Letërsi

Botim i ri i UET PRESS/ Avokati Bilal Kola sjell udhërrëfyesin për të përmirësuar jetën në mënyrë radikale

Shkruar nga Liberale
Botim i ri i UET PRESS/ Avokati Bilal Kola sjell udhërrëfyesin

Çfarë e motivon një racionalist e  një proceduralist për nga vokacioni të shkruajë një libër, i cili mëton të përmirësojë radikalisht cilësinë e jetës të kujt e lexon atë? Bilal Kola e ka një përgjigje. “Vetëpërmirësimi”,  thotë ai.

Në ceremoninë e përurimit të librit, që në dukje e gjen larg profesionit të tij si jurist e avokat, Kola foli më shumë rreth arsyeve që e shtynë të sillte “12 Mentalitete për të përmirësuar në mënyrë radikale cilësinë e jetës”,  që në letrat shqipe cilësohet si pionier i zhanrit të motivimit.

Ndonëse ka përkthime sporadike të autorëve të huaj, që kanë eksploruar tema të tilla të vetëzhvillimit, Bilal Kola është i pari autor shqiptar. Ai niset nga ngjarje e personazhe të kontekstit lokal për të kaluar më pas te tematikat më të gjera e konceptet universale.

“Ne, si qenie njerëzore qëkur jemi krijuar, duam të jemi të lumtur. Është organike”, tha autori gjatë promovimit të librit. “Në fakt, është iluzion kjo  puna e lumturisë. Sepse dija empirike thotë se ne kërkojmë lumturinë,  por ajo që marrim është zhvillim. Nuk  arrijmë lumturinë, thjesht zhvillohemi”, sqaroi më tej për të pranishmit avokati.

Bilal Kola qaset për të sjellë një komunikim me lexuesin brenda mjedisit shqiptar, duke ndërtuar një narrativë të organizuar në 12 kapituj, që nis që nga marrëdhënie me pasqyrën e gjithsecilit, rrek konceptet e faljes, pranimit, forcës për të ndryshuar, inteligjencës emocionale, sociale, të gjithë përpjekjes për ta parë veten protagonist në të shkruarit të  fatit tënd. Ky libër i autorit Bilal Kola vjen në logon e botimeve “UET PRESS”.  Teksti i pasuruar sa me ngjarje personale aq edhe me referenca autorësh të huaj e studime nga katedra prestigjioze universitare, mëton të jetë një udhërrëfyes për vetëpërmirësim.

“Autori, në faqet e librit përfshin shumë nga këta autoritete,  sikurse edhe njerëz që kanë arritur të frymëzojnë botën në përpjekje për  t’i folur lexuesit përmes këtyre shembujve, por edhe përmes një narrative që vjen nga mjedisi ynë, përmes historive personale, të vetat, të vogla, të ngulitura në mentalitetin dhe shoqërinë shqiptare e  për ta shtrirë rrugën drejt një komunikimi të ri dhe një marrëdhënie të re me veten”, u shpreh kryeredaktorja e UET PRESS, Suela Mino.

Kohërat e sotme kanë sjellë për shoqërinë njerëzore dhe individin si hallkë e saj, një rraskapitje nga racionaliteti. Gjithnjë e më shumë njerëzit po ndjekin forma më alternative, që i çon drejt eksplorimit të botës së brendshme e shpirtërore.

Në librin e tij, Kola shkruan se i beson shprehjes se kush mëson të tjerët, mëson në fakt edhe veten. Përtej qasjeve teorike dhe praktike që sjell për lexuesit, Kola është një shembull i  gjallë i asaj që beson dhe propagandon, përmes këtij teksti. I lindur në një familje  të deklasuar nga regjimi diktatorial, atij iu desh ta kalonte fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë në kampe internimi. Kjo nuk e ndaloi të dilte jashtë mendësive të ngulitura për të përmirësuar veten e për t’ia dalë si profesionist, në fushën e tij.

Bilal Kola u lind dhe jetoi deri në moshën 18 -vjeçare në një kamp internimi të regjimit komunist në afërsi të Lushnjës. Pas ardhjes së pluralizmit, u zhvendos në Tiranë, ku jeton dhe aktualisht. Përgjatë viteve 1990, ai përfundoi shkollën e mesme, e cila i ishte privuar në regjimin komunist si formë ndëshkimi për origjinën e tij dhe studimet Bachelor dhe Master për Drejtësi, në London South Bank University dhe London Metropolitan University. Midis kualifikimeve të tjera akademike, gjithashtu ai ka përfunduar Doktoraturën për Studime Strategjike në International University Mongomery, ShBA, në kampusin e Vjenës, në Austri.

