Përshtati: Gëzim Puka
Në vazhdën e interpretimeve online, aktori italian Enrico Montesano, ka gjetur rastin të “dialogojë” me filozofin e ashtuquajtur, heretiku modern, Günther Anders. Kuptohet është dialog i trilluar, por është mjaft i mishëruar. Arti dhe idetë, arti dhe mendimi, kryqëzohen herë pas here, sidomos në periudha krizash besimi. Ndodh pikërisht atëherë që sulmet drejtohen si ndaj mendimit, ashtu edhe ndaj “së bukurës”. Në këtë rrethimin tonë bashkëkohor, po varfërohet gjithnjë e më shumë shpirti i njeriut dhe si rrjedhojë edhe mendimi e arti i tij.
“Është befasuese për kohën kur është shkruar,”- shprehet Montesano, e më tej vijon:
“Për të shtypur paraprakisht çdo revoltë, nuk duhet të jesh i dhunshëm. Metodat e tipit Hitler tashmë janë tejkaluar, mjafton të krijosh një kushtëzim kolektiv aq të fuqishëm, saqë as ideja e revoltës nuk do t’u shkojë më në mendje njerëzve. Idealja do të ishte formatimi i individëve që prej lindjes, duke i kufizuar aftësitë e tyre biologjike të lindura. Në vend të dytë, do të vazhdohej me kushtëzimin tjetër, duke zvogëluar në mënyrë të qëllimshme të mësuarit. Duhet ngulmuar për ta drejtuar individin drejt të mësuarit specifik profesional. Një individ i paditur, ka një horizont të të menduarit shumë të kufizuar. E mbi të gjitha, të menduarit e tij të jetë sa më i ngushtë dhe i përqendruar në shqetësime mediokre. Sa më i kufizuar mendimi, aq më pak mund të revoltohet. Duhet punuar në një mënyrë që hyrja tek dituritë, të jetë sa më e vështirë për njeriun e zakonshëm. Hyrja tek dituritë e vërteta mundësohet vetëm për shtresën elitare. Duhet të ketë një hendek të thellë mes individit dhe shkencës. Informacioni i dërguar për publikun duhet të jetë i kufizuar nga çdo përmbajtje përmbysëse e kryengritëse.
Asnjë filozofi!
Edhe në këtë rast duhet përdorur bindja dhe jo dhuna e drejtpërdrejtë. Do të përhapen në mënyrë masive, përmes televizionit, argëtime që nxisin emotivitetin ose instiktiven. Do të përballohen shpirtërat me atë që është e kotë dhe lojcake. E mira shprehet me pak fjalë. Një muzikë që përsëritet… T’i ndalohet shpirtit të menduarit. Do ta vendosin seksualitetin në vendin e parë të interesave njerëzore, pasi si qetësues shoqëror nuk ka asgjë më të mirë. Mënyra më e zgjuar për të ndaluar seriozitetin e qenies, është të tallësh gjithçka që ka një vlerë të lartë. Duhet mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme, një lloj apologjie e sipërfaqësores, të së lehtës, në mënyrë që euforia e reklamës të bëhet standardi i lumturisë njerëzore dhe modeli i lirisë. Kushtëzimi do të prodhojë në vetvete një integrim të tillë, që e vetmja frikë që do të vazhdojë të ekzistojë, do të jetë ajo e të qenit i përjashtuar nga sistemi. Vetëm kështu do të jesh pjesë e kushtëzimit të nevojshëm të “lumturisë”. Njeriu i masës i prodhuar në këtë mënyrë, duhet të trajtohet për atë që është.
Si një viç…
Duhet të monitorohet ashtu siç ruhet një tufë bagëtish. Çdo gjë që lejon të përgjumë kthjelltësinë e tij, është një e mirë shoqërore. Çdo përpjekje që mundëson zgjimin e tij, duhet të kthehet në qesharake, duhet të kthehet në tallje. Duhet parë e gjykuar si kryengritëse dhe terroriste, çdo doktrinë që vë në diskutim sistemin. Edhe ata që e mbështesin, duhet të konsiderohen si të tillë.
“Njeriu u vjetërua” e Günther Anders është shkruar në vitin 1956. Ai flet për totalitarizmin e butë, që ashtu siç shihet nuk ka nevojë, si ai i mesit të shekullit XX, për përdorimin sistematik dhe brutal të dhunës, sepse përmban nënshtrimin automatik dhe të pakushtëzuar, në bazë të efikasitetit dhe efiçencës së paperceptueshmërisë së tij. Diktatura e butë aprovohet si një mjet tinëzar.
Në shënimet e tij ai flet edhe për efikasitetin e ushtrimit të pushtetit me totalitarizmin e butë. Pushteti ekziston në paperceptueshmërinë e tij, e keqkuptuar si mosekzistencë, si mosqenie, si Zot që fshihet (“Deus absconditus”). Brenda këtij rrethi, ligjshmëria është e përgjegjshme dhe e padiskutueshme. Edhe pushteti e di që është në kulmin e fuqisë së tij, nëse rri i ngrirë pas kuintave.
Dhe ne atij po i referohemi dhe jo kryetarëve të qeverive, jo kryetarëve evropianë, jo kryetarëve botërorë ose më lart. Qetësia e këtij pushteti të ngrirë pas kuintave, është shenjë e forcës së tij. Në fakt, sa më total që është një pushtet, aq më e heshtur është komanda e tij. Sa më memece është komanda, aq më e natyrshme është bindja, nënshtrimi ynë. Sa më e natyrshme është bindja jonë, aq më i sigurt është iluzioni ynë i lirisë. Sa më i sigurt që është iluzioni ynë i lirisë, aq më total është pushteti.” /Gazeta Liberale