Sulmet izraelite vranë të paktën 60 vetë në mbarë Gazën të hënën në disa prej sulmeve më të rënda. Intensifikimi i ofensivës izraelite vjen ndërsa prej Uashingtonit ka një nismë të re për armëpushimi nga presidenti Donald Trump.
Një ditë pasi Trump bëri thirrje “bëni marrëveshjen në Gaza, ktheni pengjet”, ministri i çështjeve strategjike të Izraelit, Ron Dermer, një njeri i afërt dhe i besuar i kryeministrit Benjamin Netanyahu, po udhëton për në Uashington për bisedime mbi Iranin dhe Gazën.
Dermer pritet të takohet me zyrtarë të administrates Trump të martën, i tha një burim agjencisë Reuters në Uashington. Ministri pritet të diskutojë gjithashtu edhe vizitën e ardhshme të Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë. Në Izrael, kabineti i sigurisë i Netanyahut pritet të mblidhet për të diskutuar hapat e ardhshëm në Gaza.
Por në terren në enklavën palestineze, nuk ka shenja të ndalimit të luftimeve. Ushtria izraelite lëshoi urdhra evakuimi të hënën për banorët në lagje të mëdha të veriut të Gazës, duke detyruar një valë të re zhvendosjeje.
“Shpërthimet nuk u ndalën kurrë; ata bombarduan shkolla dhe shtëpi. Shpërthimet ndiheshin si tërmete”, tha 60 vjeçari Salah, baba i pesë fëmijëve, nga Qyteti i Gazës. “Në lajme dëgjojmë se një armëpushim është afër, në terren shohim vdekje dhe dëgjojmë shpërthime.”
Tanket izraelite hynë në zonat lindore të qytetit të Gazës dhe bombarduan papushim, ndërsa avionët bombarduan të paktën katër shkolla, pasi urdhëruan qindra familje që strehoheshin brenda të largohen.
Të paktën 58 persona u vranë nga sulmet izraelite të hënën, sipas autoriteteve shëndetësore. Ushtria izraelite tha se goditi objektiva të militantëve në Gazën Veriore, por nuk dha asnjë informacion për viktimat e raportuara në jugperëndim të Rripit të Gazës dhe një kafenenë buzë detit.