Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka konfirmuar mbështetjen e saj të vazhdueshme për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke ndjekur trashëgiminë e ish-kancelarit Olaf Scholz në këtë proces. Berlini zyrtar ka theksuar se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është rruga e vetme drejt një paqeje të qëndrueshme dhe stabiliteti në rajon.
Pak javë pas formimit të Qeverisë së re në Gjermani, emisari i ri i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, danezi Peter Sorensen, ka vizituar Berlinin, ku është takuar me zyrtarë të lartë gjermanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Geza Andras von Geyr, dhe këshilltarin për politikë të jashtme të kancelarit të ri, Friedrich Merz.
“Ne e mbështesim plotësisht emisarin Sorensen dhe i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen me përgjegjësi dhe konstruktivitet në bisedime. Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane për Gazetën Express.
Gjermania kujtoi edhe përfitimet konkrete që kanë ardhur nga dialogu deri tani, si marrëveshja për targat e makinave dhe çështja e furnizimit me energji elektrike në veri të Kosovës.
“Dialogu ka sjellë përparime reale në vitet e fundit. Po punojmë gjithashtu për më shumë zgjidhje pragmatike dhe për bashkëpunim rajonal përmes Procesit të Berlinit, i cili do të ketë ndikim pozitiv në Kosovë dhe Serbi”, u shpreh zëdhënësi.