Një grua me origjinë nga Gjeorgjia, e cila punonte si pastruese në ishullin grek të Kiosit, do të dalë para gjykatës për të dhënë llogari për një zjarr që dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia e saj.
Sipas autoriteteve greke, gruaja ka pranuar se kishte hedhur një cigare të ndezur në tokë, pa menduar për rrezikun. Pikërisht kjo cigare dyshohet se shkaktoi njërin nga pesë zjarret që kanë përfshirë ishullin ditët e fundit.
Zëvendësdrejtori i shërbimit zjarrfikës në Kios tha se gruaja u kap në flagrancë dhe është mbajtur në paraburgim. Ajo do të dëshmojë para prokurorëve këtë të premte. Disa dëshmitarë e kanë konfirmuar ngjarjen, duke e forcuar akuzën ndaj saj.
Ndërkohë, autoritetet po hetojnë edhe për zjarret e tjera që kanë shpërthyer në zona të ndryshme të ishullit, pasi dyshohet se disa prej tyre mund të jenë ndezur me qëllim.
Që nga e diela, mbi 400 zjarrfikës, avionë të posaçëm dhe shumë vullnetarë janë duke punuar pa pushim për të shuar flakët. Disa fshatra janë evakuuar, dhe ishulli është shpallur në gjendje të jashtëzakonshme. Deri tani, mbi 40,000 hektarë janë djegur nga zjarret.
Greqia po përjeton një periudhë shumë të nxehtë, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 40°C. Për shkak të ndryshimeve klimatike dhe kushteve të thata, vendi është gjithnjë e më i rrezikuar nga zjarret.
Për të parandaluar raste të tilla, qeveria greke ka ashpërsuar ligjet për zjarrvënie. Tani, kushdo që shkakton zjarr me qëllim mund të dënohet me deri në 20 vjet burg dhe me gjoba deri në 200 mijë euro.