj, por edhe kundër prelatëve që nuk ndjekin diktatet e Vatikanit, duke folur për seminare me klube homoseksuale dhe video pornografike.
“Kishte peshkopë individualë, dhe jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, të cilët hodhën poshtë traditën katolike në tërësi, duke synuar të zhvillojnë një lloj katoliciteti të ri, modern në dioqezat e tyre. Ndoshta vlen të përmendet se, në mjaft seminare, studentët e kapur duke lexuar librat e mi konsideroheshin të papërshtatshëm për priftërinë. Librat e mi fshiheshin si letërsi të dëmshme dhe, si të thuash, lexoheshin vetëm në fshehtësi”, thuhet në librin e Ratzinger.
Në një tjetër pasazh nga vëllimi, nënvizuar nga agjencia Ansa, Benedikti XVI flet për homoseksualitetin dhe faktin se në seminare të ndryshme ekzistojnë ato që ai i përcakton si klube homoseksuale. "Në seminare të ndryshme u formuan "klube" homoseksuale, të cilat vepronin pak a shumë hapur dhe që transformuan qartë atmosferën në seminare".
Në përgjithësi, "përsa i përket problemit të përgatitjes për shërbesën priftërore në seminare, në fakt ka një kolaps të madh të formës aktuale të kësaj përgatitjeje", pohon Ratzinger, duke zbuluar për shembull se edhe "një peshkop, i cili më parë kishte qenë rektor, kishte lejuar t'u shfaqin seminaristëve filma pornografikë, me sa duket me qëllimin që në këtë mënyrë t'u mundësohet që të rezistojnë ndaj sjelljeve në kundërshtim me besimin”.
Së fundi, në të njëjtën temë të formimit të priftërinjve të rinj, Ratzinger tregon se "në një seminar në Gjermaninë jugore, kandidatët për priftërinj dhe kandidatët për postin laik të personit kontaktues baritor jetonin së bashku. Gjatë vakteve të përbashkëta, seminaristët ishin së bashku me përfaqësuesit e martuar baritorë, pjesërisht të shoqëruar nga gruaja dhe fëmijët e në disa raste nga të dashurat e tyre. Klima në seminar nuk mund të ndihmonte formimin meshtarak”./Liberale.al