Një ish-stjuardesë nga Britania e Madhe është arrestuar në Sri Lanka, pasi në bagazhin e saj u gjetën mbi 100 kilogramë drogë sintetike shumë të rrezikshme, me përbërje të pazakontë dhe tronditëse.
Charlotte May Lee, 21 vjeç, u ndalua në aeroportin ndërkombëtar të Kolombos, pasi autoritetet dyshuan për përmbajtjen e valixheve të saj. Gjatë kontrollit, u zbulua një lloj i ri droge e njohur si “kush”, e cila vjen nga Afrika Perëndimore dhe dyshohet se përmban kocka njeriu si pjesë e përbërjes së saj. Vlera e drogës në treg kap shifrën e 3.3 milionë dollarëve.
Droga “kush” është cilësuar nga autoritetet si shumë vdekjeprurëse, pasi ka shkaktuar dhjetëra viktima në javë vetëm në Sierra Leone. Për shkak të kërkesës së lartë, në këtë vend janë shënuar raste të shumta të grabitjeve të varrezave për të siguruar përbërësit e drogës.
Charlotte May Lee, e cila jetonte në Tajlandë, thotë se është e pafajshme dhe se nuk kishte dijeni për drogën në valixhet e saj. Ajo pretendon se është zënë në kurth dhe ka theksuar se e di kush mund të qëndrojë pas kësaj ngjarjeje, por nuk ka përmendur emra.
Aktualisht, ajo po mbahet në një burg të sigurisë së lartë në veri të Kolombos, në kushte të vështira, ku sipas avokatit të saj, fle në dysheme betoni. Pavarësisht gjithçkaje, ajo ka arritur të mbajë kontakt me familjen.
Ndërkohë, rasti i saj është krahasuar me një tjetër ngjarje të ngjashme, ku një britanike tjetër, Bella Callie, u arrestua në Gjeorgji me 30 kilogramë marihuanë dhe hashash, vetëm pak ditë më vonë.