Përgjatë karrierës së tij, rreth 25 vjeçare, ka punuar për institucione dhe korporata të rëndësishme në Shqipëri e jashtë, si dhe ka dhënë leksione në universitete të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë. Ai, gjithashtu, ka mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e shtresës së ish- të përndjekurve politikë.

Mundësitë  psikologjike të njeriut, kapaciteti i tij shpirtëror, ndijor apo intelektual janë të pakufishëm dhe shpeshherë nuk iu nënshtrohen ligjësive të logjikës, racionalitetit, shkruhet në parathënien e librit. Kjo vjen si një goditje për besimin e pozitivistëve dhe racionalistëve, që në krye të herës menduan se meqenëse shkenca mund të njohë diçka, ajo mund të njohë gjithçka.

Debati mes shkencës dhe këtij zhanri  literature, shkencës së menaxhimit dhe të psikologjisë e të motivimit, është  i madh. Por  fakti që ky debat ekziston e prodhohen libra, metoda, qasje apo praktika të asaj që njihet si motivation, tregon nevojën që ka njeriu racional i shekullit XXI për një hapësirë subjektive, për një hapësirë vetëkrijimi, për të thirrur në ndihmë potencialin e pafundmë të njeriut.

Vetë autori tha se në këtë libër, që disa mund ta konsiderojnë që shkon përtej metodave të njohura shkencore, ka dhjetëra referenca studimesh.

Janë 18 studime shkencore, nga Oxford, Harvard apo Cambridge, tha Kola, që dalin në përfundimin se 90 përqind e asaj që cilësohet sukses në shoqëri, nuk i atribuohet inteligjencës njohëse. “...por asaj që është inteligjencë sociale dhe emocionale, që nuk është e lindur dhe me vullnet shkon në nivele përmirësimi të jashtëzakonshme”, tha Kola. Ai zbuloi se inteligjenca emocionale është vetëm një element në kapitujt e librit të tij.  Në botën e sotme, tha autori, kompanitë po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendjen inteligjencës emocionale në rekrutimin e CEO-ve, drejtorëve ekzekutivë, duke i kaluar në rend të dytë kredencialet e ekspertizës apo të shkollimit, që dikur ishin parësore dhe thelbësore në përzgjedhjen e kuadrove të tillë.

Në librin e tij, Kola elaboron koncepte si të të jetuarit në të tashmen, manifestimi kolektiv, joga e meditimi, pranimi dhe ndryshimi i realitetit, falja, mendja e hapur dhe e mbyll atë me parimin e lumturisë apo të vetëpërmbushjes.

Në  bindjen e autorit,  kultivimi dhe praktikimi i një numri të caktuar mentalitetesh mund të rezultojë gjëja më e rëndësishme që gjithkush mund të bëjë në jetë. Mentalitetet e secilit prej nesh ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezultatet që lidhen  shëndetin – të mirë ose jo të mirë; të qenët konfident dhe me vetëvlerësim ose jo; paqen e brendshme ose mungesën e saj; suksesin në karrierë, profesion, biznes ose mungesën e tij; pasjen e një jete cilësore dhe të mirëbalancuar ose jo; pasjen e marrëdhënieve – profesionale, romantike dhe shoqërore – cilësore ose jo; etj.

Është një fakt i gjithëpranuar, mendon Kola, që me anë të mentaliteteve përkatëse jo vetëm krijojmë eksperiencat tona përkatëse me realitetin, por janë pikërisht ato që formësojnë mendimet dhe gjykimet tona për çfarë është e mundur ose e pamundur në jetë, çfarë ne jemi të aftë ose të paaftë për të bërë,  çfarë ne eventualisht bëjmë në jetë (qoftë nga këndvështrimi profesional ose personal),  mënyrat se si e bëjmë,  si reagojmë ndaj ndodhive të ndryshme që pashmangshmërisht ndodhin në jetën e gjithsecilit prej nesh, etj.

“A ia vlen të jemi thjesht procedurialisht dhe njerëz që qëmtojnë shifra,  pa eksploruar veten?”, pyet Bilal Kola. Libri i tij, shton, nuk është pa shifra. Por qëllimi i tij parësor është të krijojë mundësinë e veteksplorimit, vetëpërmirësimit dhe vetaktualizimit.

Një libër për gjithkënd që ka mendje të hapur e që do të bëjë diçka përtej konvencionales.

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH