Vjosa Osmani është takuar me kreun e shtetit turk, Rexhep Tajip Erdogan.
“Lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfide e në çdo sukses dhe një zë i fuqishëm i miqësisë e vizionit të përbashkët” - tha Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani teksa nuk i kurseu lavdërimet për Rexhep Tajip Erdogan pas takimit me të në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias.
Gjatë takimit- sipas mediave turke- u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Kosovës, si dhe çështje rajonale dhe globale. "Gjatë takimit, Presidenti Erdoğan deklaroi se Turqia është e vendosur të zhvillojë marrëdhëniet me Kosovën në çdo fushë, se të dy vendet janë afër arritjes së objektivit të vëllimit tregtar prej 1 miliard eurosh dhe se objektivi mund të rritet në 3 miliardë euro" - raportojnë mediat turke.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani e theksoi se Erdogani është “një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë”, siç tha ajo.
“Turqia është dhe do të mbetet një partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal. Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi, janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen”, ishte mesazhi i përcjellë. Vjosa Osmani po qëndron në Turqi me ftesë të Erdoganit.
Në Antalia i nisi sot punimet edicioni i katërt i Forumit dyditor të Diplomacisë, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, nën patronazhin e kreut të shtetit atje. Forumi këtë vit trajton temën “Rikthimi i Diplomacisë në një Botë të Fragmentuar”, e cila pasqyron nevojën urgjente që diplomacia të vihet në pah si forcë stabilizuese, mes rritjes së tensioneve globale.
Përveçse një prej vendeve me praninë më të madhe të investimeve direkte në Kosovë, Turqia është gjithashtu një ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e saj shkurtin e vitit 2008.