Në një konferencë me gazetarët të mbajtur këtë të hënë në Kremlin, zëdhënësi Dmitry Peskov reagoi ndaj komenteve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e cilësoi presidentin rus Vladimir Putin si “tërësisht të çmendur” për shkak të intensifikimit të sulmeve në Ukrainë.
Peskov tha se deklaratat e Trump mund të jenë emocionale për shkak të përfshirjes së tij në negociatat që kanë nisur për arritjen e paqes.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm që lidhet me një mbingarkesë emocionale të të gjithë të përfshirëve dhe reagime emocionale”, tha ai, duke nënkuptuar se disa deklarata duhen parë në këtë kontekst.
Megjithatë, Peskov theksoi rëndësinë e përpjekjeve amerikane në nxitjen e procesit të negociatave.
“Sigurisht, fillimi i procesit të negociatave, për të cilin pala amerikane bëri shumë përpjekje, është një arritje shumë e rëndësishme dhe ne jemi vërtet mirënjohës ndaj amerikanëve dhe personalisht ndaj Presidentit Trump për ndihmën e tyre në organizimin dhe nisjen e këtij procesi”, u shpreh ai.
Në lidhje me vendimet e presidentit rus, Peskov u shpreh se Putin vepron në funksion të sigurisë kombëtare.
“Ne i monitorojmë me kujdes të gjitha reagimet. Megjithatë, Presidenti Putin merr ato vendime që janë të nevojshme për sigurinë e vendit tonë.”
Ai gjithashtu akuzoi qeverinë e Kievit për tentativa të vazhdueshme për të goditur territorin rus.
“Të gjithë ishim dëshmitarë se si regjimi i Kievit kërcënoi udhëheqësit e huaj përpara se ata të vinin në Moskë për të përkujtuar Ditën e Fitores. Dhe shumë udhëheqës që ishin këtu dëshmuan përpjekjet e regjimit të Kievit për të goditur territorin rus me dronë, qytete të mëdha, madje edhe kryeqytetin, në prag të një dite kaq të rëndësishme.”
Peskov përmbylli duke theksuar se përballë këtyre kërcënimeve, Rusia do të vazhdojë të marrë masat që gjykon të domosdoshme për mbrojtjen e saj.