Një vatër zjarri e madhe ka përfshirë zonën pranë qytezës detare Palaia Fokaias, rreth 40 kilometra në jug të Athinës, duke rrezikuar shtëpitë e banorëve vendas. Autoritetet greke kanë urdhëruar evakuimin e katër vendbanimeve për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit, e nxitur edhe nga erërat e forta që po fryjnë në zonë.
Në përpjekje për të kontrolluar flakët, në terren janë angazhuar 90 zjarrfikës, të mbështetur nga tetë avionë dhe pesë helikopterë që hedhin ujë nga ajri. Pamjet televizive tregojnë shtëllunga të mëdha tymi dhe helikopterë në aksion ndërsa zjarri vazhdon të përhapet.
Greqia po përballet me temperatura të larta, që kanë arritur deri në 38 gradë Celsius, dhe kjo e vështirëson ndjeshëm punën e zjarrfikësve. Shpërthimet e shpeshta të zjarreve vitet e fundit lidhen me ndryshimet klimatike, të cilat kanë shkaktuar kushte ekstreme moti, si temperatura të larta dhe thatësira.
Përballë këtyre sfidave, qeveria greke ka investuar shuma të mëdha për të kompensuar banorët dhe fermerët e dëmtuar, si dhe për të blerë pajisje të reja për zjarrfikësit. Numri i tyre është rritur në rekord, me 18,000 zjarrfikës aktivë këtë vit, për të përballuar një sezon të vështirë zjarresh që pritet të vijë.