Marrëdhëniet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij francez Emmanuel Macron janë përkeqësuar edhe më shumë pas një përplasjeje të hapur pas samitit të G7 në Kanada.
Gjithçka nisi kur Macron tha gjatë një konference për shtyp se Trump ishte larguar herët nga samiti për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Iranit. Por Trump reagoi menjëherë në rrjetin e tij social “Truth Social”, duke thënë se kjo nuk ishte e vërtetë dhe duke akuzuar Macron se “kërkon vëmendje” dhe “gabon gjithmonë”.
Trump shkroi se arsyeja e kthimit të tij në Uashington është “shumë më e rëndësishme” se çështja e paqes, por nuk tregoi se për çfarë bëhej fjalë. Ai e mohoi të kishte shkuar për të ndërmjetësuar ndonjë armëpushim.
Përplasja publike mes dy liderëve vjen pas disa muajsh marrëdhënie të tensionuara, ku Macron ka kritikuar politikat e Trump, si për Rusinë, për tregtinë, dhe për idenë që SHBA të blinte Groenlandën. Vetëm pak ditë para G7, Macron vizitoi Groenlandën dhe tha se “Groenlanda nuk është në shitje”, një përgjigje e qartë ndaj Trump.
Në samitin e G7, ndarjet u thelluan edhe më shumë. Trump kërkoi që Rusia të rikthehej në bisedime, por Macron dhe të tjerë e kundërshtuan. Trump madje propozoi që Vladimir Putin të ishte ndërmjetësues mes Izraelit dhe Iranit – një ide që u kritikua nga shumica.