Babai i Hashim Thaçit, Haxhi Thaçi i cili ndërroi jetë më 16 mars, sot do të përcillet për në banesën e fundit.
Familja Thaçi ka hapur sot dyert për homazhe, ku miq, të afërm, qytetarë janë mbledhur për të nderuar të ndjerin dhe për të shprehur ngushëllime familjes.
E ndërsa e gjithë familja është mbledhur për t'i bërë nderimet e fundit njeriut të dashur të tyre, i biri, ish-Presidenti Hashim Thaçi nuk është lejuar nga Gjykata Speciale që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
Lidhur me këtë vendim reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi vendimin e Gjykatës Speciale, si të turpshëm dhe një ulje të re nga një gjykatë e paturpshme.
“Një ulje e re nga një gjykatë turpëruese dhe e paturpshme, e cila e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe, dhe vullnetin e Parlamentit të Kosovës në një boomerang të dhunshëm”, shkroi Rama.
Ndërkohë, homazhet do të vazhdojnë deri në orën 12:00, ndërsa varrimi i Haxhi Thaçit do të bëhet në orën 15:00, në varrezat e fshatit Burojë, Skenderaj.
Kujtojmë se pak ditë para se të ndërronte jetë i ati, Hashim Thaçi e vizitoi atë në spitalin e Prishtinës, ku qëndronte i shtruar prej disa ditësh. Ai ishte dhe takimi i fundit mes tyre, para se Haxhi Thaçi të mbyllte sytë, duke u larguar përgjithmonë nga kjo botë.