
Të martën është caktuar rendi i ditës për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës që është caktuar të mbahet më 15 prill.
Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të nëntë shkurtit, ka në përgjegjësi të propozojë kryetarin e Kuvendit, post për të cilin akoma nuk një propozim.
Kjo për shkak se nuk i ka 61 votat e kërkuara për ta votuar dhe Lëvizja Vetëvendosje është në kërkim të një partneri të koalicionit.
Glauk Konjufca, kryetar në detyrë i Kuvendit të Kosovës: “Kur jemi te qeveria është e pamundur pa u themeluar një koalicion, i cili e krijon mazhorancën e aftë për me e zgjedhë me 61 vota një qeveri të re. Prandaj të gjitha pozicionet unë do ta kisha futë këtu edhe pozicionin e kryetarit të Kuvendit të RKS i nënshtrohen këtij principi”.
Konjufca ka treguar se deri më tani, kryetari i LVV-së, Albin Kurti një ftesë i ka bërë vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo që si kusht për koalicion ka postin e kryeministrit. Lëvizja Vetëvendosje nuk negocion për pozitën e kryeministrit tha Glauk Konjufca të martën.
Lidhja Demokratike e Kosovës në anën tjetër, përmes anëtares së saj, Doarsa Kica Xhelili tha se nuk hyn në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Kur ne kemi potencuar se nuk hymë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje nuk kemi vendosur kushtëzime në raport me këtë qëndrim, sepse vetë ky qëndrim në vetvete është parim i yni dhe është qëndrim që ne e kemi shfaqur publikisht”, tha Xhelili.
Më neutrale në përgjigjen për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje ishte Partia Demokratike e Kosovës. Uran Ismaili, nënkryetar i kësaj partie tha se në rast dështimi të partisë së parë, janë të gatshëm të nisin negociatat për formimin e një qeverie me partitë e tjera.
“Unë e kam bindjen se nëse ka një paaftësi të partisë së parë për të formuar qeverinë, kam një bindje që zoti Hamza është person mjaft i aftë për të ndërtuar një koalicion i cili e ka në fokus të realizojë atë që ka premtuar”, u shpreh Ismaili.
Nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje mori 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, AAK-NISMA 8. Sipas këtij rezultati, formimi i institucioneve nuk mund të bëhet nga një parti e vetme.