Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, është takuar sot në Vatikan me Papën Leonin XIV, i cili është Papa i parë amerikan në historinë e Kishës Katolike.
Gjatë takimit, Vance i dorëzoi Atit të Shenjtë një ftesë zyrtare për të vizituar SHBA-në. Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, takimi u zhvillua në mëngjes dhe ishte “i mirë dhe produktiv”. Ajo shtoi se Presidenti Trump “shpreson ta mirëpresë Papën në Uashington sapo ai të jetë në gjendje të udhëtojë”.
Vance gjithashtu i dha Papës një letër personale nga Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, me ftesën zyrtare për të vizituar Shtetet e Bashkuara.
Kujtojmë që në të kaluarën, marrëdhëniet mes Vatikanit dhe administratës Trump kanë qenë të tensionuara, veçanërisht për shkak të politikave ndaj emigracionit. Megjithatë, ky takim duket se është një hap drejt përmirësimit të tyre.