Analizë

ANALIZË nga Preç Zogaj: Një autoprofeci e realizuar

Shkruar nga Liberale

Preç Zogaj

Ka mendime të ndryshme, nganjëherë të kundërta për librat autobiografikë si lloj. Unë qëndroj në anën e atyre që mendojnë se ato kanë vlerë njohëse të pazëvendësueshme.

Sa do të donim të kishim një libër të tillë nga Naim Frashëri, për shembull.  Dhe nga të tjerë shkrimtarë, artistë, shkencëtarë të shquar, të cilët zakoni, mosdashja, shija e qëndrimit në enigmë apo vdekja e parakohshme i ka marrë pa na lënë dëshminë e rrugëtimit të tyre.

I mbështetur tashmë gjerësisht nga vepra e tij e jashtëzakonshme, piktori Pashk Përvathi, i përket grupit të artistëve që mendojnë se nuk duhet ta lënë përtokë, domethënë pa e sistemuar e treguar aventurën e tyre në të përpjetat e artit. E dëshmon me librin e  tij autobiografik “Rrugëtimi im”, botuar ditët e fundit nga shtëpia botuese “Toena”, një kolazh  me kujtime dhe evokime të larmishme që nga fëmijëria e hershme deri në periudhën e pjekurisë së tij si piktor që rrëfejnë si u nis, si vazhdoi dhe si vazhdon në ketë rrugë.

Ai ndan me lexuesit sintezën e jetës së tij veshur me episode tërheqëse e domethënëse për artistin, familiarin, njeriun publik, intelektualin; ndan burimet e formimit të tij ideo-artistik, mënyrën e të punuarit, përgjigjet për pyetje që mund të mbeten pa përgjigje ose të marrin përgjigje të mangëta, apo edhe spekulative në mungesë të fjalës së autorit. Libri e mban pezull kureshtjen dhe të tërheq me stilin e qartë dhe shpeshherë didaskalik të të shkruarit.

Ndodh rrallë të lexosh një libër autobiografik dhe të shohësh të rrjedhë aty, si në një lumë të pastër, bashkëngjitur apo paralel me jetën e autorit, edhe jeta jote. Nuk mund të mos më ndodhte mua duke lexuar librin e Pashkut.  Kemi  lindur fqinjë, as njëqind metra larg në hapësirë, as tetëdhjetë ditë larg në kohë. Ai është njeriu i parë që mbaj mend të kem parë  jashtë rrethit të njerëzve të familjes sime. Pashku thotë se më ka parë ai i pari mua dhe mund të  vazhdojmë të mos biem dakord për këtë hollësi të parëndësishme.

Por e dimë se pas kësaj kemi  qenë shokë, kemi folur e luajtur pa fund në livadhin mes dy shtëpive tona, të cilat ai i ka përjetësuar si përrallore  në një prej pikturave të tij me të bukura, në një natë me hënë mbi peisazhin e borës së ngrirë. Ka qenë e natyrshme që me kalimin e kohës të kemi ndjekur rrugë dhe destinacione të ndryshme, duke mbetur të bashkuar në trungun e kujtimeve, ëndrrave  dhe ekzigjencave të  fëmijërisë, adoleshencës dhe rinisë sonë të përbashkët.

Për gjithë këtë të shkuar të hershme kujtesa dhe pena e Pashkut sjellin në librin “Rrugëtimi im” një galeri personazhesh  që kanë lenë gjurmë të pashlyeshme në formimin tonë, - mësuesit e jashtëzakonshëm të shkollës së Manatisë, mësuesit e shkollës së mesme dhe shumë të tjerë, - ndërthurur në një larmi episodesh që kanë shënuar ravgimin e Pashkut  si artist piktor.

Në vlerësimin e shumë artistëve dhe kritikëve të artit, sikurse të admiruesëve të shumtë nga bota e artadashësve, Pashk Përvathi cilësohet si një piktor shumë i talentuar, me një vepër të rekordeve për nga numri i pikturave dhe unikale nga origjinaliteti. Vepra e tij, portrete, peisazhe apo tablo qofshin, është marka e tij e pakonfondueshme edhe kur qëndron brenda klasikes, edhe kur kërkon dhe eksperimenton me format dhe ngjyrat.

“Rrugëtimi im” është shkruar me dorë në zemër, me sinqeritet.

Aty mund të mësojmë se jeta dhe vepra e Pashk Përvathit është një autoprofeci e realizuar.

Askush nuk ka besuar më shumë se ai për drejtimin që do të merrte dhe sa larg do të shkonte. Ai u bë vetë ky që është, një piktor në radhën e piktorëve të shquar të Shqipërisë, me vlera dhe njohje ndëkombëtare; një peisazhist ‘par exelance’ i gjeografisë sonë nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim, i thyerjeve, i skenografive të papërsëritshme të relievit, i florës, i nuancave në lëvizje të vazhdueshme të dritës nga ora në orë, nga stina në stinë, aq sa larg qoftë, po t’i taksej një gjë e keqe, papritur tjetërsuese, vendi ynë do të mbetej i ruajtur në galerinë e madhe të piktorit Pashk Pervathi.

Kryefjala që e shpjegon atë si artist mendoj se është ajo që cilëson Leon Tolstoi për suksesin: Puna. Ana tjetër e medaljes së talentit, madje sinonim i talentit, në një lidhje dinamike mes tyre. Nuk mund të mbash të karikuar dëshirën për punë pa patur talentin e duhur. Sikurse nuk mund të zhvillosh asnjë dhunti pa punë. Nga kjo pikpamje atij i shkon, si të ketë lindur me të, shprehja e njohur se në majë të çdo suksesi ka një mrekulli pune. Dhe punë do të thotë vetmi.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH