Aktualitet

VIDEO/ Gjergj Luca i përgjigjet i pari vullnetarisht kërkesës së Edi Ramës, heq shtesën e restorantit

Shkruar nga Liberale

VIDEO/ Gjergj Luca i përgjigjet i pari vullnetarisht kërkesës

Biznesmeni i njohur, Gjergj Luca, ka vendosur që t’i përgjigjet i pari kërkesës së bërë një ditë më parë nga kreu i qeverisë, Edi Rama, për lirimin e hapësirave publike.

Përmes një video të postuar në rrjetet sociale, Luca ka hequr vullnetarisht strukturën e jashtme të lokalit të tij “Rozafa Tuna”, me qëllim për t’i dhënë më tepër hapësirë qytetarëve.

Biznesmeni thotë se ndonëse prej 25 vitesh ka paguar taksa dhe ka qenë i siguruar me një leje të posaçme për këtë strukturë, ai ka vendosur që ta largojë për të dhënë kështu edhe një shembull në komunitet.

“Për këtë hapësirë kam marrë leje dhe kam paguar taksa për 25 vjet. Siç thotë populli "sheh rrushi rrushin". E kam bërë i fundit dhe po e heq i pari për të dhënë shembullin tim. Lulet dhe gjelbërimi nuk do mungojnë para Rozafës, por pa penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve. Faleminderit për mirëkuptimin”, shkruan Luca.

Kjo lëvizje e Lucës erdhi pas “ultimatumit” që kryeministri u vendosi bizneseve një ditë më parë. Ai paralajmëroi sipërmarrësit se nuk do të ketë asnjë tolerim për këdo që ka guxuar që të zaptojë hapësirat e qytetarëve.

Ndërkohë, ditën e sotme, në terren “zbriti” vetë ministri i Brendshëm Ervin Hoxha. I shoqëruar nga drejtues të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit, Hoxha  inspektoi zonat e “Zogut të Parë”, “Pazarit të Ri”, pjesën pas Muzeut Kombëtar dhe kompleksin pranë zonës së “21 Dhjetorit” si dhe u bëri thirrje bizneseve që të lirojnë vullnetarisht hapësirat e zëna.

“Reagimet e para pozitive nga vetë subjektet nuk kanë munguar. Mirënjohje për të gjitha strukturat që, pavarësisht temperaturave të larta, janë në terren dhe për qytetarët që mbështesin përpjekjet për rregull dhe bashkëjetesë,” shtoi Hoxha.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH