Aktualitet

CONSERVATIVE VIEW nga Fitim Zekthi: Falsiteti dhe e vërteta e dy kongreseve

Shkruar nga Liberale
CONSERVATIVE VIEW nga Fitim Zekthi: Falsiteti dhe e vërteta e dy kongreseve

Fitim Zekthi

Tipari më dallues, ndoshta, i asaj që sot ndodh në vendin tonë është falsiteti, të bërit gjasme, e rrejshmja.

Kjo ndodh me shërbimin publik në spital, i cili është një karikaturë e asaj që duhet të jetë, kjo ndodh me koncesionet në ekonomi që gjasme janë bashkëpunim i publikes me privaten, por janë tenderë publikë që i jepen privatëve përmes një korrupsioni të llahtarshëm, kjo ndodh me inceneratorët që u shitën si çelësi që do të zgjidhte çështjen e pastrimit të vendit por që në fakt ishte një humbellë korrupsioni, kjo ndodh me muzikën ku forma dhe zhveshja ku imitacioni dhe plagjiatura janë gjasme këngë, kjo ndodh me diplomat universitare që japim çdo vit ku sigurisht gjysma e të diplomuarve kanë probleme serioze me te shkruarit e një fjalie të thjeshtë në shqip, kjo ndodh me, kjo ndodh me kryeministrin Rama, i cili thotë se po bëjmë shtet apo se kemi çliruar ekonominë në një kohë që sundimi i ligjit është në dorë të çdokujt që kërkon ta shkatërrojë atë dhe ekonomia është në një gjendje ku 2% e kompanive marrin 47% të parasë publike, kjo ndodh me lëvizjen Foltorja që gjasme do të çlironte opozitën dhe do bënte një opozitë të vërtetë dhe të mundte Ramën apo se do bënte revolucion, kjo ndodh me lavdërimet gjasme që i bëhen masivisht dikujt për një libër që ai shkruan apo për diçka tjetër ai ka bërë, kjo ndodh me përbetimet qesharake te deputetëve që vlojnë e ulërasin në parlament se gjamse po mbrojnë interesin e njerëzve etj Ky falsitet është kthyer në identitetin tonë.

Ka disa kohë që një nga format më të rënda të këtij falsiteti është qëndrimi ndaj reformës në drejtësi, ndaj luftës ndaj korrupsionit të lartë, ndaj prokurorisë speciale SPAK. E mësuar prej vitesh me një sistem prokurorie dhe gjykatash që nuk merrte kurrë në hetim apo gjykim politikanët e lartë, klasa politike 32 vjeçare është përfshirë nga makthi se kësaj epoke paprekshmërie po i vjen vdekja. Kjo klasë politike nuk e ka asfare në bindjen e saj, në formimin e saj, në ndonjë grimë ind të sajin idenë se askush nuk është mbi ligjin ose askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Kjo është një klasë politike e mëkuar, e ushqyer, e rritur, e formuar me idenë se pushtetarët e lartë, politikanët e lartë nuk mund të preken nga ligji.

Veprimet e kësaj klase politike, veprimet e dy - tre prej politikanëve më të lartë të vendit, Rama, Berisha dhe Meta dhe formacioneve të tyre politike ka kohë që kanë në qendër të tyre luftën ndaj reformës në drejtësi, luftën ndaj SPAk dhe deligjitimin e tij.

Dy kongreset apo dy mbledhjet e forumeve të më të lartë të Partisë Socialiste dhe të lëvizjes së Foltores ishin që të gjitha nën shenjën e luftës për të deligjitimuar SPAK, për të njollosur SPAK, për të mbajtur në këmbë idenë se disa politikanë të lartë janë mbi ligjin. Lëvizja e Foltores jo vetëm e sulmoi duke e quajtur SPAK vegël politike, duke e quajtur SPAK në shërbim të Ramës, duke e quajtur SPAK strukturë kriminale por miratoi edhe një rezolutë në Kuvend  që fliste me këtë gjuhë kundër SPAK.

Ndërkohë ka vite që lëvizja e Foltores dhe njerëzit e saj kryesorë flasin dhe përbetohen se duan drejtësi, se iu dhimbset vuajtja e popullit, se duan me çdo kusht ndëshkimin e politikanëve të lartë, se zemra e tyre rreh vetëm për të mundësuar një drejtësi që lufton që askush të mos jetë mbi ligjin. Foltorja zgjodhi një kohë gati tetë muaj pas zgjedhjeve për të votuar nëse do të rrinte kryetar i saj Berisha, nëse do të shkarkohej apo jo ai si përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve lokale. Ky ishte arsyetimi zyrtar. Në të vërtetë kërkim llogarie dhe votësim tetë muaj pas zgjedhjeve nuk ka as një Namibi apo Guine dhe kuvendi u mbajt për të treguar forcën e organizuar të Foltores kundër SPAK. Nuk kishte asnjë qëllim tjetër.

Kongresi i Partisë Socialiste,një kongres i jashtëzakonshëm (u mbajt jashtë radhe),  ishte edhe më i paarsyeshëm se sa një kuvend ( si i Foltores) tetë muaj pas zgjedhjeve. Në këtë kongres apolitik, pa ngjyrë dhe trajtë u vu re vetëm lufta ndaj reformës në drejtësi, ndaj SPAK. Rama sulmoi SPAK dhe tha se Shqipëria nuk është republikë e prokurorëve. Rama tha se reformën në drejtësi e ka bërë PS-ja duke u përpjekur ta njollosë. Ai ka thënë edhe herë të tjera se reforma në drejtësi është vepër e PS-së. Reforma në drejtësi në fakt është ideuar nga SHBA dhe është miratuar me forcën e presionit të SHBA-së. Rama vetëm ka dashur ta kapë, ta rrëzojë. Rama luftoi si i çartur të mos emërohej Altin Dumani në krye të SPAK, Rama bëri një akt qesharak nga makthi kur tha se ambasadores  amerikane ika mbaruar mandati. Rama u tërbua që ambasadorja ushtroi presion të mos zgjidh një i besuar i Ramën në krye të SPAK. Rama është penguesi baze i reformës duke bere njëkohësisht hipokrizisht rolin e përkraheshit baze. Reforma gjithsesi është akt I SHBA-se.

Falsiteti është gjendja natyrale e Ramës kudo dhe në çdo gjë. Në lidhje me reformën në drejtësi përbetimet e tij se ai ka punuar dhe punon për drejtësinë se ai përkrah me forcë drejtësinë janë janë e rrejshmja më e madhe e tij. Drejtuesit  prej te dekadash të politikës shqiptare, sistemi politik që ata drejtojnë dhe forcat e tyre politike sot janë përballë SHBA-së, janë përballë përpjekjes që askush të mos jetë mbi ligjin. Zëvendës ambasadori amerikan David Wisner u shpreh vetë qartësisht e ata janë krenare që përkrahin  SPAK, se politikanët e lartë duhet të përgjigjen dhe se SPAK nuk është as e Ramës dhe as e Berishës apo Metës dhe as kundër tyre në mënyrë personale. SPAK është thjesht një mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin.

Vlerat e një ligji që I ka kap të gjithë, e një sistemi ku askush nuk është mbi ligjin dhe të drejtën janë ngjizur shekuj më parë në kulturën politike dhe traditën amerikane. Shumë vende të tjera gjithashtu e kanë brendësuar këtë kulturë dhe traditë. Kjo nuk është një rastësi, reforma në drejtësi nuk është një rastësi apo një qellim politik praktik momental. Ajo që tha David Wisner, por edhe ajo që është burimi I reformës në drejtësi nuk janë diçka kalimtare, apo diçka e zbehtë dhe e shkatërrueshme. Ajo ka të bëjë me vlerat themeluese të SHBA-së dhe vendeve që duan një shoqëri të drejtë./Liberale.al

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Këto vlera për SHBA-në  janë ngjizur në luftën e tyre për pavarësi, në deklaratën e tyre të pavarësisë, në mendimet e themeluesve të saj dhe të dhjetëra mendimtarëve dhe patriotëve të atij vendi.

Ned Ryun, një filozof politik amerikan dhe këshilltar i presidentit Bush thotë e gjithë lufta për pavarësi kishte të bënte me pyetjen “Kush qeveris”, kishte të bënte me idenë e të drejtave trashendentale dhe sundimin e ligjit, kishte të bënte me bidnjen se askush nuk ëhstë mbi ligjin.

Kolonistët ose ata që themeluan SHBA-në të cilët erdhën kryesisht nga Anglia morën me vete edhe idetë të cilat ishin në Magna Carta, në Petition of Right dhe në Kartën e Masaçutes. Këto të drejta konsideroheshin të shenjta pavarësisht nëse ishin shkruar apo jo në letër sepse këto të drejta buronin dhe ishin në harmoni me ligjin natyror me një ligj shumë më të lartë. Ata besonin se këto të drejta iu ishin dhënë atyre nga Zoti, nga Krijuesi dhe asnjë pushtet tokësor nuk mund t’i prekte. Këto të drejta ishin e drejta e pronës, e shprehjes së lirë, e mbledhjes lirisht dhe e zgjedhjeve të lira si edhe e drejta për tu mbrojtur.

Këto të drejta trashendentale janë në zemër të pavarësisë së SHBA dhe në zemër të asaj që mishëron SHBA prej gati dy shekujsh e gjysmë. Këto të drejta e kanë bërë pronën të shenjtë për vlerat amerikane, e kanë bërë mbledhjen lirisht dhe zgjedhjet e lira të shenjta, e kanë bërë të drejtën e shprehjes të shenjtë e kanë të bërë të shenjtë edhe të drejtën e mbrojtjes. Në zemër të gjithçkaje është se askush, as Mbreti nuk është mbi Ligjin dhe se askush nuk mund të sulmojë, shantazhojë, kërcënojë, anashkalojë ligjin. Kurrë. Janë bash këto parime të cilat kongreset e Foltores dhe PS-së, qëndrtimet e drejtuesve politikë  prej tre dekadash të vendit tonë nuk I pranojnë dot. Kemi përballë falsitetin e politikës sonë dhe këto parime. Një falsitet nuk shkon kurrë gjatë sado i fortë të jetë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH