Komisioni Europian i ka vendosur Greqisë një gjobë të madhe prej 392.2 milionë eurosh, sepse nuk ka menaxhuar siç duhet fondet bujqësore të Bashkimit Europian gjatë viteve 2016–2023.
Agjencia shtetërore greke që mbikëqyr subvencionet për bujqësinë, OPEKEPE, është akuzuar për pagesa pa kontrolle të mjaftueshme dhe pa inspektime në terren. Në disa raste, qytetarë grekë kanë përfituar para nga BE për kullota që nuk i kishin ose për punë bujqësore që nuk i bënin fare. Këto para duhej të shkonin për fermerët e vërtetë.
Rasti është tani nën hetim nga Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO), e cila po shqyrton dhjetëra raste mashtrimi.
Si pasojë e skandalit, qeveria greke ka vendosur të mbyllë agjencinë OPEKEPE. Ndërkohë, nga 1.9 miliardë euro që Greqia do të merrte nga BE për bujqësinë vitin tjetër, rreth 1/4 e kësaj shume nuk do t’i jepet për shkak të gjobës.