Reperi i njohur Sean 'Diddy' Combs është përballë drejtësisë për akuza të rënda si trafikim seksual me forcë, komplot për zhvatje, mashtrim dhe transportim për prostitucion. Gjyqi ndaj tij ka hyrë në ditën e tretë, sipas gazetës Mirror.
55-vjeçari u arrestua në shtator dhe që prej asaj kohe ndodhet në paraburgim. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat dhe disa herë ka kërkuar të lirohet me kusht, por gjykata i ka refuzuar kërkesat.
Të martën, në gjykatë dëshmoi ish-partnerja e tij Cassie Ventura. Ajo foli për përjetime të rënda, duke treguar se Combs e detyronte të merrte pjesë në akte seksuale në grup, shpesh nën efektin e drogës. Ai i quante këto “netët e mbretit të egër” ose “freak offs”.
Cassie u përlot gjatë dëshmisë kur tha se ndihej e turpëruar dhe e poshtëruar, dhe se nuk kishte mundur t’i tregonte askujt për atë që përjetonte. Ajo shtoi se e vetmja gjë që e mbante aty ishte dëshira për të qenë pranë Combs.