Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, ka reaguar pas aksidentit tragjik të një autobusi në Somerset, ku ndodheshin rreth 70 nxënës. Deri tani raportohet se një fëmijë ka humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur.
“Nuk ka fjalë të mjaftueshme për të shprehur dhimbjen për humbjen e jetës së një fëmije,” u shpreh Starmer në një deklaratë publike, duke shtuar se mendimet e tij janë pranë familjarëve, prindërve, miqve dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo tragjedi.
Kryeministri falënderoi gjithashtu ekipet e emergjencës për ndërhyrjen e menjëhershme dhe përkushtimin e treguar në vendngjarje, duke bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet për të ndjekur nga afër situatën.
Sipas BBC, autobusi transportonte 60 deri në 70 persona, kryesisht nxënës që po ktheheshin nga një ekskursion. Si pasojë e aksidentit, 19 persona janë dërguar me urgjencë në spital me autoambulanca, ndërsa dy të tjerë janë transportuar me helikopter për shkak të plagëve të rënda. Dy fëmijë raportohet se ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Shërbimi i Zjarrfikësve të Devon dhe Somerset bëri të ditur se autobusi kishte dalë nga rruga në një zonë të thellë rurale dhe kishte rrëshqitur rreth 6 metra poshtë një shpat, duke u përmbysur.
“U angazhuam në një incident madhor, ku një autobus ishte përmbysur dhe kishte rrëshqitur rreth 6 metra poshtë një shpat,” deklaroi shefi i Zjarrfikësve, Gavin Ellis.
Një banor i zonës, dëshmitar i ngjarjes, e përshkroi skenën si “tronditëse” dhe tha për BBC: “Zona është shumë e pjerrët dhe autobusi ishte i madh. Ishte një pamje e tmerrshme… më vjen shumë keq për të gjithë fëmijët që ishin brenda.”
Aktualisht, operacionet e shpëtimit dhe sigurimit të zonës vijojnë, ndërkohë që autoritetet po hetojnë shkaqet që çuan në këtë aksident të rëndë.