Akropoli, një nga atraksionet më të vizituara turistike në Greqi, do të qëndrojë i mbyllur të martën për disa orë, për shkak të të nxehtit të madh që ka përfshirë vendin.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, monumenti do të mbyllet nga ora 13:00 deri në 17:00 me orën lokale, për të mbrojtur vizitorët dhe punëtorët nga temperaturat e larta. Në Athinë pritet që temperatura të arrijë deri në 38°C, ndërsa në disa pjesë të tjera të Greqisë priten deri në 42°C.
Autoritetet kanë shpallur alarmin e nivelit të katërt për rrezik nga zjarret, që do të thotë se ekziston një rrezik shumë i lartë për përhapje të flakëve. Vala e të nxehtit pritet të zgjasë deri të mërkurën, ndërsa nga e enjtja temperaturat do të nisin të bien gradualisht.
Akropoli është mbyllur edhe herë të tjera më parë për shkak të të nxehtit, përfshirë verën e kaluar. Vetëm gjatë vitit 2024, atë e vizituan rreth 4.5 milionë persona.
Përveç mbylljes së monumenteve, Greqia ka marrë edhe masa të tjera mbrojtëse. Ministria e Punës ka vendosur që në disa zona punonjësit që punojnë jashtë të ndalojnë punën për pesë orë gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Ndërkohë, zjarre janë raportuar edhe në vende të tjera të Evropës, si Franca dhe Spanja. Ekspertët paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe më të rrezikshme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore.